
Ekziston një heshtje e veçantë, të cilën kinemaja dhe filmi rrallëherë e prekin. Një heshtje, që nuk vjen si rezultat i paqes dhe qetësisë, por i mungesës. Në filmin e tij “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur,” regjisori Gentian Koçi e lejon këtë lloj heshtjeje të dominojë, jo vetëm si mungesë fjalësh – dy personazhet kryesorë të filmit nuk flasin dhe nuk dëgjojnë – por edhe në çdo aspekt tjetër, nga palëvizshmëria e kamerës, tek ritmi i ngadaltë e meditativ dhe ngjyrat e zbehta të kostumeve dhe seteve ku xhriohen skenat. Përfundimi është një film që refuzon sentimentalitetin dhe që, me gjithë kufizimet e vetëimponuara, ia del të na tërheqë drejtë botës së brendshme të dy njerëzve, të cilët gradualisht po humbasin edhe shikimin, shqisën e fundit që i mban lidhur me botën.
Historia – e frymëzuar nga një ngjarje reale – ndjek dy vëllezër binjakë, të cilët qysh nga lindja nuk dëgjojnë dhe nuk shohin, ndërsa zbulojnë se për shkak të një ç’rregullimi gjenetik, do të humbasin edhe shikimin. Filmi nuk përmban zbulime e as transformime të mëdha. Në të nuk ndodh asnjë katarsis. Përkundrazi, elementet më të rëndësishme të tij janë kohad dhe rrjedha e saj, natyra, intimiteti, gjuha, dhe një ndjesi izolimi përherë në rritje.
Megjithatë, ajo çfarë e bën “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” një film të jashtëzakonshëm, është sinqeriteti gati-gati therës i regjisorit dhe refuzimi i tij për të manipuluar shikuesin përmes mjeteve tradicionale të kinemasë. Për shembull, filmi nuk ka një kolonë zanore që t’i diktojë audiencës se si duhet të ndihet; vizualisht, nuk ka një element të vetëm që të tërheqë vëmendjen nga thelbi i historisë. Në fakt, kamera qëndron e palëvizshme gjatë gjithë filmit, aq sa të duket sikur je duke hyrë padashur brenda dhimbjes private të dy personazheve në ekran.
“Kam qenë gjatë gjithë kohës në teh me këtë film,” thotë Koçi në episodin e radhës të Apostrof Podcast, “Ishte tunduese të bije në melodramë, por nuk ishte kjo ajo që po kërkoja.”
Dhe me të vërtetë, filmi që ka arritur të realizojë, ka një vetëpërmbajtje të mahnitshme, ku aftësitë ndryshe nuk shfaqen as si kufizime e as si heroike, por si një realitet i jetuar në maksimumin e vet.
Në këtë episod, që publikohet të dielën, bisedojmë në lidhje me:
· Etikën e portretizimit të aftësive ndryshe, pa i kthyer në spektakël.
· Vendimin për ta zhveshur filmin nga disa prej elementeve më thelbësore të kinemasë.
· Eutanazinë dhe mundësinë e ikjes me dinjitet nga jeta.
· Pse shumica e filmave sot na mpijnë dhe si mund t’i rezistojmë mpirjes emocionale.
Episodi i plotë me Gentian Koçin publikohet të dielën, ora 17:00
https://www.youtube.com/playlist?list=PLg4y_a3lI08B8NCWY01VAH1ETuA97hqVN
Lini një Përgjigje