Mes datave 27 dhe 30 nëntor 2025 ngre siparin "Tirana Art Weekend"

15 Nëntor 2025, 15:05Kulturë TEMA
Mes datave 27 dhe 30 nëntor 2025 ngre siparin "Tirana Art

Ashtu siç ligjëroi dikur Gertrude Stein, “përsëritja nuk është përsëritje. Është këmbëngulje.” Mbi këtë premisë, organizatorët ju mirëpresin në edicionin e dytë të Tirana Art Weekend, ku ne shfaqemi sërish të bashkuar, jo nga zakoni, por të udhëhequr nga vendosmëria.

Jemi sërish këtu duke këmbëngulur. Duke ngulmuar që narrativa e artit bashkëkohor shqiptar të shkruhet sipas kushteve të veta dhe në të njëjtën mënyrë të ndahet me botën. Duke ngulmuar që cilësia e prodhimtarisë sonë krijuese nuk është një çast kalimtar, por një forcë e qëndrueshme, e pamohueshme. Dhe përsëri, ngulmojmë që në një botë ndasish, solidariteti brenda komunitetit tonë artistik është fuqia jonë më e madhe. Po këmbëngulim që kori i zërave tanë, i cili prej një kohe tepër të gjatë dhe për arsye jashtë kontrollit tonë mbeti i heshtur apo në disonancë, të mund të jehojë tani e tutje në një skenë globale.

Cili pra është mesazhi që ushton nga megafoni ynë? Përgjigja nuk është një mesazh i vetëm monolit, por një ansambël polifonik.

Mes datave 27 dhe 30 nëntor 2025, Tirana do të flasë mes një shumësie zërash që përfaqësojnë diversitetin e pasur dhe timbrin unik të skenës lokale të artit. Anembanë qytetit pret të shpaloset një konstelacion prej 33 ekspozitash dhe aktivitetesh. Nga institucionet e pavarura dhe te hapësirat e drejtuara nga vetë artistët, do të zbuloni një rrjet pionieresh vendas, bashkëpunëtorësh jetikë rajonalë dhe artistësh ndërkombëtarë me ndikim të shquar. Bashkërisht, këta formojnë indin e gjallë të skenës së kryeqytetit tonë, secili duke kontribuar me notat e veta vendimtare në këngën kolektive të qytetit.

Epiqendra e veprimtarive të Tirana Art Weekend është selia e Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, e vendosur në një vilë të restauruar të shekullit të 20. Kjo vendndodhje do të strehojë nisma artistike që nuk kanë një vend të përhershëm apo që veprojnë jashtë Tiranës, ndërsa ekspozita e qytetit dhe hapësirat e projekteve do t’i koordinojnë hapjet përkatëse përgjatë fundjavës.

Pjesëmarrësit përfshijnë një shumësi institucionesh që me kontributet e tyre kanë shënuar një ndikim rrënjësor në formësimin e identitetit artistik bashkëkohor shqiptar: Albanian Cinematheque, Art House, Art Kontakt, Bazament Art Space, Berk, Destil Creative Hub, Ekrani i Aritit, GADK, Galeria e Bregdetit, Minus Art Space, Off Season Artist Residency, Pararoja, Prag Space Collective, s t r a y stars, Satellite Zone, Tek Bunkeri, Tirana Art Lab dhe të tjerë.

Një program satelit do të jetojë në hapësira si Agimi Art Center, Galeria Artit Tiranë, Galeria FAB, Khrais - Tërshana, Space05, Vila 31, Art Explora dhe 18 Stories.


Rreth Tirana Art Weekend

Edicioni i parë i Tirana Art Weekend ndodhi në vitin 2024, i organizuar nga the Albanian Visual Art Network  (AVAN).

I themeluar në Vlorë, po atë vit, gjatë Vlora Art Meeting, AVAN është një koalicion entitetesh të larmishme nga sfera e arteve pamore, të bashkuara nga një përkushtim i përbashkët ndaj shprehjes artistike, transparencës dhe dialogut kritik. Drejtor i AVAN-it është Elian Stefa. A.K./TemA

Lini një Përgjigje