Nestori i James Joyce

13 Tetor 2024, 19:51Kulturë TEMA

Nga Kastriot Kotoni

Nestori i James Joyce

“ULIKSI”, një libër që do ia vlente të lexohej dhe të kuptoje më shumë nga arti i të shkruarit të
shkrimtarit irlandez James Joyce i botuar andej nga vitet 1922 të shekullit të kaluar. Nestori përkon me Episodin 2 të “Uliksit” i ardhur me mjeshtëri nga përkthyesi i mirnjohur Idlir Azizaj në dy gjuhë(anglisht-shqip), është një sprovë e re në botën e madhe të librit shqip.

Përkthyesi Azizaj e fillon me një parathënie tepër ontologjike ( njohjes kuptimore në të gjith historinë e këtij romani). Siç shkruan ai : ky roman është vlerësuar si Opusi letrar më i rëndësishëm e më kompleks i shekullit XX, ai u ndërtua mbi një ngjarje banale: Odiseja urbane një ditore e Blumit, hebre irlandez, përkrah gruas së tij Molli, lexuese e ethëshme e romaneve shtëpiake me autor Paul de Kock.

Azizajt i është dashur 7 vjet punë për ta përkthyer këtë vepër të Joyce. Për mua thekson përkthyesi ka qenë ngushëlluese përcaktimi i vetë Joyce-it, sipas të cilit “S’ka gjë që nuk përkthehet”. Një punë tejet kërkuese e ka përshkruar historinë e këtij përkthimi, përkthyesit i është dashur të hedh sytë duke rilexuar letërsinë shqipe e shekullit të shkuar duke e konsultuar me përkthimet mjeshtërore të Gjon Shllakut (Odiseja e Homerit), “Shtëpia e Kukullës të H. Ibsenit dhe “Rosa e egër”, përkthimet e Shekspirit nga F.Noli, “Fausti” i Gëtes përkthyer nga S.Luarasi, “Meshari” i Gjon Buzukut, “Epika Historike” dhe “Epika Legjendare”, “Përrallat e fuçisë”
(përkthyer nga Sh.Mema, B.Doko), Oliver Tuist-C.Dikens (përkthyer nga S.Luarasi).

Për konsulencë janë përdorur dhe përkthimi në italisht i Ulisse, përkthimin frengjisht Ulysse dhe dhjetra autorë të tjerë. Azizaj në këtë udhëtim letrar për të na prurë një përkthim serioz e përpiu Joyce-in e ndau me lexuesin të gjithë eskursionin e tij mental në Masterin në filozofi me temë <<Uliksi, gramafoni që këndon heshtjen>>, në Universitetin e Parisit VIII në Francë. Më tej akoma siç thotë vetë përkthyesi : gjithë këto historira kot më kot, kur vetë jeta del e tepron” ai mori rrugën drejt Irlandës dhe i preku gjithçka kish shkruajtur Joyce për Dublinin dhe pabet e tij.

Amerika një tjetër stacion ndalese ishte për përkthyesin e Uliksit një eksperiencë e duhur dhe përmbushi atë akt sublim siç e quan ai këtë përkthim. Ja si shprehej James Joyce me frazën egoiste ndaj oponentëve dhe skeptikëve: - “Nëse Uliksi nuk vlen të lexohet, jeta s’vlen të jetohet!”. Si të ishte në fund të jetës përkthyesi Idlir Azizaj gjen një shprehje të bukur marrë nga
fundi i filmit të Raul Walsh: “Kalimi përmes jetës me ty ishte vërtet një akt sublim! Ndihet tek ky
përkthyes i talentuar tejet i përmbushur dhe ka fiksuar çastin më të epërm të emocioneve të cilat e kanë bërë sensibël sipas filozofisë e kanë transformuar.

Një sagë më vete ishte ankthi i botimit. “Unë nuk do ta jap kurrë të drejtën për botime të veprës së gjyshit tim në territorin shqiptar! Këtë përgjigje të nipit të Joyce-it, Stephen Joyce, trashëgimtar i James Joyce Estate, lexova i rrënuar në Montparnas, ku shpresoja ta kontaktoja mbajtësin e së drejtës, shkruan Azizaj.

Nipi Joyce ishte në dijeni të një botimi pirat me kopertinën e botimit rus në Shqipëri me titullin “Portreti i artistit.” Asnjë arsyetim apo orvatje me të nuk ishte e mundur. Më vonë më treguan për karakterin nopran dhe tekanjoz të nipit të autorit mitik. “Ka kërkuar një honorar marramendës vetëm për një fragment nga Joyce në antalogjinë e poezisë moderne irlandeze, sa na u desh ta linim vendin e Joyce bosh, për protestë” më sqaronte Noreen Rice, duke darkuar në Tyrone Guthirrie Centre, në periferi të Dublinit, vijon përkthyesi.

Endjet e Azizajt nëpër Tiranë në kërkim të zgjidhjes së botimit nuk e lodhën, më në fund takon shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare tek restorant Piazza. Kish mësuar se Kadare kishte lidhje direkte me nipin e Joyce-it, pasi qenë takuar në një ekspozitë në Paris. “Në radhë të parë ju duhet të më jepnin disa pjesë të përkthimit t’i lexoj, të di ç’keni bërë”, i thotë I.Kadare. “Veçanërisht atë kapitullin, ku ai e sheh qytetin nga sipër, janë marrë shumë kritikët me të…” Nuk mund të penalizohet një komb dhe një gjuhë për shkak të një një botuesi të papërgjegjshëm! Botimi i kryeveprës së “babazotit” tuaj ka shumë rëndësi për letërsinë dhe gjuhën shqipe i shkrojti Kadare nipit të Joyce-it.

Në parathënien e “Nestorit” përkthyesi e ndihmon lexuesin e ri me orientime ideore dhe filozofike të veprës ku shkruan se: Kjo vepër ecën mbi dy shina të thjeshta, por të shtruara mirë: së pari, te bindja se historia e botës, e njerëzimit është në fakt historia e vetë fjalës, e vetë gjuhës që e bart dhe transmeton; e së dyti, romani për herë të parë bazohej tërësisht mbi një mekanizëm të thjeshtë, të pranishëm te ne të gjithë: monologu i brendshëm. Për herë të parë letërsia bënte kubizëm: narracioni, aspak linear, ndërtohej me copëza, me ndjesi, me kujtime të befta, me kujtesë atypëratyshme.

“Joyce nuk ka shkruar mbi diçka, por ka shkruar vetë diçkanë”. Ky përcaktim i Beckett-it, tregonnte se Joyce kishte ndryshuar rrënjësisht mënyrën e të shkruarit. Gjuhët e lëkurës , gjuhët e zorrëve, gjuhën e zemrës si dhe gjuhën e luleve, gjuhë e komunikimit pa fjalë, që personazhi Blum e përmend në këtë libër tregon se me lojën komuminikative gjuha e shkruar hesht.

Me Joyce ka ndryshuar rrënjësisht natyra e shkrimit. Kjo vepër e ndërlikuar e shekullit të XX nuk
filozofon mbi jetën, por duke u sjellur me një hapje ndaj çdo paragjykimi e shpejton sinergjinë jetësore siç shprehen kritikët : aty ku burrat vinin pas betejave dhe jetonin në paqe Odiseja e Joyce-it ishte njeriu i cili kakoi shumë gjykimeve me mençuri dhe kurajë njerëzore ishte figura më tipike që përfaqësonte natyrën njerëzore. Joyce e zvogëloi hartën psiko-territoriale të Odiseut brenda kufijve urbanë të Dublinit; dhe në një ditë të vetme: e enjte, 16 qershor 1904. Uliksi i Joyce-it synon tashmë mitologjinë moderne, jetën e njeriut në krye të shekullit të njëzetë.

Jeta familjare dhe qytetare modern strukturohet nga mijëra detaje të vogla, në dukje të parëndësishme, banale, jo madhështore, aspak heroike; por që të gjitha bashkë ndërtojnë çuditërisht një jetë, një ecuri. Përkrah jetës së çiftit të Leopold Blum-Molli, shfaqet një trajektore e djaloshit Stiven Dedalus, poet i shkolluar e me shpirt të pastër e rebel pa qullosur një resht poetik. Molli kjo kurorshkelëse një Penelop ndryshe nga modeli klasik. Blumi merr e jep kujtimet e jetës, rikujton dhe shpërbën përvojat e jetës.

Stiven Dedalusi e tejkalon konceptet letrare të kohës, cek nocione të reja mbi atësinë…del jashtë sistemit letrar shekspirjan. Ka kaluar në fazat normale të modernitetit sipas kritikut Italian Luigji Enrico Rossi i cili ka sintetizuar periudhën helinistike përmes formulës “ligje të shkruara, por jo të respektuara.” Transhendenca e femërore qëndron në tërheqjen tjetërkund, lëvizje kjo kundër me lëvizjen e ndërgjegjes. Nga kjo nuk del qartë nëse është inkoshiente apo subkoshiente dhe ndaj ngelet mister mendja e një gruaje.

Lirija individuale shtron në njërin krah mungesën e komunikimit ose dështimin e saj, por dhe del në pah në krahun tjetër pronësia e lirisë. Çfarë ndryshon eros-i nga pronësi dhe pushteti, mund të pranojmë një komunikim në eros. Kjo nuk është as luftë, as bashkëshkrirje dhe as njohje. Është marrëdhënie me misterin d.m.th. me të ardhmen, me atë që në “botën ku është, aty ajo kurrë nuk është.” Ndryshimet ontologjike ndërmjet mashkullores dhe femërores do të mbesin arkaike?

Lini një Përgjigje