
Në epokën digjitale ka një nevojë të madhe për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta, realen nga rrena. Njerëzimi, në katër mijë e ca vjet histori është ushqyer me shumë gënjeshtra, i janë thënë shumë fallcitete dhe, po t’i besojmë filozofit gjerman Friedrich Nietzsche, edhe e vërteta e gënjeshtra vetë janë shpikje të krishtërimit.
Megjithatë, pas katastrofës së luftë botërore të dytë propaganda mori përmasa të tjera në qeverisjen e popujve. Mjaft të kujtojmë Gëbelsin si arketip të të gjithë diabolikëve të njerëzimit, por edhe regjimet e tjera totalitare si Rusia nuk mbeten prapa, për të kulmuar me propagandën e Hollivudit sot me filma me superheronj dhe antiheronj, që për hir të spektaklit, janë njerëzorë, janë everyman.
Në këtë lëmi na ndihmon shumë një libër i shekullit të kaluar. Bëhet fjalë për “Mitologjitë” e Roland Barthes i cili ka ardhur në shqip nga Pika Pa Sipërfaqe në përkthimin e Persida Asllanit dhe redaktimin e Orgest Azizit, një dyshe intelektualësh shqiptarë edukuar në shkollën e teorisë kritike franceze.
Libri vetë i Bartit është një libër argëtues dhe në shumë raste me humor të kthjellët, ai, ashtu si Umberto Eco më vonë, merr raste nga përditshmëria për të ekspozuar, për të nxjerrë në ditë pasaktësi.
Por çfarë është një mitologji sipas Bartit? Kujtojmë pikësëpari teorinë strukturaliste të Sosyrit që na thotë se gjuha lind nga një proces shenjëzimi, pra kemi një koncept që shenjohet (i shenjëzuari) dhe një shenjues (fjala përkatëse). Tani, me Bartin, mitologjia lind kur ky process korruptohet dhe shenjuesi shenjon një të tretë, jo korrelatorin e vet.
Interesante është të thuhet se nga i njëjti gabim në procesin e shenjëzimit ka gjasë të lindin dhe figurat letrare, si metafora apo simboli, por ndryshe nga mitet, këto “gabime” janë të qëllimshme.
Tani i mbetet lexuesit të “Mitologjive” të dallojë mashtrimin në përditshmëri dhe të dallojë propagandën nga fakti politik, gjë që mund t’i japë një dorë të bëhet një qytetar më i mirë, dhe ndoshta më aktiv. Gjithmonë pasi të ketë lexuar librin dhe ta ketë bërë atë pjesë të bibliotekës së vet. “Mitologjitë” vërtetë duhet t’i përkasë bibliotekës së gjithsecilit.
Lini një Përgjigje