Metaforat e angazhuara të Mero Bazes

11 Nëntor 2024, 21:38Kulturë Ilir Yzeiri

Metaforat e angazhuara të Mero Bazes

(Disa shënime për vëllimin me poezi «Shi me baltë»)

Sa herë që na bie në dorë një vëllim me poezi, menjëherë pyesim: çfarë do të lexojmë në këtë libër? A thua ka mbetur ndonjë gjë në këtë jetë e në këtë botë që mund të tregohet në mënyrë poetike? Poezia lindi si një nevojë për të treguar ato gjëra që nuk i themi dot me anë të prozës, për të rrëfyer atë që nuk e tregojmë dot e që lidhet me atë pjesë të njeriut që zë gati më shumë se gjysmën e mistereve të vetëdijes e të pavetëdijes që ai i merr me vete kur ikën nga kjo botë. Është edhe një poezi e angazhuar që himnizon ngjarje të caktuara, ashtu sikundër është me tepri edhe një poezi autoreferenciale e disa herë narciziste. Po vëllimi i Mero Bazes ku qëndron? Unë e kam lexuar librin dhe aty ndesha një poet që vizaton fundin e Shqipërisë moderne dhe kalimin e saj në postmodernizëm.

Modernizmi, siç dihet, shënjohet nga disa topika; ndër më të rëndësishmet janë atdheu, familja, kodet e sjelljes së mirë, respekti, me një fjalë, të gjitha ato karakteristika që e dallojnë një etni, një popull apo një komb prej një tjetri; pastaj vjen postmodernizmi, që i shuan këta kufij. Mero Baze ka qenë i pranishëm në këta tridhjetë vjet si asnjë tjetër nga ne. Në hapësirën publike ai është komentatori, vëzhguesi dhe ai që ka analizuar thuajse çdo ditë tranzicionin shqiptar. Ndërsa me librin e fundit «Republika e Parë» ai shfaq një portret prej historiani të klasit të parë sepse, duke ardhur nga fusha e publicistikës, ai, së bashku me Ilir Ikonomin, kanë sjellë një vështrim tjetër nga një perspektivë krejtësisht e ndryshme nga ajo që kemi ndeshur deri tani. Libri me poezi që ai po prezanton sot e plotëson këtë profil të tijin dhe e bën Mero Bazen një poet të metaforave të angazhuara.

Historia në librin që përmenda është një metaforë, por këtu, te ky vëllim, ne shohim se si përmes paraqitjes së atdheut bie kuptimi që kishim për të sepse atë e kanë shkatërruar poetët, ata që na kanë dhënë jo portretin e vërtetë të tij, por një imazh tjetër. Atdheu është metafora e paradokseve që ka prodhuar historia e Shqipërisë, thotë ai. Pastaj, për të vizatuar brengën e përkatësisë, ankthin ekzistencial dhe metaforën tjetër, atë që përmblidhet në tri gërma: JUG, ai vizaton krahinën e tij dhe këtu, ashtu si në një pikturë apo në një tablo të madhe, në qendër është nëna, babai, mëhalla e vjetër, fshati për fëmijë, shkolla e mbytur në heshtje, grindjet për ca pak tokë, dhe pastaj Vjosa, bukuria shtrigane, magjepsja që vjen nga një vend që, nëse nuk e ke vizituar, nuk mund ta kuptosh. Nga ai ballkon i shtëpisë, Mero Baze rrëfen gjithë pikëllimin romantik që provon çdo njeri në jetë për kohën që ikën, për vendet që i lë, për prindërit që vdesin, për braktisjen e madhe që shënjoi fundin e një kohe dhe që nuk dihet se çfarë kohe tjetër shënon.

Ashtu si P. Ruka, I. Zhupa e Q. Shemaj, Mero Baze është nën magjinë e asaj krahine që quhet JUG e që ka të pleksura bukurinë, braktisjen, mallin dhe harresën. Më ka bërë përshtypje grupi tjetër i poezive, ai që vizaton kohën kur autori ishte inxhinier në Martanesh. Ato poezi janë si kronika emocionesh për një kohë që askush nuk na e ka dhënë deri tani me vargje. Është shumë e vështirë të sjellësh tani emocionet e punëtorëve të minierës, fatet e tyre, vdekjen e ndonjërit dhe, si kulminacion, braktisjen e burgut të Batrës. Ky cikël me poezi është një rrëfim emocional që i ngjan Zolasë, sepse ka brenda natyralizmin dhe varfërinë e një kohe që tani duket se ka hyrë në legjenda e për të cilën nuk flitet më.

Paradoksi dhe metafora përdoren edhe për të paraqitur vëllazërinë dhe mallin për dy miqtë e humbur: Arben Runën dhe Sokol Olldashin. Në këto dy poezi Mero Baze ka përdorur një teknikë të rrallë metonimie dhe ka arritur të japë ato dy portrete si të vizatuara nga autorët vetë. Arbenit i thotë se ia ka mbajtur amanetin dhe ia ka meremetuar shtëpinë dhe ty të duket sikur ai është aty dhe e sheh atë, dhe fillon të qeshë e të tallet me veten e me punën e bërë, siç e kishte zakon Beni i qeshur e me humor në buzë. Ndërsa poezia për Sokolin është një mozaik ngjyrash që merret me portretin e vizatuar nga miqtë e të tjerët të cilët rrëfyen për të edhe ato për të cilat Koli në gjallje tallej e bënte humor. Mirëpo humanizmi dhe malli për këta dy miq të ngushtë të poetit e kapërcejnë ironinë këtu dhe përmes saj fitojnë një përmasë më të madhe dashurie.

Janë pastaj poezitë e dashurisë dhe përzierja e kohëve, humbjet, metaforat e asaj që nuk dimë ta shpjegojmë, por që nuk është ajo që duket dhe, në fund, një poemë për baloin e tij, qenin e shtëpisë. Është një temë e lashtë kjo e lidhjes së njeriut me kafshën e dashur, qenin, kalin. Por te ky poemë i Mero Bazes brenda figurës së qenit që ka ikur nga kjo jetë përmblidhet historia e gjithë një kohe që ai e merr me vete. Me të ikën shtëpia e vjetër, ikën koha kur këpucët i rregullonte ai, ikën koha kur nëna, për të hamendësuar se si do ishte nusja e djalit, lexonte fshehurazi poezitë e të birit, ikën koha kur babai nuk do të rikthehet në shtëpinë e vjetër, megjithëse pushimin e madh e do atje; përfundon koha kur babai bën një orë rrugë në shi që të flasë në telefon me të birin e ta pyesë se si ka dalë me provime. Vdekja e baloit, e qenit të shtëpisë, merr me vete një mal me kujtime dhe lë një hon të thellë malli.

2 Komente

  1. R
    Rakipllari

    Pse ia fut pordhes o shoku Ilir Yzeiri... Mero Bazen edhe me mut ta llustrosh prape mut mbetet!

    Përgjigjjuni
    1. S
      Shkrimtari

      LOL, si erdhen keto kohe. Mjere kombi

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje