Pemë dhe rrënjë

6 Maj 2025, 11:59Kulturë Ardian Vehbiu

Një përsiatje e rastit për historinë e metaforës rrënjë të thella, më çoi te simboli universal i pemës në organizimin e njohjes – që ka ardhur shpesh tek unë në trajtën e “pemës së gjuhëve indoeuropiane”, dhe te konstatimi i çuditshëm se, në paraqitjet e saj standard, kjo pemë nuk ka rrënjë; në kuptimin që rrëfimi i prejardhjes së gjuhës ndalet te trungu, prej të cilit dalin degët e gjuhëve të ndryshme, të vdekura dhe të gjalla.

Më patën dhuruar dikur për datëlindje një libër të mrekullueshëm: The Book of Trees (Princeton Architectural Press, 2014), nga Manuel Lima, që përshkruan dhe ilustron përdorimin e pemës për vizualizimin e njohjes – nga filozofia në gjenealogji e histori, nga biologjia në kibernetikë. Duke e shfletuar, i magjepsur pas imazheve të pemës në shekuj, në mos mijëvjeçarë, edhe atje njëlloj vura re një mungesë të përgjithshme të rrënjëve, me ndonjë përjashtim si tek Arbor Scientiae, i Ramon Lull-it.

Nga ana e vet, metafora e rrënjës në linguistikë vjen edhe ajo nga biologjia, duke u bërë veçanërisht produktive në shekullin XIX të “rrënjëve indoeuropiane” të fjalëve – por jo të rrënjëve të gjuhëve përkatëse. Rrënja e mban, njëfarësoj, fjalën të lidhur me truallin historik të gjuhës. Por një përdorim tjetër tejet pjellor i metaforës së pemës, te pemët sintaksore në analizën e fjalive, mjaftohet me degët, e shumta trungun, dhe nuk gjen dot vend për rrënjët.[1]

Simbolikisht, pema është një qark i shkurtër i dheut me qiellin, me rrënjët në errësirë (ktonike) dhe kurorën në dritë; gjithë duke mbetur një gjakim, një vërvitje nga poshtë lart, në kërkim të Diellit. Pemët e larta, aq të admirueshme në filozofitë e tyre vertikale, na bëjnë të mendojmë gati vetvetiu për rrënjët e tyre të thella, dhe aq më e vërtetë bëhet kjo për pemët e moshuara. Përfytyrimi është projeksion i një fantazie – rrënjët e pemëve nuk janë të thella; edhe pse, për nga struktura degëzuese, rrënja rimerr trungun dhe degët lart, si rregull ajo nuk shkon më thellë se 2-3 metra poshtë.

Siç do të mund të na e tregonte çdo botanist, por edhe çdo bujk, çfarë e mban pemën në këmbë nuk është thellësia e rrënjëve, por shtrirja e tyre horizontale; më shumë se të ngulet, pema kapet pas dheut.

Por metaforën e rrënjëve e kanë bërë të vetën ideologjitë kombëtariste, duke e adoptuar në elaborimet e tyre të autoktonisë (kjo fjalë, me prejardhje nga greqishtja e vjetër, ka në përbërje të njëjtën temë me fjalën ktonik, të përmendur më lart – duke iu referuar dheut); në shqipe madje kemi edhe fjalën RRËNJËS, me gjasë neologjizëm, që e përdorim për dikë që “banon aty ku kanë jetuar gjithnjë paraardhësit e tij, vendës, anas” (FGJSSH), sepse aty i ka “rrënjët”. Në këtë kontekst, rrënjët e thella tregojnë edhe vjetërsinë, madje më shumë e më fort se lartësia e “trungut”; duke u parë vështirësia për ta “shkulur” pemën si virtyt i saj.

Brenda diskursit kulturor, metafora e “rrënjëve të thella” shënjon traditën; si formë, ritual dhe strukturë, të riprodhuara duke u transmetuar nga një brez në tjetrin, në shekuj. Edhe këtu theksi mbetet te vjetërsia – sepse me vjetërsinë vjen edhe vlera, dhe nevoja për “ruajtje”.

Imazhin skematik të një peme mund ta shohim në disa mënyra: si paraqitje statike të marrëdhënieve mes degëve, degëve dhe trungut e kështu me radhë; si një diagram të përftimit të pemës në kohë, ku imazhi nuk është veçse projeksioni i rritjes së pemës; dhe si rrëfim vizual të rritjes së pemës në kohë. Që në këto paraqitje rrënja është poshtë dhe në dhé, ndërsa trungu dhe degët lart, kjo nuk do të thotë që rrënja është “më e vjetër” se pema; nëse duam të flasim për vjetërsi, duhet të sjellim në vëmendje farën. Njëherazi, moshën pemëve ua matin zakonisht duke numëruar rrathët e trungut; diçka e ngjashme mund të bëhet edhe me rrënjët.

Fakt është që pemën e kanë përdorur shpesh si vizualizim të proceseve të njohjes – dhe shumë më herët se periudha kur u përqafua historicizmi, edhe në biologji edhe në humanitetet. Imazhin abstrakt të një degëzimi (branching) mund të lexojmë si histori të “na ishte një herë një degë, që u nda pastaj në dy degë”, por zakonisht nuk veprojmë kështu; kalamajtë në shkollë që ndërtojnë pemët e strukturës sintaksore të fjalisë nuk e përfytyrojnë gjë fjalinë si diçka që “rritet” në rrjedhë të kohës.

Një libër i Umberto Eco-s, Dall’albero al labirinto, më bëri të mendoj që edhe labirinti mund të shihet si pemë e ndërlikuar, nëse fokusohemi te shtegu jo te muret; sikurse edhe që çdo pemë shndërrohet në labirint, po t’i afrohemi shumë. Por labirinti nuk tregon gjë hartën e dikujt që është endur vërtet në degëzimet dhe i ka ruajtur pastaj kujtimet; por më tepër hartën e të gjitha endjeve të mundshme – vizualisht, është rrugëtim më shumë se sa itinerar.

Eco-ja përmend në libër edhe konceptin – dhe imazhin – e rizomës, si metaforë për rrjetin, të cilin imazh e merr nga Deleuze dhe Guattari; e veçanta e rizomës, mes të tjerash, është se nuk ka hierarki, ndryshe nga pema që ka trung dhe degë, etj.; madje ndryshe edhe nga labirinti, që ka hyrje dhe dalje, rrugë qorre dhe zgjidhje. Rizoma i largohet edhe më tundimit tonë për narrativizim – edhe kur e përdorim si instrument për të kuptuar më mirë ose për të zgjeruar dijen, nuk mund ta “rrëfejmë” si njëpasnjëshmëri përftimesh të vijave lidhëse ose edhe, fundja, të nyjave.

Dija sot priret të besojë se metaforat dhe vizualizimet janë jo vetëm vegla për të “qartësuar”, por edhe mënyra për ta pasuruar njohjen vetë; metafora e pemës sugjeron degëzimin, dhe degëzimi mund t’i vlejë analizës jo vetëm si ilustrim, por edhe për ta çuar përpara, potencialisht drejt një zbulimi. Sërish si metaforë, rrënja ndihmon për të kuptuar marrëdhëniet e traditës me aktualitetin – por në bazë të funksioneve që ajo përmbush për pemën, nga ushqimi te stabiliteti; jo në bazë të historisë si është përftuar. Tek e fundit, që një pemë hedh rrënjë dhe rrënja rritet e zgjerohet duke u degëzuar vit pas viti, kjo nuk është se e ndihmon modelin, as modelizimin. Aq më tepër që disa procese të pemës – për shembull rritja, fotosinteza, ose lulëzimi a lidhja e frutave – i kanë rrënjët në kodin gjenetik, jo te rrënjët e pemës vetë.

Diçka e ngjashme ndodh me pemët gjenealogjike, që i gjen ndonjëherë në familjet; këto shkojnë ndonjëherë prapa me shekuj, për të na treguar emrat e paraardhësve dhe lidhjet mes tyre. E megjithatë, ata prej nesh që nuk i kanë këto pemë, nuk është se janë gjeneruar vetvetiu, si bimët që mbijnë rrëzë murit – në një kuptim, të gjithë e kemi “pemën” gjenealogjike të kodifikuar në DNA.

Me metaforat kognitive ndodh edhe kështu: metafora bëhet pjesë e mitit, dhe pastaj miti kthehet ndonjëherë të shpjegojë deri edhe sendin ose dukurinë që ka dhënë metaforën. Për shembull, një metaforë banale si “lart = mirë”, “poshtë = keq”, mund të funksionojë në shprehje të tilla si “ta ngremë lart flamurin e lirisë”, por nuk vlen, kur vjen puna për të vendosur nëse një apartament në katin e 12-të është më i preferuar ndaj një apartmenti të ngjashëm, në katin e 2-të.

© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha te drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është përftuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.

[1] Paraqitjet grafike të strukturave sintaksore të fjalive, brenda modeleve gjenerativiste (si ato të Chomsky-t) janë paraqitje dinamike të “gjenerimit” të një fjalie në momentin e aktualizimit të saj – si të tilla kanë natyrë më shumë matematike se historike.

Lini një Përgjigje