Preç Zogaj që unë njoh...

15 Nëntor 2025, 07:20Kulturë TEMA
Preç Zogaj që unë njoh...

-ese-

Preç Zogaj duke botuar libra me poezi, prozë dhe publicistikë, jeton intensivisht si me artin dhe me politikën, të cilat si dy të kundërta, arrin t`i harmonizjë veçse talenti. S`është nga ata që përshtatet, por që përballet, sepse nuk dëshiron të jetë në llogoren e gabuar. “Fati kurdis ndonjëherë lojëra të çuditshme.”, shkruan ai në librin “Fillimet. Ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet `90-`92”, duke i qendruar Fillimeve të mbushura me ideale dhe jo rifillimeve, si riciklime pushteti. Kurdisjeve të fatit, në këto vite tranzicioni, zor se i ka shpëtuar kush, i hedhur shpesh në brigje, që s`i ke vozitur as në ëndërr. “Historia s`duket asgjë, kur e ke përpara dhe na bën asgjë, kur na lë prapa.” Një tjetër thënie intriguese, shpotitëse natyrisht për ata që kujtojnë se pas u shkon historia, ndërsa shoqërohen me legjenda urbane. Përkundër një gjuhe procesverbalesh, që e ndesh rëndom në libra të kësaj natyre, autori rrëfen dinamikën e ngjarjeve, që ndryshuan Shqipërinë, por dhe të tilla që i kushtuan asaj, pa fshehur dhe pa rrumbullakosur të vërtetat. Dhe ajo që nuk e pëlqen të vërtetën është politika, e mësuar të fshehi gjurmë, por, kurrësesi arti, që s`jeton dot pa të, që gdhend fjalën. Për t`i bërë të besueshme gjithë këto, po i referohem portretizimeve, që, autori u bën mjeshtërisht në libër shumë figurave të njohura, ku spikat ajo e Ismail Kadaresë dhe e Sali Berishës, pra: e artit dhe e politikës, ku autori ngjan si një “amfib” duke kaluar sa në det dhe në tokë. Vetëm një personalitet i letrave mund t`i portretizojë të tjerët, kushdo qofshin ata, gjë krejt e pamundur kjo për një profil fallco. Nuk është e lehtë të jesh midis të dyve. Admirimi ndaj shkrimtarit mund të bënte rob të artit të Kadaresë, ndërsa ndikimi i politikanit mund të ishte një rrezik i shtuar, kur njihet prirja e Sali Berishës për të projektuar veten tek ata, që ai i sundon duke u rritur me identitetin e tij.

Libri me publicistikë fillon me kryengritjen gjermano-lindore, që e kishte emrin “ikje”. Edhe në Tiranë po shkonte drejt finalizimit kryengritja e rrallë me emrin “ikje”, që nis me ikjen e kalorsit të letrave shqip, Kadare, veçse e paralajmëruar: “I munduar gjer në çastin e fundit,/Nga mosthënia, nga pengu tragjik/Një shenjë ndoshta të pakuptimshme/Do t`ju bëj të gjithëve e do ik.” Këto vargje mbeten dhe si belbëzim i fundit i ambiguitetit të tij. Pas ikjes së shkrimtarit, ikjet nuk do të rreshtin edhe sot e kësaj dite. Preç Zogaj, si një qendrestar është shfaqur kundrejt gjithë krahëve të politikës, duke u përballur, edhe pse largimet nga një subjekt tek tjetri mund të krijojnë idenë e rreme, të dezetimit nga llogorja, ku ishin rreshtuar opozitarët. Si individualitet i spikatur s`ia lejon vetes të bëhet pjesë e fasadave. “Nuk kishte ndodhur kurrë si në konferencën e talenteve të reja në Korçë të përmendej një i arratisur si Kadare dhe salla të brohoriste.”-kujton ai në libër. Ishte ai, që guxoi ta përmende shkrimtarin në prani të një anëtari të byrosë politike. Shihni se me ç`konçiziteti i përshkruan ngjarjet madhore të vitit 1990: “Haveli mbarte kurorën e lirisë, Çaushesku plagët e ekzekutimit. Udhëheqësi rumun ra viktimë e delirit të tij. Bashkë me bustin e Stalinit, më 11 janar, ra dhe Republika Popullore e Shqipërisë.” Por, veçon dikë: “Kadare kishte qenë kurdoherë përpara, shumë përpara Partisë në ndërmarrjet konjukturale të kësaj të fundit për demokratizimin dhe hapjen.” Kjo është dhe arsye që partitë nuk i duam shkrimtarët dhe artistët, ngaqë i nxjerrin në planë të dytë liderët. Në Fillimet e demokracisë në parlament kishte shumë poetë, shkrimtarë e artistë, që erdhën duke u rralluar, ku preferohen filmaxhinjë dhe teatralë. E fundit, ishte Flutura Açka. (Rama, ngaqë është vetë në krye, lë përshtypjen sikur s`është nevoja për të tjerët. Ndaj i pëlqen të thotë: jam dy hapa para kundërshtarit politkë, por jo i krahasuar me artistët dhe shkrimtarët.) Askush nuk duhet të dijë më shumë nga partia, do ironizoi Ayn Rand në romanin “Ne të gjallët”. Këta që dijnë më shumë nga partia flaken në rastin më të parë ose mbahen larg. Preç Zogaj dhe, jo vetëm ai: “ka qenë kurdoherë përpara, shumë përpara Partisë”. Ndodh që: me çka të takon të mburresh, të merret për fajësi aty ku ligjin e bëjnë militantët. (Ata që e akuzonin shkrimtarin Kadare si Perëndimor, janë në garë se kush do duket më allafrenga?!)
Në takim me intelektualët, autori citon Ramiz Alinë: “Afrohu Ismail, pse rri në radhë të tretë, apo ke frikë se mos të marrin në fotografi dhe nuk del bukur?!” Po e qortonte se kishte lënë “vijën e parë të frontit”?! Ai që do dilte në rresht të parë ishte Sali Berisha, pasuesi i Alisë në presidencë. “Librat e Kadaresë kishin përndritur rininë time të zymtë në Lezhë. Është pak të them se i kisha lexuar... I kisha futur në qënien time...Nga ana tjetër nuk doja të cënoja sadopak magjepsjen time për veprën e tij, duke cënuar distancën që më kishte mundësuar... U ndamë. E pashë si po largohej bashkë me atë mundimin e tij të brendshëm, të pakuptueshëm, të pazbërthyeshëm, që “ndoshta e ka gjithmonë”-shkruan Zogaj me një adhurim gati fetar, që, në fakt, është i tëri njerëzor. Ku e ka burimin ky adhurim? Vetëm tek leximi i librave dhe askund tjetër, që reflektohet si përndritje në qënien e tij, kur ka të tjerë që u terratiset shpirti sapo ia dëgjojnë emrin Ismail Kadaresë. Por kjo fuqi ndikuese, sikur i njihej Enver Hoxhës, me demek se “na e ndriçonte rrugën drejt së ardhmes”?! Në ndihmë më vjen poezia “Përbindëshi” i Zogajt, si produkt i një meditim të gjatë.

“Ka qenë shumë e bukur fëmijëria ime,
jeta tjetër para kësaj që kam tani,
Por sot ju tregoj për përbindëshin
që nuk e pashë atëherë, që e njoha
veç kur po jepte dhe kishte dhënë shpirt,
Dhe mua po më dilte magjepsja e trandafilave.”
Nuk mund të mos bëj përshtypje një ndarje midis fëmijërisë së bukur dhe të jetës tjetër pas saj, ku midis qendron rrëzimi i një shtatorje. Vetëm pas shumë vitesh poeti merr përsipër të tregojë “përbindëshin”, që nuk e pa atëherë, sikurse të gjithë ne, që tërhiqeshim nga “magjepsja e trandafilave”. Kopësht me lule përfytyrohej Shqipëria. Madje dhe vendi i preferuar ku bëheshin foto ishte lulishtja. (Ata që pinin shurup trandafili, hiqen sot sikur të ketë qenë nektar perëndish?!) Besueshmëria e vargjeve të autorit rritet , kur në vitin 1992, ai do shkruaj:
“Kolera erdhi përsëri
Në rresht me fitimtarët.
Kush nuk përkulet mjerë ai
Ka punë me kryetarët.”
Njihesha me Sali Berishën prej disa vitesh, “isha një adhurues i kryelartësisë së tij, megjithëse vetë nuk pëlqeja ta mbaja kokën lart.” Dhe më tej syri i tij vë re: Shqipëria komuniste i priste krahëhapur antikomunistët e rinj, por jo të vjetërit. Se këta të rinjtë vinin nga e njëjta origjinë. Dikush i thotë autorit të librit se Kadare i arratisur në Francë ka përbuzje për atikomunistët e vjetër. Për të mos lënë hije dyshimi, Zogaj citon Kadarenë: “Në këtë kohë të vonuarit bëhen të rrezikshëm...Të vonuarit çfarë nuk bëjnë për të fituar kohën e humbur, për t`u dukur demokratë dhe trima të mëdhenj. Demokracia mund ta pësojë prej tyre. Principi i tyre është të shfaqen si heronj. Ata janë provaktorë: në emër të lirë së fjalës ngrejnë çështje që kompromentojnë demokracinë.” Të vonuarit, nga të dy krahët e politikës, e gjenin rrugën drejt pushtetit, duke spostuar të parakohëshmit, ata të orëve të para. Të vonuarit u ngjitën në Qytetin e Studentëve dhe ua përvetësuan fitoren. Tek të vonuarit duhet kërkuar shkaku i këtij tranzicioni të gjatë, që mban peng të ardhmen e vendit. “Në PD vinin karieristë që të realizonin ambicjen e penguara nga Partia e Punës.”-shkruan Zogaj. A ishte dhe Sali Berisha një prej tyre? Një viktimë e të vonuarëve është dhe një nismëtar si Zogaj. “Kultura i doli përballë regjimit. Militantët e PPSH-ës e kishin zakon t`i gëzoheshin ndarjes me intelektualët.”-konstaton ai me keqardhje, duke drejtuar gishtin: “Partishmëria berishiane kishte dhënë shenja se do ishte përjashtuese. Ky ishte shqetësimi, kjo ishte frika. Ishin përsëri ata mitingashët me të cilët isha në një betejë etike dhe statike pa kompromis. Askush nuk kishte më nevojë të rrezikonte jetën për të ruajtur nderin.” Dhe të vonuarit e ndërsyer do i vërsulen, atij që di më shumë nga partia: “Komiteti i madh i mediokërve, i konformistëve dhe i puthadorëve të pushtetit nga fusha e shkencës, mësimdhënies, letërsisë, pikturës, folklorit, trashëgimisë kulturore, gazetarisë, e tjerë e tjerë figuronin në bllok, pothuajse pa mungesa... Me veglat dhe bufonët e tij, presidenti Berisha gjente kohë, për të mos thënë e kishte në rendin e ditës dhe për kënaqësi gjithashtu, t`u prishte qetësinë dhe gjakun individëve që e kishin kritikuar apo e kishin kundërshtuar në parti.” Duke cituar Makiavel ai thotë se të mundurit nuk durojnë po t`i prekësh liderin...

Shënim: një fragment nga shkrimi i postuar në faqen time më 12/12/2022 për krijimtarinë e P. Zogajt. Po e ripostoj me rastin e ribotimit të librit “Fillimet”, duke i uruar suksese.

Fatbardh Amursi

1 Komente

  1. P
    Prec Zogaj eshte njeri pa vlerat e nevojshme

    Cfaredo te shkruhet nga dhe per Prec Zogajn, ai do mbetet i vogel, i kompleksuar nga te qenit ish spiun, nje njeri i paekujlibruar politikisht qe eshte kunder me shume se gjysmes se shqiptareve qe votojne kunder Sali germadhes. Preci eshte i rrahur ne djep i thone atij qe me mendje te mbyllur eshte kunder cdo progresi qe Shqiperia ka bere gjate 12 viteve te fundit.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje