VIDEO/ Mijëra mënyra për qasjen te libri me poezi “Shi me baltë” i Mero Bazes

11 Nëntor 2024, 21:19Kulturë TEMA
VIDEO/ Mijëra mënyra për qasjen te libri me poezi “Shi me

Nga Ilirjan Zhupa

Të nderuar pjesëmarrës në këtë promovim të pazakontë libri,

Ka mijëra mënyra për t’iu qasur një libri me poezi, ashtu siç ka mijëra mënyra, me të cilat gjallesat që frymojnë, i qasen formave të ndryshme të çfaqjeve të botës së gjallë. Bletët dhe fluturat u afrohen ndryshe luleve, ripërtypësit i afrohen ndryshe gjetheve dhe barit, peshqit i afrohen ndryshe ujërave, luanët dhe shqiponjat i afrohen ndryshe preve të tyre; ne i afrohemi ndryshe të gjitha këtyre dhe veçanërisht një artefakti, një ikone, një dokumenti të vjetër a të ri, një pllake guri, papirusi a letre të shkruar, një njeriu të lindur a të vdekur. Në mënyrën e qasjes sonë, mund të jetë edhe bleta, edhe ripërtypësi, edhe luani, edhe shqiponja, por para së gjithash është qenia njerëzore e rafinuar, e cila përzgjedh për trupin, po më shumë përzgjedh për mendjen dhe shpirtin. Edhe libri me poezi “Shi me baltë” i Mero Bazes, të cilin kemi përzgjedhur dhe po promovojmë sot, është një “ushqim” shumë i mirë, për shijen, mendjen dhe shpirtin e atyre që dinë të lexojnë.   

Pak më sipër thashë se ky është një promovim i pazakontë, pasi 99 për qind prej jush, janë mësuar ta shohin Mero Bazen me pazmoret e gazetave “Studenti”, “Zëri i rinisë”, “ATSH/së”, “Rilindjes” së Kosovës, “Zërit të Amerikës”, “Europës së lirë”, “Temës”, etj. Autor të një sërë librash publicistikë. Një luftëtar të rradhëve të para të luftërave të kohëve demokratike, paisur me “armët” e publicistikës, opinionit, analizës, memuaristikës, etj. Tek ky libër me poezi, është Mero Baze që nuk e keni njohur, pasi rreth 40 vjet e keni parë vetëm nga jashtë dhe jo nga brenda. Keni parë vetëm guackën mbrojtëse të tij dhe tuajën, por jo thelbin. Mero Bazen e “pa armatosur”, atë realin, të ndjeshmin, tëprekshmin, të dhimbsurin, të trishtin, humanin. Atë që përshfaqet në librin “Shi me baltë”, i cili nga sot do të zerë vend të veçantë në duart, tryezat, bibliotekat, mendjet dhe zemrat tuaja. Mero Bazen jo në distancë, por në afërsi, jo të çuditshmin e të rrezikshmin, por të ngjashmin tuaj në shpirt, mendje, gjak, dhe zemër.

Në parathënien që shoqëron librin, e kam quajtur këtë botim një “Manual të Mero Bazes për dashurinë”. Pasi poezia, kjo shfaqje egzistenciale e shprehjes, është një hymn dashurie, midis lindjes dhe vdekjes, qenies dhe humbjes, jetës dhe asgjësimit. Një mënyrë adresimi drejt individit dhe grupit, këngës dhe gjuhës, familjes dhe atdheut. Atdheut që siç thotë poeti -poet , por edhe poeti - gazetar në poezinë testament me të njëjtin titull: 

“… s-është siç shkruajnë poetët,

Kur shkruajnë për të, mos i besoni!

Ta duash është heroizëm i vërtetë,

Ata duan një atdhe që s’është i joni….

……………………………………………….

Mos i besoni poetët që këndojnë Shqipërinë,

S’është më Atdheu që na ka bërë për të qarë.

Ngjajmë shumë me të dhe pse s’e dimë

E vramë ne atë, apo ai na ka vrarë…..”

Një qasje inverse, dilema hamletjane e çdo poeti dhe të dashuruari me dheun, gjuhën, këngën dhe njerëzit e vet.

Duke thënë që poezia është një adresim, sigurisht ajo i adresohet prindërve, shokëve dhe shoqeve, adoleshencës dhe rinisë, fshatit dhe qytetit, dashurisë dhe ndarjes. Është kjo aryeja, që në poezinë e këtij libri gjejmë nënën dhe zogjtë, mëhallën dhe babain, djemtë dhe shkollën e fshatit, portat dhe oxhaqet që u mungojnë shtëpitë, realitetin e zhvillimit dhe të rrënimit, që i ka ndodhur ngrehinës tonë, fshatit dhe qytetit tonë, krahinës, vendit dhe njerëzve tanë, pra neve vetë. Gjithë sa thashë më lartë dhe ta shijojmë sëbashku te poezia

JUG.

“ Është një copë tokë që s’dihet ku fillon,

Ca male të thatë që ujërat u kanë ikur.

Janë ca fusha që fati kurrë s’u ka dalë

Si vajza të plakura pas një dashurie të fikur.

Janë ca rrugë plot gurë e baltë shpeshherë,

Ca përrenj që rrjedhat i kanë mysafirë.

Ca lisa të rralluar që s’di kush i ka mbjellë

Dhe pjergulla që në rrënjë u kanë mbirë.

Janë ca njerëz të egër dhe kur heshtin,

Ca njerëz që qajnë dhe kur këndojnë.

Këmbë të pabindura që s’e mbajnë rreshtin,

Që s’pushojnë së foluri për tradhtarë e heronj.

Janë ca duar plakash plot rrudha si hone,

Ca rrobëzeza që fytyra u ndriçon.

Sy që shpojnë tej e tej male dëbore

Kur ajo që duan para tyre mungon.

Janë ca shtëpi kruspull nën gurë,

Ca porta druri, shiu si s’i kalbi vallë!

Ca sofatë, ca parmakë me drurë

Që frymën e të ikurve mbajnë gjallë.

Janë ca toka që s’e vlejnë një lek,

Për to vriten si për një vajzë të bukur.

Ca zogj që s’pajtohen me njerëzit asnjëherë

I këndojnë njëri-tjetrit si dashurisë së humbur.

S’ka koordinata. Askush s’di ku nis, s’di

Rrethohet me mal, me lumë a me rrugë?

Një vend që tregohet, por kurrë s’arrihet aty,

Quhet... Jug!”

E lexova të plotë këtë poezi, për të ndarë me ju bindjen time, se në laboratorin krijues të Mero Bazes, krahas poetit, gazetarit dhe publicistit është dhe një sy i mprehtë artistik, i cili di ta ndërtojë poezinë përmes sekuencave kinematografike. Pra, di ta bëjë të tërën, rrëfenjën, ngjarjen, përjetimin, mesazhin, të prekshëm, të përjetueshëm në thellësi dhe forma vetjake, që të gjithë ata që e lexojnë, ta shikojnë dhe ta ndjejnë, thellë, brenda vetes së tyre..

Për poetin, dashuria dhe tradhëtia, janë bimë që rriten bashkë, në të njetën tokë, në të njejtin trup në të njejtën zemër. Ato rriten me njera-tjetrën dhe vrasin njera-tjetrën.

“Të gjitha dashuritë i ruan tradhëtia,

Siç ruajnë mikrobet verën në plevicë,

Siç ruajnë parazitët gjakun nga mpiksja,

Siç ruan plehu lulet e dimrit në ngricë….”

E më tej

Të gjitha dashuritë vdesin prej saj,

Siç vdes një bletë pasi të thumbon.

Ndjejmë sesi duar të padukshme malli

Na shkulin zemrën që gjoksit pushon….”.

Një histori e tërë, një roman i tërë në fare pak vargje. Këtë është e aftë të bëjë poezia e mirë, këtë është i aftë të bëjë poeti, e pohon apo jo, gazetari dhe njeriu publik, Mero Baze!

Në libër ka shumë dhimbje, shumë trishtim, shumë frikë e zhgënjim. Nga bjerrja e viseve të dashura, nga shkatërrimi i natyrës dhe fshatrave, vjedhja e ujërave dhe pyjeve, braktisja e trojeve nga njerëzit, nga zërat e fëmijve, dashuritë dhe ëndrrat. Mes kësaj skene të përbaltur gjithandej,

“Fëmijtë syqeshur, të dlirë si drita

Bëhen pis, njëlloj si prindërit e tyre.”

Duhet të vijë një stinë tjetër, thotë poeti, një klimë tjetër, që shiu dhe balta, uji dhe dheu, të ribëhen bimë dhe pemë, kafshë, shpesë dhe njerëz, siç i bëri Zoti në ditën e parë. Njerëz që lindin, dashurojnë dhe vdesin, si prindërit e tij, bashkëfshatarët dhe shokët e tij qò s’janë më.. Si Trifon Xhagjika, Sokol Olldashi, Arben Runa, etj.

Unë që i kam lexuar poezitë e Meros qysh në ditët e para, mezi e kam pritur botimin e këtij libri. Ai ka vendin e tij të merituar në poezinë shqipe, përkrah poetëve të mëparshëm tepelenas si Agim Shehu, Lirim Deda e Halil Qendro. Përkrah brezit më të ri, që në viteve 80, në rang kombëtar krijoi “shkollën poetike të Tepelenës”  me Sadik Bejkon, Petrit Rukën, Qazim Shemajn e ndonjë tjetër.

Lini një Përgjigje