Më shumë lexues gjatë verës, rreth 60 anëtarësime të reja në bibliotekën e Gjirokastrës

12 Gusht 2025, 16:00Kulturë TEMA
Më shumë lexues gjatë verës, rreth 60 anëtarësime

Vera ka shtuar numrin e anëtarësimeve në bibliotekën “Apostol Meksi” në Gjirokastër.

Burime nga ky institucion kulturor bëjnë të ditur se gjatë korrikut dhe ditëve të para të gushtit janë çelur rreth 60 kartela të reja. Janë kryesisht gjimnazistë, që në vitin shkollor 2025–2026 do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore.

Këtë periudhë vere më i tërhequr ka qenë libri artistik, thotë Anisa Bashari, punonjëse e bibliotekës.

Më shumë preferohen romanet për të kaluar pushimet. Edhe fëmijët marrin libra jashtëshkollorë. Kemi bërë një ndryshim, duke mos dhënë vetëm një roman gjatë kësaj periudhe, por edhe më shumë, që lexuesit të kalojnë pushime sa më të këndshme,” shprehet znj. Bashari.

Biblioteka “Apostol Meksi” frekuentohet rregullisht nga 3.000 anëtarë të moshave të ndryshme, duke nisur nga fëmijët e deri te moshat e treta, të cilët kanë mundësi të plotësojnë kërkesat e tyre përmes fondit të pasur të përbërë nga 120 mijë ekzemplarë.

Në të përfshihen libra artistikë, libra në gjuhë të huaj, gazeta dhe revista në gjuhën shqipe e të huaj, libra historikë, psikologjikë, filozofikë, nga shkencat e natyrës, me kujtime, biografi e kritikë letrare, nga fusha e folklorit etj.

- RTSH-

Lini një Përgjigje