Nata finale e TIFF, ndahen çmimet për filmat dhe kineastët më të vlerësuar

28 Shtator 2025, 15:00Kulturë TEMA
Nata finale e TIFF, ndahen çmimet për filmat dhe kineastët

 Miq të kinemasë, artistë e kineastë, u mblodhën sonte në kinema “Millennium”, ku u ndanë çmimet e edicionit të 23-të të Tirana International Film Festival, një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në vend.

Pas ditësh të mbushura me emocione, prej historive të jashtëzakonshme që përcollën rreth 250 projeksione filmash, organizatorët sonte shpallën fituesit.

Regjisori më i mirë i TIFF 2025 u shpall Ibër Deari nga Maqedonia e Veriut, për filmin “Everybody Calls Redjo”.

Për skenarin më të mirë u nderua filmi “Meat” i Dimitris Nakos, produksion grek prej 104 minutash. Skenari i filmit përcjell një bote realiste dhe bindëse, me rrethana të trazuara njerëzore dhe shoqërore që përshkohen nga një tension dramatik i pranishëm gjatë gjithë filmit. Personazhi i shqiptarit Kristo është i mirëmenduar dhe i mbrujtur me ndjeshmëri. Përmes tij skenari shtron pyetje rreth ndasive shoqërore në shoqërinë ku jetojmë.

Një nga veçantitë e TIFF-it është fakti që ky festival ka të drejtën të përzgjedhë një film të metrazhit të shkurtër i cili mund të garojë për Oscar. Dhe përzgjedhja e këtij edicioni të TIFF ishte filmi “Wonderwall” nga Roisin Burns, i cili u shpall Best Short Film 2025.

Best Live Action Short Film e fitoi “Blue Heart” nga Samuel Suffren nga Haiti. “Blue Heart” i kredh shikuesit brenda një rrugëtimi thellësisht emocional i rrëfyer nga një këndvështrim tejet i vendosur.

Best Animation Short Film u shpall “God is Shy” nga francezi Jocelyn Charles. Filmi tregon një histori origjinale dhe të pazakontë, përmes një narrative të re dhe tërheqëse.

Çmimi i Jurisë shkoi për “Always” nga Deming Chen (SHBA). Juria vlerësoi ndjeshmërinë e thellë dhe delikate me të cilën ky film sjell në botën e brendshme të një fëmije nga një familje bujqish të varfër në Kinë. Gjashtë vjet në realizim, filmi balancon brishtësinë dhe forcën, duke kapur momente kalimtare humbjeje, qëndrueshmërie dhe imagjinate me një sinqeritet të rrallë.

Çmimi “Dokumentari më i mirë”, iu dha një produksioni nga Palestina, Katari, Arabia Saudite dhe Suedia, me titull “Yalla Parkour”, nga Areeb Zuaiter.

Filmi më i Mirë i Shkurtër Shqip u shpall “Summer Emperors” nga Renato Balla, me motivacionin: “Për lojën mes gjuhëve të kinemasë dhe videove muzikore, duke eksploruar arkitekturën dhe peizazhet shqiptare ndërsa na argëton”.

Ndërsa Çmimi Zgjedhja e Audiencës shkoi për filmin shqiptar “The Champ” nga Ermir Keta, shkruan atsh.

Edhe në këtë edicion të 23-të të TIFF-it, Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte partneri zyrtar i festivalit.

Lini një Përgjigje