Para ca kohësh Krenar Zejno, poet dhe njëkohësisht galerist dhe botues nxorri në treg të freskët nga furra librin e tij "Ungjij të vegjël plagësh".
Ka gjithmonë diçka të veçantë në poezinë e Krenarit, duket sikur ai nuk përshkruan realitetin por e dëgjon atë.
Dhe ky shqiptari është një realitet banal e mizerabël, edhe kur është i pasur dhe me makinë të shtrenjtë, edhe kur shkon në diskotekë, edhe kur shkon në miting apo në forum rinor, prapë është është i mjerë.
Realiteti shqiptar është i mjerë dhe filistin, armik i kulturës dhe bukurisë dhe dashamirës i dhunës dhe spastrimeve etnike.
Serb për myslimanët është njeriu dhe gabel për ortodoksët, shqiptari i shkretë, nga jeta e shpejtë nuk ka kohë për librin, vetëm për transfuzionet gjaku dhe transgendera politikë, për bythëpërpjetët e xhamisë dhe për festivale filmi-si-masturbime-kolektive.
Poezia e vërtetë është muzika kallpe e radiove të klubeve dhe makina e plehrave të bashkisë. Poezia e vërtetë është turisti kinez.
Shkruante dikur Ismail Kadare te "Koncerti". Kinezë nuk ka pasur. Edhe për Shqipërinë ndonjëherë do të shkruhet, ekspozita mediokrisht nuk ka pasur. Foto bardhezi pa pikë vlerë nuk ka pasur.
Por sa të vijnë ato epokë të arta le të përpiqemi të analizojmë dhe të himnizojmë ato pak poetë që kemi se mbase ndonjëri nga lexuesit e merr librin në librari ose e porosit online, dhe mbase njëri edhe e lexon.
Krenarin duket sikur e kanë nxjerrë nga lëmia dhe terreni i poezisë shqiptare me karton të kuq sepse një fllad i ri fryn në fjalët e tij.
Poezi e tij nuk mbarset me patetizëm dhe fjalë kallpe. Poezia e tij është imanente por një poezi imanente që nuk pretendon transhendencë, është një poezi e ontikes, është një poezi që nuk i ngjan poezisë, është një poezi e prozës.
Do të na vinte keq vërtetë ta shihnim këtë poezi në raftet e poezisë shqiptare, por nuk kemi çti bëjmë.
"Heq dorë. Fale dreqin, i fola vetes e pa ia bërë dysh i them"
Ja, një varg nga poezia e tij mbushur me motive misticizmi. A duhet tja falim poetit këtë ndërhyrje, këtë uragan në poezinë shqipe, këtë uragan të ri. Përgjigjen na e ka dhënë. Jo!