Petrit Ruka, Liriku i përjetësisë

14 Nëntor 2025, 16:24Kulturë NGA Bujar Xh. RAMA

 

 

Një ikje pa lamumirë! Sepse Poeti jeton përjetësisht atje, në erërat e çmendura të vendlindjes, në psherëtimën shkumëbardhë të Vjosës, tek avra e bukës së saçit, te dhalli i dybekut, mishi që rrotullohet hellit, në aromën e trëndelinës, te gurët e sokakut dhe portat e hapura kanat të fshatit, në sofatin e gurtë ku me lotin e tharë në cepin e syrit e presin nënat dhe pemët e bahçesë çelin sythet pa stinë: "Erdhe, o derman, o jetë, o bir?". Teksa malet kryelartë presin radhën e përqafimit...

SINOPS: LIGJËRIMET E TREVËS

Tepelena ka pasur dhe ka pena të rënda të poezisë komb-shqip: Trifon Xhagjika, Agim Shehu, Maliq Lila, Sadik Bejko, Daut Gumeni, Qazim Shemaj, Zaho Balili, Pertef Liçi, Vasil Vasili, Ilirjan Zhupa... etj.

Një vend-apogje në këtë listë zë liriku Petrit Ruka, i cili ka sjellë në poetikën shqiptare gjithçka të Atdheut tonë, duke gdhendur së pari vendlindjen e vet. Ruka përfaqëson një ndër emrat më të spikatur të poezisë së sotme shqipe dhe jo vetëm. Ai krijoi personazhin aqdimensional të vetvetes, duke marrë pas kudo që shkoi gjithçka nga balta e vendlindjes: dhimbsurinë, dashurinë për njerëzit, për gurgullimën e krojeve, për Labërinë, për dollitë dhe rakinë me "opingë” në oda, për Kuvendin e Burrave, për lindjet, dasmat, vajtimet, lotn e derdhur për gazin dhe dertin, gjithë hartën jetësore të njeriut; mori me vete erën e Tepelenës që fishkëllen kreshtamalesh e breglumit,  këngën labe "hidh-e-prit",  që shkon "ajar" andej staneve në gërxhe dhe hone, atje ku mori dhe mëkimin e parë të flatrimit poetik, për t'u bërë AI që është sot e do të mbetet përherë: LIRIKU I PËRJETËSISË! Zhaurima e Vjosës dhe ninullat e djepit qenë namatisjet e frymëzimeve të para...

PËRMES LIRIKAVE TË PETRIT RUKËS

Ĺirikat e buta, me ngrohtësinë e ndjenjës, figuracionit dhe shprehësisë poetike kthehen në postulatin e poetit. Hapësirë dhe kohë, në qyshkurësi e gjer në diku-e-dikurësi... Petrit Ruka arriti që sfondin e frymëzimit të qëmtuar gjer në thërmokla detajesh me "gratë e Jugut", "qoshkat e oborrit", "babanë e mbledhur në kuti", "vërtitjen e kokës së prerë" e sa e sa të tjera t’i shndërronte në “kanisk” të panteonit të tij poetik. Poeti Ruka sjell një galeri të tërë të botës, me gjithë konvencat ku ngjizet lirika e tij. Dhe spikat lartësia e ndjenjës: dashuria e çdo forme është në shkallën më sipërore, plot ndjenjë e emocion, eksklamacion, gjithë drithmat e shpirtit-vullkan. Figuracioni i ngjeshur ia shton vlerën fjalës, vargut, strofës, duke krijuar kohezionin me forcën shprehëse të ndjenjës, që shpesh, në vargjet e Rukës, duket sikur ka një vuajtje të brendshme-dilemë: "A po i shpreh të gjitha?". Poezia e Rukës është modeli që duhet studiuar në tekstet e shkollës së mesme (AML-së që quhet sot). Ku gjen metafora aq të shkrira sa në vargun e Rukës, figuracionin aq lehtë të kuptueshëm edhe për lexuesin e thjeshtë, që u dukej sikur poezia për vendlindjen dhe njerëzit e afërt qe shkruar për ta, për ato porta, për ato sofate, për dasmat, për kujën dhe dhimbjen, për lotin dhe brengat e tyre, për lumin dhe malin e tyre, por edhe për dashuritë e fshehta me sy-e zemër-plasur të tyre! Sepse ky është poeti, që të bëhet vetvetja jote me dhe pa e kuptuar. Dhe befas, edhe lexuesi më i thjeshtë monologon me "alter ego"-n e tij: "Sikur paska qenë brenda meje!". Ky pra është poeti i mirë!

GRUA E JUGUT

Ai ishte poeti i dashurisë, jo vetëm i aspektit të erotikës. Ndër poezitë e dashurisë disaplanëshe (përzier herë me brengë e dhimbje, herë me mall), mund të përmendim: “Baba, në ikëm”, “Një kafe me nënën”, “Atdheu u shit, ankandi u mbyll”, “Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë”, “Shkrinte bora me rënkime”, “Një ëndërr hua”, “Nuk di ç’të bëj tani me ty”, “Kur të vdes unë”, “Dashuria ka shijen e fortë të vdekjes” etj.  Në frontespic të këtyre krijimeve, mes të tjerash, një ndër poezitë më të veçanta të poetit Petrit Ruka, është ajo me titullin “Grua e Jugut”.

Një shpirt i ndjeshëm, gati subtil, që shpërthen gjithë emocionin përmes magjisë poetike, por edhe një ndjesë (falje) e fshehur e poetit mes vargjeve, si një përulësi që nuk arrin t’i shprehë dot gjithë hiret emblematike të GRUAS SË JUGUT, në tiparet e së cilës përkufizohen simbol-“aksiomat” e një gruaje për t’u dashur e dashuruar - ajo, GRUAJA E JUGUT - gjithçkaja:

“... shoku dhe malli për motrën e vdekur,

... boti me verë në dru lisi,

Supi i nënës, qepa e bardhë, oxhaku i ndezur, djathi,

Perëndim i rubintë në vetullën e Çamërisë,

Shall fëmije dhe bishti i ketrit...

Pastaj pashë nëpër grykë

si rridhte ujë i ftohtë i Tepelenës,

pashë tymin tim të cigares...

kortinkën e nënës në dritaren e mallëngjimit

dhe lotin tim për shokun e jetës, Viktorin...”

Këtu qëndron e thëna (e shkruar në vargje) dhe e pathëna (mbetur në mendje) si shprehësi poetike dhe pamundësi për të thënë më shumë nga ajo që poeti përvuan e përbluan mes rimash e ndjesish. Por kjo është “masa” (metri) i asaj që Ruka do të mbishfaqë për GRUAN E JUGUT. Të tjerat? I zbulojnë “përgjimet” e Vjosës, 1000 hënat e majit, ulërimat dhe psherëtimat e “poetit të madh” murosur bash në supet e saj, GRUAS SË JUGUT...

Sepse ajo, GRUAJA E JUGUT i ka të gjitha brenda saj në një cepëz vetulle, sepse: “Tëk me sy, fët me qepallë/ më fute në dhè të gjallë!”.

“GRUA E JUGUT”, “KUR TË JESH MËRZITUR SHUMË”, “KRISTAL”

Për më thjeshtësi përqasjeje dhe krahasimi, mund të ishte më e përshtatshme mbase që të vinim përballë poezinë “Kur të vdes unë” të Petrit Rukës me “Kur të jesh mërzitur shumë” të Dritëro Agollit; poezinë “Nuk di ç’të bëj tani me ty” të Petrit Rukës me “Kristal” të Kadaresë, por  “Grua e Jugut” është më grishëse dhe më sfiduese në përmasat që e ka gdhendur poeti. Cila është GRUAJA E JUGUT e Petrit Rukës? Hankoja? Dudia? Xhemileja? “Lëri Shero nazet, se s’të kanë lezet”? Vitoja? Një labe kadënë si vita? Cila, pra? Secila veç e veç e të gjitha sa bashku. Vulgu, polifonia dhe folku i Jugut me legjendat e bukurisë femërore të sipërpërmendura (Hanko, Dudi, Xhemile, Shero, Vito etj.) janë tharmuar poetikisht të gjitha bashkë dhe kanë dhënë modelin më të mirë të GRUAS SË JUGUT.  “Gruaja” e Petrit Rukës është figura e ëndërruar femërore (jo vetëm poetike). Kadare (te poezia “Kristal”) e ka humbur - kërkon përjetësi imazhi dhe kujtimesh; Agolli (te poezia “Kur të jesh mërzitur shumë”) mediton humbjen e mëvonshme - hipotetik me atë që mund të ndodhë, ndërsa te “Petja” (kështu e thërrisnim ne miqtë poetin Petrit Ruka) është, kërkon dhe i mbetet ajo, GRUAJA E JUGUT. Dhe jo vetëm! Aty është POEMA E GRAVE SHQIPTARE që nga Jugu e në Veri: që nga Serafina Topia e gjer tek “tumankuqet” e Çamërisë; që nga Argjiroja e gjer te “Bukurinë tënde e mbanin në gojë/ ç’hata që na bëri e zeza pisqollë”; që nga Rozafa e gjer te “Gajtanxhija nuk më la/ e zuna me kja”; që nga “Kostandin të ardhtë gjëma!” e gjer në “Jarani që vjen me natë”... Sepse GRUAJA E JUGUT është “e mira n’çarshi”, “llokumi n’tabaka”, “Bejka e rritur shullërit”, “Ç’të ndrin nuri, moj Esma”, “Zogë, ku më qenke rritur”, ma bën me si, ma bën me dorë”, O moj mike bukurushe” e “kur më rrin karshi, karshi-e”...

Përtej vargut, figuracionit, ritmit, kodit, komunikimit autor-lexues, kjo poezi, “Grua e Jugut”, mendoj se duhet studiuar në disa nivele, shtresime. 

Përjetësia në thelb. Te Kadare dhe Agolli në kohën e paskëtajme, me vargje të ndërtuara në kontekstin kushtor (Kadare): “Në s’të...” dhe në të ardhmen e nesërçdokohshme (Agolli): “S’do jem/ do jem larguar...” etj. GRUAJA E JUGUT është mbi “Kristal”, mbi “Kur të jesh mërzitur shumë”, përtej e shumë më përtej një poezie aq-e kaq-erotike. “Ballina”, leximi i thjeshtë, horizontal (shtuar krijimin në kohë më të vonë të poezisë së Petrit Rukës, shtuar gjithashtu modelet poetike të pacenuara dhe të pranuara “shabllon” nga kritika për poezitë e Kadaresë dhe Agollit, shtuar faktin e mosstudimit serioz nga kritika e mirëfilltë për poezinë “Grua e Jugut”) e ka lënë këtë perlë poetike thjesht dhe aqëz në përcaktimin e ngushtë: “Poezi e bukur e Petrit Rukës!”. Por në koherencën poetike, në organizimin e poezisë, ka një dallesë të dukshme empatike: Petrit Ruka, me GRUAN E JUGUT, tejçon shumë më tepër individuales dhe lirikës së tipit “auto” të Kadaresë dhe Agollit, jo thjesht nga përcaktori “Jug”, por në kompletësi: në strukturë, në varg, në çlirësinë e ritmit, në piramidën induktive, në shijen estetike te lexuesi...

Agolli e ka ndërtuar poezinë në formën e një porosie, sugjerimi a, thënë ndryshe, në trajtën e një amaneti, me foljen në mënyrën urdhërore “kërkomë”, por që në kontekstin e gjithë poezisë merr vlerën e thuajse lutjes së adresuar ndaj njeriut të zemrës. Dhimbja tek Agolli merr trajtën e kurajës eufemike përmes krahasimit në dy vargjet e fundit: “Ti si dikur me mall do qeshësh/ si një blerim pas një rrëkeje”.  Te “Kristali” i Kadaresë, strofa e parë: “Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej/ si të harroj unë dalëngadal/ si vdes tek unë kujtimi yt/ si vdesin flokët dhe gjithçka”, jep përshtypjen e një dashurie të braktisur, të lënë pas, gati në kufij të harresës, por strofat e vazhdimësisëia përmbysin qëndrimin fillestar “un”-it lirik (harrimi i dashurisë së parë - mundet?): “... të ik pa kthim.../ harrim ish ky a s’ish harrim”... Dilema poetike që e ka përgjigjen brenda dhe jo e vështirë për lexuesin.

Te Kadare dhe Agolli ka një “ish” lirike, në dykohësi të ndryshme nga tri kohët themelore: dje-nesër, teksa e tashmja është ligjërimore poetike, si nistore e asaj që ka “s” mohuese përpara (s’është më) dhe modales “mund” (hipotetike). Te Petrit Ruka është GRUAJA E JUGUT në trikohësi. Nuk ka brengë-psherëtimë gati romantike të pashërueshme, nuk ka të ardhme kushtore me “nëse”, por ka një “filding” dje-sot-nesër, që e bën poezinë e Rukës më të prekshme, më konkrete, më të gjithkohshme, përtej mallit nostalgjik e përmbi të nesërmen imagjinare. Prandaj, pra, GRUAJA E JUGUT e Petrit Rukës “pretendohet” të jetë më përfaqësuese poetike, sepse poeti e ka përplotësuar misionin e tij dhe përcaktori “e Jugut” meriton mbase ta “humbasë” këtë përkufizimngushtë, siç e sjell liriku ynë i madh.

NË PËRJETËSI

Ai, Petrit Ruka, përmes veprës aq të vlertë, krijoi dokumentarin e përjetshëm të vetvetes. Erdhi sërish mes nesh... Shtatorja e tij në sheshin “Lord Bajron” në Tepelenë (27 shtator 2025) është pak për madhështinë e Petrit Rukës, sa për të na kujtuar se është gjallë e jemi gjallë...

SKEDA E PETRIT RUKËS 

Datëlindja: 21 gusht 1954

Vendlindja: Turan, Tepelenë

Ndërroi jetë: 6 korrik 2021

* Poet, kineast, regjisor;

* VËLLIME POETIKE: 

"Rinia ime" (1978); “Atdheu fillon tek zemrat" (1983); “Mirupafshim, hënë e vendlindjes!” (1990); “Vërtitu, Kokë e prerë!” (2000); “Në zemër bie shi” (2003); “Shtatë mijë shirat e mi” (2008); “Iso dashurie“ (2015); "Nëntë vjet e nëntë ditë" (2015); “Shami të zeza qiellore” (2018);

ESEISTIKË: “Kalorësi mbi det” (monografi për Kadri Roshin, 2009).

* Skenarist për dhjetëra filma artistikë filma dokumentarë, vizatimorë; njëherësh skenarist dhe regjisor për dhjetëra filma artistikë dhe dokumentarë.

ÇMIME: Fitues i shumë çmimeve letrare dhe filmike; 

TITUJ: Mjeshtër i Madh (2015).

VLERËSIMI: Busti i ti jnë sheshin “Lord Bajron” në Tepelenë (27 shtator 2025).

Lini një Përgjigje