“Letërsia ofron të kundërtën e asaj që rrezikon t’ia thyej qafën botës”, e vërteta letrare e Ridvan Dibrës

12 Korrik 2025, 17:39Kulturë TEMA
“Letërsia ofron të kundërtën e asaj që rrezikon

Një ndër figurat kryesore të letërsisë së sotme shqipe, autori i shumë vëllimeve novatore, Ridvan Dibra përmes një sinqeriteti të rrallë, në një intervistë për Klankosova.tv ndau mendimet e tij mbi rolin e shkrimtarit, raportin me lexuesin si dhe letërsinë shqipe sot.

Dibra, i cili cilësohet si një nga 5 shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë të letërsisë shqipe, shpalosi se për të shkrimi është më shumë se një proces krijimi; është një marrëdhënie e ndërlikuar mes të vërtetës së brendshme dhe asaj letrare.

Ai  rrëfen se çfarë e frymëzon, si përballet me censurën dhe vetëcensurën, pse zgjedh të shkruajë, a po bëhet gati t’i turret “Don Kishotit”, dhe pse letërsia, sipas tij, mbetet një akt rebelimi i heshtur ndaj sipërfaqësisë së kohës sonë.

Për Ridvan Dibrën, rrëfimi nuk është thjesht një zanat, është një art që kërkon përkushtim dhe vetmi, të cilën thotë se e kërkon me ngulm dhe e fiton me çdo çmim. Dhe pikërisht aty, në ato hapësira të padukshme ku lind fjala e shkruar, fshihen sekretet dhe magjitë e rrëfimit.

E kur u pyet se “çfarë mund të ofrojë letërsia?”, përgjigja e tij ishte: Të kundërtën e asaj që rrezikon t’ia thyej qafën botës

Intervista e plotë: “Sekretet dhe magjitë e rrëfimit”

Çfarë është për ju “e vërteta letrare”?

Ndoshta ajo e vërtetë së cilës i besoj deri në fund.  Si duket, prandaj edhe shkruaj.  Raportet mes të vërtetës faktike, reale, me të vërtetën që ju e quani letrare, janë objekt i debateve e diskutimeve të shumta.  Si shkrimtar, kuptohet që i jap përparësi “të vërtetës letrare” e cila, falë fazave të vëzhgimit e akumulimit, të përzgjedhjes e veçimit të karaktereve apo situatave, të ndjeshmërisë, trillimit, intuitës a fantazisë, bëhet një e vërtetë edhe bindëse se vetë e vërteta.  Pse jo, edhe një e vërtetë që të josh dhe të argëton.

Çfarë ju frymëzon aktualisht për të shkruar, janë më shumë përjetime personale, ndodhi shoqërore apo diçka krejt tjetër?

E kam thënë edhe herë të tjera dhe po e përsëris: janë përjetimet personale, thyerjet e dilemat brenda meje, ato të cilat më nxisin (frymëzojnë) më së shumti të shkruaj; por ndodh, sidomos me rastin e dramave (të shkruara a të vëna në skenë), që nxitje për të shkruar të bëhen zhvillimet e përplasjet sociale.  Gjithnjë duke vënë në qendër Njeriun, individin.

Cili është raporti juaj me censurën, vetëcensurën dhe lirinë e shprehjes në krijimtarinë tuaj?

Në lidhje me censurën, them se e kam shpërfillur dhe sfiduar.  Besoj, e dëshmojnë disa prej romaneve të mi.  Sidomos të parët.  Atëherë kur isha i ri dhe guxoja më shumë.  Kurse problemi i vetë-censurës paraqitet më i ndërlikuar dhe problematik.  Nuk besoj të kem triumfuar përfundimisht mbi të.  Përherë, në honet e shpirtit njerëzor mbetet diçka nga ajo lëndë e errët, të cilën nuk guxon dhe nuk dëshiron ta nxjerrësh në sipërfaqe; qoftë edhe kur një detyrë të tillë e merr përsipër pavetëdija.

A ka realiteti shqiptar bashkëkohor ndonjë temë që ju sfidon, ju provokon, apo ju frustron saqë ndjeni nevojën ta shkruani për të?

Jo vetëm realiteti shqiptar bashkëkohor, por edhe brendia ime.  Po, temat që sfidojnë dhe provokojnë janë të shumta.  Por krye-tema mbetet jeta dhe fati i individit shqiptar në raport me kohën, veten dhe të tjerët.

A e keni ndjerë ndonjëherë që një tekst ju ka rrëshqitur nga dora, që ka marrë jetë të vetën, përtej asaj që kishit menduar fillimisht?

Pyetje e bukur!  Jo një tekst, por disa.  Shpeshherë, në përfundim të një romani, gjatë rileximit e ripërpunimit të tij, kam vënë re (me habi e kënaqësi) se shumëçka ishte ndryshe nga ajo që kisha menduar e planifikuar në fillim.  Dikush, përtej meje, kishte ndërhyrë në lëndën letrare.  Dhe kjo hyn tek sekretet e magjitë e krijimit.

Kur shkruani, a mendoni për lexuesin apo për veten? Për kë është libri në momentin kur “lind”?

Mendoj për lexuesin, në radhë të parë.  Për të shkruaj.  Në gjykimin tim, janë hipokritë ose sharlatanë ata shkrimtarë që shprehen për të kundërtën.  Natyrisht që unë i shendohem lindjes së një libri të ri.  Si prindi krijesës së vet.  Por mandej libri i përket lexuesit.  Me të e bën jetën e vet, ndarë prej meje.

Shkrimi kërkon vetmi. Si e balanconi nevojën për izolim krijues me jetën përreth?

Po, vetmia është e domosdoshme për shkrimtarin.  Sidomos gjatë aktit të krijimit.  Nëse gjatë jetës së përditshme detyrohem të jem jo pak person social, në orët e shkrimit vetminë e kam të shenjtë.  E kërkoj me ngulm dhe e fitoj me çdo çmim.  Ndoshta edhe duke lënduar të tjerët pranë meje.

A ekziston ndonjë temë apo çështje që vazhdimisht ju ndjek në shkrimet tuaja, ndoshta pa e kuptuar as vetë në fillim?

Po e përsëris prapë e prapë: gjithçka që ndodh brenda meje: dramat, dyshimet, dilemat…   Thënë ndryshe: raporti i individit me veten e tij në radhë të parë.  Mandej me të tjerët.  Kjo, besoj, është tema që ndeshet më shpesh në veprën time.

Pak letërsi të re, të kohës.  Më shumë rilexoj klasikët. Si çdo verë, tani po bëhem gati t’i turrem “Don Kishotit”.  Nëse do gjej kohën e duhur.

Si e përkufizoni rolin e shkrimtarit sot, në një realitet ku shoqëria shqiptare është shpesh e lodhur nga politika dhe lajmet e rënda?

Pyetje e vështirë…  Sa herë më pyesin për “rolin” apo “misionin” e shkrimtarit në shoqëri, nuk ndihem mirë.  Vazhdoj të besoj se shkrimtari ka një rol parësor: të shkruaj mirë dhe bukur.  Për tema e plagë që dhembin.  Por nuk i besoj asaj letërsie, që rolin e saj e redukton në një funksion thjesht argëtues e çlodhës.

A besoni se lexuesi i sotëm është më i larguar nga letërsia sesa më parë, apo thjesht ka ndryshuar mënyra se si ai e konsumon atë?

Po.  Për fat të keq, po.  Sidomos kur këtë largim nga letërsia e vë re tek adoleshentët e të rinjtë, domethënë te lexuesit e së ardhmes.  Përveç zhvillimit të çmendur të inteligjencës artificiale e triumfit të shoqërisë së konsumit, unë fajësoj jo pak letërsinë e dobët dhe komerciale.  Dhe e gjitha kjo e trishton aq shumë një shkrimtar serioz.

Si e shihni letërsinë shqipe sot? A po lindin zëra të rinj që premtojnë të shtyjnë përpara kufijtë e rrëfimit?

Dëshiroj të jem optimist lidhur me letërsinë shqipe.  Me aq sa i njoh zhvillimet e fundit letrare, them se po: janë disa autorë të rinj, këtu në Shqipëri dhe te ju në Kosovë, që dëshmohen interesantë e premtues qysh në botimet e tyre të para; qoftë me tregime apo edhe me romane.  Natyrisht, koha do të gjykojë më mirë dhe më saktë.

Në një botë që po ecën gjithnjë e më shumë drejt shpejtësisë dhe sipërfaqësisë, çfarë mund të ofrojë letërsia që rrjetet sociale s’mund ta japin kurrë?

Çfarë mund të ofrojë letërsia?  Të kundërtën e asaj që rrezikon t’ia thyej qafën botës.  Domethënë, thellësinë dhe nevojën për pak pushim e meditim.  Reflektimin mbi disa vlera të qenësishme e të qëndrueshme.  Dhe mbi të gjitha, letërsia e vërtetë gjithnjë duhet t’i bëj apel të bukurës, të vërtetës, njerëzores.

Në konferencën shkencore të organizuar në Shkodër të titulluar “Poetika e veprës letrare të Ridvan Dibrës”, që ishte edhe një shenjë vlerësimi për autorin, në fokus ishte poetika e veprës së tij letrare.

Gazeta e përjavshme kulturore, ExLibris solli detaje nga kjo konferencë.

Shkrimtari dhe profesori universitar Ag Apolloni, duke folur për “Dy anët e krijimtarisë së Ridvan Dibrës”, ka thënë se proza është ana e ndritshme, kurse drama, ana e errët e këtij autori. “Prandaj, kur flasim për profilin e Ridvan Dibrës, krahas profilit të ndritshëm prej prozatori, duhet të flasim edhe për profilin e pandriçuar të tij. Pra, krahas Dibrës së zbuluar (të botuar dhe të studiuar), kemi edhe Dibrën e pazbuluar (të painskenuar, të pabotuar dhe të pastudiuar). Vetëm studimi i të dy anëve do të na e jepte portretin e plotë të tij”, ka thënë ai, shkruan Ex Libris, transmeton Klankosova.tv

Shkrimtari Ridvan Dibra, i njohur për thjeshtësinë dhe modestinë e tij, në konferencë ishte shprehur se lexuesit dhe vlerësuesit e parë të veprës së tij kanë qenë studentët e letërsisë, të cilët shpesh i kanë dhënë përshtypjet e para dhe e kanë nxitur e frymëzuar për të vijuar rrugën e krijimtarisë letrare.

Ndërkaq, befasi ishte Letra e Çapalikut, i cili në pamundësi për të qenë i pranishëm i shkroi Dibrës një letër.

“Ti, i dashtun Ridvan, je nji figurë shumë e randsishme e letrave shqipe, jo thjesht se qe krejtësisht i pranishëm atëherë kur ra ‘Muri’, porse me letrat tueja dhe nji dorë që ky ‘Mur’ të rrëzohet dhe të thyejë qafën, jo veç në politikë dhe jetën shoqnore, por edhe në letërsinë tonë”, shkroi Çapaliku. /Klankosova.tv

 

Lini një Përgjigje