Riza Braholli: Një prej "lirikave të mëkatit"

14 Gusht 2025, 16:02Kulturë TEMA
Riza Braholli: Një prej "lirikave të mëkatit"

Një prej “Lirikave të mëkatit”, poezi nga Riza Braholli

Bëra ç’bëra atij moti…

Gjiri i saj i ri është si vera e re
që çan butet e vjetra… (Psalm)


Ç’ditë qe e ç’orë e ç’fat
që vithisa në mëkat?
Një mëngjes me dritë të finjtë
rashë te kroi, te mullinjtë,
pashë një çupë, lante gjinjtë.

S’di si sytë aty më vanë;
bëj t’i heq, të shkoj mënjanë
por më dehu siç deh vera
që shpërthen kadet e vjetra.
Aq të butë dhe me kthetra!?

Ç’zjarr e kish pushtuar vallë!
Hidhte ujë të shuante mallë,
hidhte ujë e mbyllte sytë,
lagej e fërkonte gjinjtë.
Zjarr, o zjarr që s’ke të dytë!

Me një zë mbytur nga kolla
iu afrova e i fola:

– Nuk kam faj e jam i etur,
po mos pi do shkoj i tretur.
Nga kjo botë ç’më ka mbetur? –

Më thotë: – ikë o njeri,
t’i shoh sytë babëzi.
Nuk më dukesh aq i ri.
Më jep frikë e kurrsesi
si të thënkam eja rri!

– Më mbulofsh me verbëri
ç’faj të kam…! Më jep të pi…
pakëz buzë, pakëz gji,
pakëz sy, pak ashk të ri
bëma udhën hajmali.

Gjiri yt, në lëng të prillit,
si Hëna në fill të fillit
do më varet nëpër net
me një flakëz të vërtetë,
do më hajë e do më tretë.

Bëra ç’bëra atij moti!
Qe aq bukur! Pikë loti!
Tënëzot e ndjeva pranë;
ma pahiti frymën, xhanë…
Ç’t’ju rrëfej sytë ç’më panë!

 

1 Komente

  1. V
    Vala

    Braholli eshte nder ata te pakte poet qe ke qejf ta lexosh. Kjo eshte poezia e jo mijera faqe me cfryrje e sforcime qe te ngjallin neveri. Respekt per te!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje