Jozef Martini, artisti shkodran i tekstileve, pas dy dekadash suksesi në Itali dhe bashkëpunimesh me marka botërore, prezanton në vendlindjen e tij artin dhe traditën të ndërthurura në mëndafsh.
“Këtu kam sjellë disa nga krijimet e mia në mëndafsh. Kam përdorur disa motive të Shkodrës, janë disa ornamente të qëndisjeve, nga kalaja dhe traditës etnografike”, shprehet dizajneri i tekstileve Jozef Martini.
Një nga elementët që bie në sy është prania e mëndafshit, një material që mbart histori të pasura kulturore, një element që lidhet ngushtë dhe me traditën e qytetit të Shkodrës.
“..për dy arsye, është një material nobel, i çmueshëm. Dhe e dyta sepse është i lidhur shumë me traditën e Shkodrës. Shkodra ka një traditë shumë të hershme në prodhimin e mëndafshit”, thotë ai.
Frymëzimi për krijimet e tij buron nga kombinimi i elementeve tradicionale me tendencat moderne të artit dhe modës.
“Në punën time, më frymëzon më shumë arti, në shembuj më të mirë të dizajnerit më të mirë botërorë, meqë edhe studioja ime në Como punon në këtë fushë, për brande të tjera të njohura. Ndërsa në Shkodër, mundohem të imitoj motive shkodrane”, thotë ai.
Stampa e tij dallohet për detajet e punuara me kujdes dhe për harmoninë mes motiveve kulturore dhe linjave bashkëkohore.
“Prirem nga ngrohtësia e ngjyrave dhe ndoshta përdorimi i disa ornamenteve më të veçanta”, shton ai.
Ky ambient i mbushur me motive kulturore të përpunuara në mëndafsh është një ftesë për të prekur nga afër artin, traditën dhe mjeshtërinë që Jozef Martini ka ndërtuar ndër vite. - RTSH-
Me fame boterore si te gjithe shqipot.
Përmi tana asht ZOTNI djal . Fisnik Shkodret.