Presidenti Trump uron besimtarët për nisjen e muajit të Ramazanit

19 Shkurt 2026, 12:36Kulturë TEMA
Presidenti Trump uron besimtarët për nisjen e muajit të Ramazanit

 Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndau mesazhin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i cili uroi sot besimtarët myslimanë në të gjithë botën për nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në mesazhin e tij Trump i dërgon urimet e mia më të mira të gjithë besimtarëve myslimanë që festojnë Ramazanin.

“Çdo Ramazan përfaqëson një periudhë të shenjtë të ripërtëritjes shpirtërore, meditimit të thellë dhe mirënjohjes për bekimet e panumërta të Zotit. Kjo kohë e shenjtë për shumë amerikanë thekson rëndësinë e lutjes dhe agjërimit, forcon lidhjet familjare dhe komunitare si dhe përforcon vlerat tona të përbashkëta të dhembshurisë, bamirësisë, mëshirës dhe përulësisë”, thuhet në mesazhin e Trump, të shpërndarë nga ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Presidenti amerikan thekson se “e drejta e dhënë nga Zoti për të adhuruar lirisht është një tipar dallues i kombit tonë dhe një shtyllë e prosperitetit dhe fuqisë sonë. Për këtë arsye dhe çdo ditë, administrata ime siguron që të gjithë qytetarët të mund të praktikojnë besimin e tyre, të ndjekin ndërgjegjen e tyre dhe të adhurojnë lirisht – sepse liria e fesë nënkupton lirinë për ta praktikuar fenë tënde me krenari dhe pa frikë nga përndjekja”.

“Në këtë periudhë të vullnetit dhe dëshirës së mirë, ofroj lutjet e mia për lumturi dhe suksese në familje, për unitet dhe paqe në mbarë botën si dhe për begati për vitin që po vjen”, tha Trump.

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kanë nisur agjërimin, i cili zgjat për 30 ditë. Për besimtarët myslimanë, Ramazani është muaji i agjërimit, i kuranit, i mëshirës dhe i faljes. A.K./TemA

Lini një Përgjigje