“Horizontet e kureshtjes, historia sekrete e turizmit shqiptar”, u shfaq në kinemanë e qytetit të Gjirokastrës.
Dokumentari i realizuar nga Brunilda Liçaj, pedagoge dhe eksperte e turizmit, hedh dritë mbi botën e fshehtë të udhëtimeve dhe vizitorëve në Shqipërinë e periudhës komuniste, transmeton rtsh.
“Ne jemi mësuar të flasim gjithmonë për vuajtjet e shqiptarëve, por nuk kemi parë asnjëherë anën tjetër, që ka të bëjë me ardhjen e turistëve, si lëviznin ata në territorin e Shqipërisë, kush i shoqëronte dhe ku mund të akomodoheshin. Çfarë ndodhte kur turistët dilnin jashtë rregullave të zakonshme? Për të gjitha këto kemi sjellë një dokumentar me kujtime, mbresa, dokumente. As që e diskutoj se do të ngjallë interes. Do të ketë edhe polemika të shumta,” thotë autorja e dokumentari, znj. Liçaj.
Turistët nuk hynin rastësisht. Çdo udhëtim, çdo vizë, çdo grup ishte i miratuar, i organizuar dhe i mbikëqyrur me kujdes. Ishte një botë me rregulla të padukshme, shton Liçaj.
“Të gjithë jepnin mendimet e tyre atëkohë sesi ndiheshin në Shqipëri. Shpeshherë ishin të detyruar të gënjenin dhe në momentet që tregonin të vërtetën ose flisnin diçka tjetër, ata ishin të survejuar, jepeshin informacione dhe shumë rrallë ktheheshin në Shqipëri,” shprehet pedogagia Liçaj.
Ky dokumentar i shfaqur në qytetin historik të Gjirokastrës rikujton periudhën kur çdo hap drejt bregdetit apo zonave turistike ishte i përcaktuar me kujdes dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Një rrëfim i ri, që zbulon historinë e fshehtë të një industrie që sot është shtyllë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare.
Lini një Përgjigje