VIDEO/ "Brezi i Ankthit": Si rrjetet sociale vodhën fëmijërinë

19 Tetor 2025, 17:00Kulturë TEMA
VIDEO/ "Brezi i Ankthit": Si rrjetet sociale vodhën

Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, e ftuar është botuesja Loreta Berhami për të diskutuar në lidhje me “Brezin e Ankthit,” studimin e psikologut social Jonathan Haidt, në lidhje me mënyrën se si smartfonët dhe rrjetet sociale kanë riformësuar fëmijërinë e gjeneratës ‘Z’, duke ndikuar jo vetëm në aftësinë e tyre për t’u përqendruar, por edhe shëndetin mendor.

Berhami reflekton në lidhje me mënyrën se sa përputhen përfundimet e Haidt me kontekstin shqiptar, ku shpesh frika ndaj rrezikut fizik, i shtyn shumë prindër t’i mbajnë fëmijët të mbyllur, çka padashur i hap derën një tjetër lloj rreziku, ndoshta edhe më të madh. Muret e shtëpisë premtojnë siguri, por njëkohësisht bëjnë që fëmijët të ekspozohen ndaj një botë digjitale që nuk është krijuar për të mirën e tyre dhe që shpesh, sillet si grabitqare ndaj tyre.

Përtej prindërimit, biseda ndalet tek një tjetër paralajmërim që Haidt ngre në lidhje me ndikimin e shpërqendrimit tek jeta publike dhe vetë democracia. Ai thekson se brezat të cilët rriten të shpërqendruar, janë të prirur të jenë më indiferentë politikisht. Tek ne, diçka e tillë është jo vetëm duke ndodhur, por edhe më e dukshme se në shumë shoqëri të tjera. Berhami shprehet se kjo vjen edhe si rezultat i faktit se kultura jonë politike është ende shumë e re dhe për këtë arsye, “droga” digjitale e shpërqendrimit të vazhdueshëm, arrin më lehtësisht dhe më shpejt që të dobësojë vetëdijen dhe ndjesinë e përkatësisë.