Rreth fjalës

23 Tetor 2025, 18:37Kulturë Ardian Vehbiu

Për FJALË, Fjalori i 1984-ës jep si përkufizim të parë atë të termit gjuhësor:

Njësia e mëvetësishme më e vogël e gjuhës, tërësi e pandashme e tingëllimit dhe e kuptimit e formësuar nga ana gramatikore, që pasqyron në mënyrë të përgjithësuar e shënon sende e dukuri të realitetit dhe riprodhohet e veçohet në rrjedhën e ligjërimit.

Ndonëse ky përkufizim i përket përdorimit libror të fjalës, më parë në tekstet e gramatikës, dhe pastaj në tekstet shkollore; në çdo rast, bëhet fjalë për FJALËN si njësi të mëvetësishme jo aq të “gjuhës”, sa të “gjuhës së shkruar”, ku FJALA dallohet ngaqë rrethohet nga dy hapësira boshe. E gjitha kjo është artificiale, paçka se mbi konceptin themelohet praktikisht çdo nomenklaturë.

Përndryshe, në shqipe si në gjuhë të tjera, FJALA është njëfarësoj produkt i foljes THEM; dhe veçanërisht një akt ligjërimor (speech act) – këshillë, porosi, udhëzim, urdhër, vendim; dhe më tej akoma, premtim, zotim, besë (marrëveshje), diçka që jo vetëm thuhet, por edhe kryhet nëpërmjet ligjërimit.

Kur i themi tjetrit thuaje një fjalë nuk po i kërkojmë të thotë një fjalë, nga ato që renditen në fjalor.

Në shembuj si fjalë të ngrohta (të ëmbla, të buta, përkëdhelëse), fjalë të ashpra (të rënda, fyese, të ndyra, poshtëruese), fjalë mashtruese (joshëse), fjala e mësuesit, fjalë pas fjale, fjalë me vend, bëj (shkëmbej) fjalë, fjala nxjerr (sjell, pjell) fjalën, bie fjala edhe për diçka tjetër, i ktheu fjalë, s’tha as gjysmë fjale, e mori fjalën prapa, s’e kthen fjalën (mbrapsht), fjala e dhënë, fjala e nderit, fjala dhe vepra, njeri i fjalës, ka dhënë fjalën, e mban fjalën. e ktheu (e hëngri, e shkeli) fjalën, i doli nga fjala, e mbante me fjalë, duhet punë e jo fjalë, s’e bën fjalën dy (dysh), lidhën fjalën, e bënë me fjalë, në fjalë e sipër, ngas fjalën, e la fjalën përgjysmë, u hap fjala, i nxorën fjalë, dolën fjalë, dërgoj (çoj) fjalë, lë fjalë, fjala e hapjes (e mbylljes). fjala e rastit, e drejta (liria) e fjalës, marr fjalën, kërkoj fjalën, bëj fjalë, e plot të tjera, FJALË shënjon një akt, të lidhur ngushtë me të folurit, si manifestim biologjik dhe social të trupit (kordave vokale, etj.).

E kanë vënë re tashmë se FJALË i përgjigjet latinishtes fabella dhe lidhet, brenda shqipes, me foljen FLAS; një tjetër tregues i predikativitetit të emrit.

Që ne sot e gjejmë krejt të natyrshme të flasim për fjalë shqipe, fjalë të huaja, sa fjalë do të ketë fjalori, fjalë të prejardhura, fjalë të rralla, fjalë të vjetruara, fjalë dialektore, fjalë e dialektit të Dibrës etj., kjo vetëm tregon sa ka depërtuar e sa është normalizuar ky lloj abstragimi në kulturë, në krahasim me përdorimet tradicionale të së njëjtës fjalë.

Një kulturë orale nuk e dallon dot FJALËN si njësi bazë të ligjërimit dhe as ka nevojë që ta dallojë; brenda kësaj kulture, FJALA është para së gjithash kategori performative; është një akt, si manifestim i vullnetit, pranisë ose autoritetit. Për ta thënë me antropologun Marcel Jousse, te njeriu oral, fjala është një gjest që përfshin ritmin dhe lëvizjen e krejt trupit.

Nga ana tjetër, si objekt linguistik i mëvetësishëm, FJALA është artifakt kulturor i të shkruarit.

Këtë e ilustron edhe statusi i FJALËS në shkrimet e shenjta; dhe pikërisht në ungjillin e Gjonit (1:1), ku thuhet:

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

“In principio erat Verbum, et Verbum erat apud Deum, et Deus erat Verbum.”

Kjo VERBUM i përgjigjet origjinalit greqisht LOGOS, që identifikonte në atë kohë arsyen, të menduarit ose mendjen e autoritetit hyjnor. Tërthorazi, në hebraishte kjo do të ishte DAVAR (דבר), me kuptim të ngjashëm; edhe LOGOS edhe DAVAR janë akte, jo produkte aktesh. Komentuesit e këtij teksti të shenjtë përgjithësisht shohin te LOGOS-i një referencë ndaj Jesu Krishtit.

Jemi shumë larg nga përdorimi i sotëm, në shqipe, i fjalës FJALË, si njësi elementare e gjuhës (ligjërimit).

Shndërrimin kuptimor e ndesh në shumë gjuhë, si shprehje të alfabetizimit; sepse të shkruarit e një gjuhe sot parakupton identifikimin relativisht të saktë të fjalës, i cili lejon, nga ana e vet, vendosjen e hapësirave në vijën shkrimore (për arsye praktike, që të lehtësojnë leximin). Hartuesit dhe rishikuesit e drejtshkrimit e dinë se rregullat për vendosjen e hapësirave janë pak a shumë konvencionale – dhe se deri pak kohë më parë shkruanim vajzë zemër mirë, pastaj vajzë zemër-mirë (me vizë ndarëse) dhe më në fund vajzë zemërmirë; dhe njëlloj, nga vaj guri u kalua në vajgur. Në disa gramatika më të vjetra të shqipes, format e aoristit të pësore-vetvetores i ndesh të shkruara si u-lava, u-lave etj., sepse autorët besonin që pjesëza u- tashmë ishte bërë pjesë e foljes. Natyrisht, hapësirave në shkrim u përgjigjet një pauzë, sado e shkurtër dhe e papërfillshme, në të folur, e cila edhe ajo ndryshon në rrjedhë të viteve; dhe po t’i kërkosh një folësi të pashkollë të shqipes, që të flasë gjithnjë e më ngadalë, do t’i vendosë disa pauza atje ku i vendosin edhe ata që janë alfabetizuar; nga ana tjetër, shumë nga ne që i vendosim pauzat, kur flasim – p.sh. në publik – e bëjmë këtë sepse ndikohemi nga rregullat e të shkruarit.1

Çfarë është karakteristike për kulturën shqipe, nuk është aq denduria në përdorim i FJALËS me kuptimin e njësisë parësore të gjuhës, por prirja për t’i dhënë dukurisë më shumë realitet se ç’mund të mbajë. Ligjërimi purist – në leksikologji dhe në gjuhësi, por edhe në kulturën dhe ideologjinë kombëtariste në përgjithësi – bazohet mbi këtë kuptim dhe përdorim specifik. Kur themi që “në shqipe ka hyrë fjala e huaj akses” e marrim të mirëqenë që një “fjalë” mund të kalojë nga një gjuhë në një tjetër, siç hyn një mall kontrabandë në treg ose siç kalon një virus nga një person te një tjetër. Kur themi që “duhet ta pastrojmë shqipen nga fjalët e huaja”, i përfytyrojmë këto fjalë jo vetëm si të mirëqena, por edhe objekte, mund të largohen nga leksiku njëlloj siç i largon një redaktor nga një tekst i shkruar. Ashtu e humbim edhe sensin e masës, edhe të perspektivës, teksa harrojmë se kjo lloj qasjeje – që është edhe në vetvete problematike – varet fund e krye nga konceptimi i shqipes si gjuhë e shkruar, si tërësi tekstesh, në mos edhe si listë fjalësh; paçka se dukuria e huazimit, në vetvete, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, në masë të madhe, brenda rrafshit oral (të folur).

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney & Nano Banana.

2 Komente

  1. M
    Mora fjalë

    Na le pa fjalë o fjalëpak!

    Përgjigjjuni
    1. K
      Kunder laramanise

      Perveq imazhit, ka gjasa qe edhe teksti eshte realizuar me AI.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje