Dhe trumcaku vuante nga melankolia. U lind në një vend me të vërtetë të shkretë. Në vend të barit bijshin qimet e derrit e në vend të pemvet -brenat e një shtazës parahistorike. Dhe në kët natyrë – e cila nuk mund të quhet natyrë – kush mos të bahet melankolik?
Dihet se një trumcakut s’i duhet shumë për jetë, por natyra, e cila nuk ishte natyrë, s’i epte as aq. Mos pyetni si e tek u gjet trumcaku n’at vend, dhe si e tek u gjet njeriu në kët pikë kozmike – nuk dijmë shumë. Hipoteza dhe andrra. Miliona vjetësh dhe një fjalë goje, si për shembull: “… të bahet dritë! Dhe drita u ba!”
– A shifni? Një fjalë magjike! Hokus-pokus! Sa bukur!
Dhe unë thashë: të bindet trumcaku në një vend ku në vend të barit bijnë qimet e derrit, e në vend të pemve – brinat e një shtazës parahistorike.
Njëherë trumcaku qëndroi mbi një brenë. U mërzit të shikojë qimet e derrit, u mërzit të fluturojë prej brenës mbi brenë. Nga mërzia dhe idhnimi mbylli sytë. Ra në pikllim melankolik. Njeriu me temperament melankolik asht inteligjent. E inteligjenca në kuptim
ma të hapët të fjalës, pakkuj i solli qetsi dhe të mirë.
Mandej një cërrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimave të tija. Dhe, pa u dhanë krahëve, kërcej prej brenës… ra mbi një qime të derrit, të gjatë e të mprehtë si thika, dhe u ngul mbi të.
Trumcaku i ngulun mbi një qime të derrit. Me krahët dhe puplat e tij lonte era dhe e sjellte rreth qimes, si sillet dhe gjeli metalik në majë t’oxhaqeve tona. Atbotë frynte veri.
Çka janë këto kapërcime logjike! Ka me bërtitë ndokush.
Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tonë reale? Pse po zemërohesh dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike askuj damsjellje?/ ObserverKult

Shumë e bukur. Një metaforë e shkelqyer, a thua se Migjenin e kemi sot këtu me nesh, dhe po shkruan per ne, per vitin 2025. Keto janë shkrime pa kohë (timeless) sepse janë te verteta në çdo kohë. Perktheje kete shkrim në çdo gjuhe te botës, botoje pa emer autori, dhe lexuesi do kujtoje se është shkruar per vendin e tij. Migjeni, shkrimtari gjeni, mesuesi i devotshëm, qe shkonte ne punë ne shkollë me biçikletë.
Migjeni ka qene shkrimtari me i shquar dhe i talentuar qe ka lindur ne Shqiperi. Fatkeqsisht vdiq shume i ri. Kishte vetem nje te mete, qe te mbetej ne panteonin e letersise boterore. Ishte ateist.