Ikja e Rexhep Qoses më bëri t’i rikthehem debatit mes tij dhe Ismail Kadaresë, të para 20 vjetëve – një shkëmbim mendimesh rreth identitetit shqiptar, rreth temash që tashmë janë thjeshtuar, shtrembëruar e përçudnuar në rrjetet sociale (përrallëzuar), duke u ngarkuar e rënduar dita-ditës me etnocentrizëm dhe urrejtje primitive për Tjetrin në histori, në gjeografi dhe në fé.
Më kish qëlluar ndërkohë të nxirrja nga një gazetë online një koment anonim, pa lidhje me debatin më lart, por që m’u duk me interes për një ese që po shkruaja; dhe befas vura re fillin që e lidh debatin e dikurshëm me mllefin e tanishëm në shumë forume dhe hapësira komentesh në mediat dhe në rrjetet sociale. Pikëpamje dhe qëndrime që deri dje ishin pronë dhe flamur i ideologëve, tani ushqejnë folklorin përçarës të identiteteve të riprodhuara prej bashkatdhetarëve të mi kudo në Internet.

Komentuesi anonim më lart, që zgjedh të shkruajë me emrin polemik “sllavo-komunistët turko-mongolë” (edhe ky një mini-manifest në vetvete), duket sikur merret me çështjen e shqipes standard – në kontekstin e një diskutimi më të gjerë, për gegnishten e folur në Kuvend nga një deputete – por përfiton nga rasti për të përsëritur një koncentrat qëndrimesh tashmë klishé për kontestuesit e statu quo-së kulturore në përgjithësi.
Veç “Androkli Kostallarit”, që e paska mbledhur standardin në “disa fshatna në Toskni” dhe pastaj ka detyruar “me grykë të pushkës më 1972” gati 80% të popullsisë gege “t’foli dhunshëm”, përmenden edhe “Gegnishtja Homerike”, një tjetër idhull prej kashte, “që ka gati 3000 vjet si folet n’troje tona”; siç përmenden edhe “sllavo-komunistët” e Mugoshës e të Popoviçit që “zbatuen me zell porositë e a(n)miqve shekullorë; por edhe “ripjellja patronazhiste” – një shibboleth, që e pozicionon komentuesin si në opozitë me qeverinë dhe shumicën e sotme parlamentare; dhe pastaj sërish Gegnishtja (me G të madhe) si “nana e gjuh’sisë Europiane” se “vetë Iliada asht ashtu”, dhe shumë shpejt “do t’ringjallet si vetë Feniksi se ka genin t’atillë.”
Këtu vjen e përvijohet një narrativë, me toskërishten që u imponohet kulturorisht gegëve me kërcënim armësh, duke zbatuar kështu dëshirat e armiqve të shqiptarit, edhe pse gegnishtja “homerike” është e vjetër “sa Iliada” dhe “flitet në këto troje që prej 3000 vjetësh”. Osmanët nuk përmenden gjëkundi, përveçse tërthorazi në nick-un e komentuesit vetë – “Sllavo Komunistët Turko Mongolë”, duke lënë të kuptohet se shumë të këqia këtij populli i kanë ardhur nga Lindja, nga shkombëtarizimi i supozuar osman te komunizmi (i trashëguar sot nga klasa në pushtet).
Këtu nuk ka gjë tejet të re a të padëgjuar; thjesht rimerren teza, legjenda, akuza dhe mite që përcillen, riprodhohen e pasurohen prej vitesh në rrjet dhe që është vështirë të thuash sa të përhapura janë realisht – sa kohë që zhurmën mund ta bëjë edhe vetëm një pakicë e cila e përhap ideologjinë dhe “besimin” e saj me zell prej misionari. Nuk është, megjithatë, e vështirë të pikasësh një orientim vlerash sipas akseve Veri-Jug (gegnisht-toskërisht) dhe Perëndim-Lindje, të cilat pasqyrojnë vektorialisht njëri-tjetrin.
Shllime të tilla për ndikimin fatal të akseve gjeografike në identitetin kulturor të shqiptarit kanë qarkulluar që kur ky identitet zuri vend qendror në programin e Rilindjes Kombëtare; bashkë me ide dhe bindje të tjera për lashtësinë, rrënjët dhe autoktoninë. Nëse po shkruaj për to tani, në kontekstin më të gjerë të jehonës largvajtëse të debatit Kadare-Qosja, e bëj sepse mendoj që, nga ideologët kombëtarë, Ismail Kadareja ka luajtur rol vendimtar në normalizimin e grand narrativës sonë kombëtariste bashkëkohore, nga vitet 1970 e deri sot; më parë me letërsinë e tij, dhe pastaj me esetë, ku hyn edhe debati me Qosen.
Që te një poemë e tij e viteve 1970, “Shqipëria dhe tri Romat”, Kadareja pat shkruar:
Shqipëri ç’po bën,
Shqipëri s’di ç’bën
Gjaku, truri yt
Ç’po të venë dëm.
Grekëve u dhe
Fjalë perëndish,
Dritë ndan përreth,
Për vete mban pishë.
Dhe as në këto fjalë ashtu edhe në të tjera pasazhe të poemës nuk ka gjë tmerrësisht të guximshme ose të padëgjuar, frymën e tyre e ndesh njeriu që në fillimet e Rilindjes, te De Rada dhe arbëreshët, dhe më pas, te Noli dhe të tjerë; e reja është që kjo lloj narrative e ekzaltuar po rimerret nga një shkrimtar bashkëkohor me autoritetin e Kadaresë, i cili edhe ia certifikon modernitetin.
Dhe njëlloj, nuk mund ta qortosh një poet, pse përdor imagjinatën; por kur derdhet në ideologji, imagjinata mund të bëjë dëme afatgjata. Këmbëngulja e Kadaresë në identitetin europian të shqiptarëve mbeti deri në fund e frymëzuar nga një lexim sa romantik aq edhe subjektiv i historisë, në kufi të anakronizmit; jo sepse identiteti i shqiptarëve nuk është europian, por sepse identiteti i shqiptarëve – siç e tregoi në thelb edhe debati mes dy të mëdhenjve nga kombëtaristët – më shumë se realitet, mbetet në masë të madhe një projekt për t’u zbatuar.
Ai identitet, që e këqyr kombin shqiptar modern si të themeluar mbi gjuhën (dhe më gjerë, mbi folklorin dhe narrativat e mbivendosura të prejardhjes dhe të gjakut) nuk mjafton; sepse një komb ngjizet e konsolidohet edhe nga dëshira për të bashkëjetuar në diferencat që bart në gji dhe e pjesëve të veta për të komunikuar mes tyre, edhe nga institucionet e përbashkëta përfshi shkollën dhe shoqërinë civile, edhe aktiviteti ekonomik i përbashkët e kështu me radhë, pa lënë mënjanë edhe elefantin në dhomë: traditën dhe përkatësinë fetare.
Më shumë se triumf i mendimit intelektual kombëtar në epokën e riorganizimit të shqiptarëve në Ballkan, debati Kadare-Qosja rezultoi të kish qenë një kambanë alarmi që për fat të keq nuk u dëgjua ashtu; paçka se shumë nga prirjet dhe qëndrimet centrifugale, shpesh të ekzaltuara, ndonjëherë radikale, që kanë mbytur sot forumet dhe hapësirat e komenteve në mediat dhe në rrjetet sociale vazhdojnë të marrin e të rimarrin, në mënyrë të vrazhdë dhe të përçudnuar, temat e atij debati. Por ne, me mendjelehtësinë karakteristike, nxituam ta trajtojmë dhe ta gjykojmë si të ishte ndeshje boksi.
Shoqëria shqiptare mbetet e përçarë, me plasaritje identitare ende të thella, të cilat shndërrohen pastaj në pengesa madhore të komunikimit publik; shumë prej këtyre ushqehen nga lexime të sëmura të së kaluarës, sonës por jo vetëm. Komente si ai që solla më lart dëshmojnë edhe që arsimi kombëtar ka dështuar në misionin për t’u dhënë brezave të rinj një formim të nivelit “europian” (meqë jemi në temë), edhe historik edhe kulturor edhe identitar. Shumë njerëz joshen tani nga elaborime e narrativa të ndërkryera, ku kombinohet çuditshëm megalomania me viktimizmin, dhe që gjenden lirisht online (mjaft të kërkosh në YouTube për t’u llahtarisur); kjo lloj stërvitjeje ideologjike sa i mbledh grupet së bashku, aq edhe i fut në armiqësi mes tyre. Dhe këtu nuk është vetëm arsimi që ka dështuar, por vetë programi identitar, i uruar si nga Kadareja aq edhe nga Qosja.
(vijon)
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.