Mbresa nga festivali i Këngës Qytetare të Prizrenit, shtator 2025
Nga Dilaver Baxhaku dhe Naim Këllezi
Qysh herët, vite e vite më parë, nga Prizreni i bukur kishte mbërritur deri në Tiranë “aroma” e Zambakut të Prizrenit. Ishte kënga aq e bukur e domethënëse e kompozuar nga Akil Koçi që sillte me vargjet dhe muzikën e saj mallin për një copë Shqipërie, aq të afërt e aq të largët, në ato kohë të zymta:
“O Zambaku i Prizrenit/O Zambak i bardhë/Ç’e lulëzon Prizrenin tim/ Aroma jote na e mbush zemrën gjithë gëzim”...
Fama e këngës 'Zambaku i Prizrenit' ka kaluar kufij gjeografikë e kohorë, ka kaluar ura brezash e gjeneratash. Për mbi 40 vite u këndua e bëri jehonë falë zërit të këngëtarëve të shquar, si Ismet Peja e Nexhmije Pagarusha, Liliana Qavolli, Tonin Tërshana e Frederik Ndoci, Aurela Gace, Ylllka Kuqi, Sonila Hasa etj.
Është ajo këngë, që, po e dëgjove një herë, të mbetet në zemër e në shpirt përgjithmonë.
Dhe mbase qe kjo këngë që i dha emrin njërës nga veprimtaritë artistike më popullore e më jetëgjatë, festivalit të këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”, i cili mbahet për plot katër dekada në qytetin e Prizrenit.
***
Një njërën nga netët e fundit të shtatorit, mjedisi përreth Urës së Gurit, e gjithandej qark e përqark sheshit të kalldrëmtë të Prizrenit, gëlon nga aroma e zambakut. Jemi të bindur se kjo aromë ka mbushur sonte edhe atmosferën e çdo shtëpie në qytet. Era zambak kudo nëpër Prizren. Edhe pse jemi në fund Shtatori dhe nuk është stina e tij e çeljes. Zambaku i oborreve e i kopshteve të Prizrenit çel në Maj. Por qartë: nuk është lulja petale bardhë dhe erëmirë, që mbush me aromë në këtë mbrëmje Prizrenin. Është festivali i këngës, festivali që ia ka marrë emrin kësaj luleje fisnike dhe mbush skenën dhe jetën kulturore të qytetit sot e dyzet vite. Pra është nata e shumëpritur e festivalit të këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”!
Këtë “aromë” e ndiejmë dhe e përjetojmë edhe ne, që kemi ardhur apostafat nga Tirana për ta “nuhatur” nga afër “Zambakun e Prizrenit”. E përjetojnë edhe mysafirë të tjerë nga Shqipëria, kryesisht nga Elbasani e Tirana, që janë më së shumti të lidhur me popullin e trevës së Prizrenit.
Në njërën nga baret e qendrës së qytetit, aty buzë Lumbardhit, mblidhemi shpejt me miqtë vendas. Është Prof Bedri Bytyçi, i cili ka ardhur këto ditë enkas për festivalin nga Danimarka, ku jeton prej vitesh dhe shërben si pedagog i matematikës. Pastaj vëllai i tij, Flamuri, edhe ai mësimdhënës i lëndës së matematikës, në Prizren. Aty përkrah, Prof Sedat Kuçi, me vëllanë e tij Dr Selimin, mjek dhe hulumtues shkencor. Prof Sedati është pedagog i letërsisë dhe i gjuhës shqipe në fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Por edhe muzikant e këngëtar. E gjithë familja e lidhur ngushtë me muzikën: ai vetë, po edhe djemtë merren me muzikë. Ndër ata, djali i madh, Visari, zotëron disa vegla muzikore dhe është violinist, Koncertmjeshtër në Filarmoninë e Kosovës. Sedati është njëri nga zërat me më shumë pjesëmarrje në festivalin “Zambaku i Prizrenit”. Sonte do të interpretojë një këngë të veçantë: teksti i saj mëton të sjellë në skenën e “Zambakut”, si dhe në kujtesën e bashkëqytetarëve, rrugën dhe emocionet artistike të njërit nga zërat e kahershëm e të përhershëm të tij, të Sedat Kuçit. Vetë titulli i këngës “Prizren, dashni e vjetër” të ngjall emocione për qytetin e shquar, i cilësuar si njëri nga më të bukurit qytet ku jetojnë shqiptarët. Dhe aty për aty “shijojmë” disa nga vargjet e tekstit:
(Nëpër kalldrëme ec ngadalë/Gjurmët e mia tuj kërkue/O Prizren dashni e vjetër/Në çdo qoshe kam lënë një fjalë)...
Këtë këngë, kompozitori shkodran Gazmend Kraja dhe poeti Artan Bakiri e kanë menduar, siç e thamë më lart, si një rikujtim të rrugës artistike të Sedatit, prandaj ai sonte ndihet më i emocionuar se kurrë.
Për krijimin e “Zambakut të Prizrenit” na tregon më vonë zoti Kadri Skeja, i cili, së bashku me mikun e tij, Reshat Randobrava, janë dy nga ideatorët dhe themeluesit e kësaj veprimtarie të bukur artistike e kulturore. Kadriu, si drejtues i këtij festivali për gati njëzet vite ka dhënë të gjithë pasionin, por edhe mbështetje ekonomike për mbajtjen gjallë të “Zambakut”. Sot, ndonëse i veçuar me biznesin e tij, vazhdon të japë ende ndihmesë, që “Zambaku” të lulëzojë gjithmonë. Ka një jetë që jeton me emocionet që të ngjall një krijesë e tillë artistike.
- Në qytetin tonë kënga e vallja kanë gëluar gjithmonë. Asokohe, dekada më parë, bëheshin shumë veprimtari me këngë folklorike, popullore, të muzikës së lehtë etj. Vinim re se një format i këngës qytetare mungonte. Pse të mos e krijojmë, thamë ne disa dashamirës të saj. Po, po ta krijojmë! Më së pari i gjetëm një emër, një emër që na u duk sa i bukur, aq edhe domethënës: “Zambaku i Prizrenit” e quajtëm. Emër i bukur dhe poetik. Po edhe domethënës, sepse Zambaku është lulja simbol e qytetit tonë. Ishte viti 1986 kur e bëmë të parën shfaqje. Pati shumë sukses. Gjindja e pëlqeu dhe kjo na dha krahë për ta vijuar e çuar përpara “Zambakun” tonë. Këtë nismë e pritën mirë dhe e mbështetën edhe institucionet kulturore të Komunës së Prizrenit si dhe të Kosovës. E mbështesin edhe sot e kësaj dite. Televizioni i Prishtinës e filmon dhe e jep për shkuesit e mbarë vendit. Edhe sonte e ke aty.
- Vitin e ardhshëm bëhen plot 40 vite që “Zambaku” hijeshon jetën kulturore të qytetit tonë – shton Kadriu me gëzim e krenari. - Në këto vite ka dhënë shumë pasuri artistike dhe ka shpërfaqur shumë këngëtarë, të cilët pastaj e kanë vijuar më tej rrugën e tyre artistike. Por gjithsesi pa e harruar djepin ku u “lindën”.
- Pra, vitin e ardhshëm bëhen dyzet vite të “Zambakut të Prizreni”?
- Po, syzet vite. Do të jetë një kujtesë e të gjithë pasurisë artistike që ky festival ka shënuar në jetën e qytetit.
- Do të ishte bukur që në këtë përvjetor “Zambaku” të vinte edhe në Tiranë e të shprishte aromën e tij në sheshin “Skënderbeu”.
- Do të ishte vërtetë bukur! – thonë gati me një frymë Kadriu dhe miqtë e tjerë.
Koha kalon këndshëm në shoqërinë e miqve prizrenas, por duhet të ngrihemi e të shkojmë drejt qendrës kulturore të qytetit, në teatrin “Xhemajli Berisha”, ku pas pak do të mbahet festivali. Sa më shumë afrohemi, më të mbushura bëhen rrugicat drejt saj: janë të shumtë të ftuarit vendas e miq të ardhur nga anë të tjera që do të kalojnë dy orë nën tingujt e këngëve dhe në “aromën” dehëse të “Zambakut të Prizrenit”. Dashuria e kahershme e prizrenasve për këtë lule dhe për këtë festival!
Vajzat e hijshme bashkëpunëtore në hollin e Teatrit na ndihmojnë me shumë mirësjellje të rehatohemi në ndenjëset e sallës.
Një skenë e thjeshtë, pa shumë “efekte artistike”, siç janë ato të sotmen me lojën marramendëse të dritave shumëngjyrëshe. Dhe në qendër imazhi i Zambakut. Ai mbush këtë mjedis skenik dhe prek ndjenjat artistike të ndjekësve. Dhe, kur ora e shënuar vjen, “Zambaku” nis e hap fletët me pesëmbëdhjetë këngët konkurruese. Këngëtaret dhe këngëtarët, që nga më të hershmit deri te më të rinjtë, sjellin me zërin e tyre motive të ndryshme të këngës qytetare prizrenase dhe të krahinave të tjera. Organizuesit kanë ndjekur traditën e bukur të bashkëpunimit edhe me profesionistë të muzikës nga Shqipëria, në festival i kanë dhënë vend edhe një këngëtareje nga Tirana, Arsi Bako, e cila interpretoi “Në zemrën time” të Gjergj Kaçinarit. Kanë ftuar edhe këngëtarin e njohur B. Alibali, i cili është “i shtëpisë” në këtë veprimtari. Ndërsa muzikantë të njohur, si Alfred Kaçinari, Shpëtim Saraçi dhe Blerim Narazani bashkëpunojnë në drejtimin e orkestrës, në aranzhimin e muzikës dhe në jurinë e festivalit. Prizrenasit janë artdashës me shpirt, kështu gjithë duartrokitje i pritën interpretimet.
Kaluam edhe ne, miqtë nga Shqipëria, së bashku me Prizrenasit, një natë të këndshme e të paharruar muzikore.
Disa nga krijimet u nderuan me çmime të ndryshme. Juria e festivalit i bëri vlerësimet duke u mbështetur edhe në dëshirat e shikuesve, të cilët i hidhnin fletët e votimit në kutitë përkatëse të këngës që pëlqenin më shumë. Njëra nga risitë e festivalit ishte edhe grupi simpatik “Rilindja”, i pritur me shumë duartrokitje nga shikuesit, që u nderua me Çmimin e Parë.
***
Të nesërmen, teksa marrim kafenë në njërin nga restorantet pranë Urës mitike të Gurit, gjendemi sërish si në një kopsht me zambakë. Jo vetëm në mjedisin tonë, por edhe andej-këndej flasin për festivalin e mbrëmshëm. Kësisoj “Zambaku i Prizrenit” mbushi me “aromën” e tij këtë qytet të gurtë pranë rrjedhës së Lumbardhit.
Dhe, ndërsa ndahemi me miqtë tanë, përveç urimeve të përzemërta për lulen e tyre artistike, “Zambakun e Prizrenit”, nuk harrojmë t’ia kujtojmë Kadriut dëshirën tonë:
- Vitin e ardhshëm, urojmë të shihemi në Tiranë!
- Me shumë dëshirë! – uron edhe ai.
Dhe e shohim vërtetë të udhës që ky festival kaq i bukur të bëhet i njohur nga afër edhe për publikun e Tiranës, apo edhe për qytete të tjera të Shqipërisë.
Lini një Përgjigje