Qendra Kulturore “Albanian Night” mbështetet nga Qeveria Shqiptare përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Start-Up Albania, si dhe nga Delegacioni i BE-së përmes projektit EU4Innovation, i zbatuar nga GIZ.
Kjo qendër vendos në dispozicion të artistëve e artizanëve shqiptarë, një hapësirë e cila përmbledhë trashëgiminë kulturore nga tërësia e trevave shqiptare në një ambient të vetëm, në zemër të Tiranës, prej më shumë se 2500 metra katrorë sipërfaqe.
Themeluesi i kësaj qendre, Armando Muça tha se kjo hapësirë i është kushtuar ruajtjes, rigjallërimit dhe promovimit të trashëgimisë shqiptare përmes argëtimit dhe përvojave gjithëpërfshirëse që sjellin në jetë traditën e vendit.
“Qendra është shtëpia e 500 artizanëve të specializuar në 28 disiplina të ndryshme, duke ngritur ekonominë artizanale dhe duke promovuar trashëgiminë e Shqipërisë tek turistët. Duke qenë se sezoni turistik ka filluar dhe me një shfaqje nuk ja dalim dot që të mbulojmë të gjitha kërkesat, në këtë fazë po bëjmë dy shfaqje në ditë me afërsisht 100 veta në çdo shfaqje. Shumica e tyre janë të huaj që duan të mësojnë më shumë për kulturën, këngët, vallet dhe kulturën shqiptare”, thotë ai.
Sipas Muçës, deri pak kohë më parë turistët shikonin një aspekt të kulturës shqiptare që fokusohej të komunizmi, ndërkohë që kjo qendër përqendrohet te pjesa etnografike, e traditës shqiptare dhe jo vetëm te një pikë uji në oqeanin e historisë shqiptare, siç është komunizmi.
“Ne kemi një histori shumë më të gjatë, tradita shumë të vjetra, ndaj donim të krijonim infrastrukturën që njerëzit të merrnin eksperiencën e plotë. Mbrëmja shqiptare është një shfaqje interaktive ku turistët vishen me kostume popullore dhe marrin pjesë në një dasmë tradicionale shqiptare. Salla e kostumeve popullore, është një tjetër aspekt ku duam t’i japim dritë historisë së Shqipërisë ndër shekuj. Këto malet e larta shqiptare i dhanë jetë një diversiteti rajonal dhe kulturor shumë të larmishëm. Shqipëria jonë ka mbi 500 lloje kostumesh që nuk janë vetëm një gjë estetike e bukur për t’u parë, por dëshmi e gjallë e besëtytnive që shqiptarët kishin”, thotë Muça.
Drejtuesi i “Albanian Night” pohoi se kjo qendër kulturore ka edhe një tjetër komponent që janë suveniret dhe pjesa e artizanatit, raporton atsh.
“Ne donim që t’u japim turistëve të huaj që duan të blejnë diçka nga Shqipëria, pikërisht suvenire autentike. Ne kontaktuam 1200 artizanë të Kosovës dhe Malit të Zi, filmuam teknikat e tyre për prodhimin e objekteve të ndryshme dhe 17 mijë produkte nga 650 artizanë në 28 disiplina artizanati janë këtu”, pohoi ai.
“Shitjet janë rritur në nivele rekord. Në 10 ditë e qershorit kemi shitur më shumë se në gjithë muajt e tjerë të 2025. Të gjitha këto janë para që i shkojnë biznesit të artizanatit në Shqipëri”, tha Muça.
Lini një Përgjigje