Shqipëria në Enciklopedinë Ndërkombëtare të Drejtësisë Tranzitore – Profesorja amerikane Cynthia Horne viziton Autoritetin e Dosjeve

7 Maj 2025, 15:05Kulturë TEMA
Shqipëria në Enciklopedinë Ndërkombëtare të

Tiranë, 7 maj 2025 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit mirëpriti sot vizitën e profesoreshës amerikane Cynthia Horne, eksperte e njohur në fushën e drejtësisë tranzitore dhe pedagoge në Universitetin Perëndimor të Uashingtonit (Western Washington University), SHBA.

Profesorja Horne u prit nga anëtarët drejtuesi i Autoritetit, z. Altin Hoxha dhe anëtari z. Albert Nikolla, si dhe nga stafi profesionist i institucionit.

Gjatë takimit, ajo mori përgjigje të detajuara për të gjitha pyetjet e saj në lidhje me funksionimin e Autoritetit, proceset e digjitalizimit, administrimin e fondeve arkivore dhe misionin gjithnjë e më të gjerë të ndërgjegjësimit shoqëror dhe ndërkombëtar të institucionit.

“Jam thellësisht e impresionuar nga mikpritja dhe profesionalizmi i stafit të Autoritetit,” – deklaroi Horne. “Gjeta një institucion që jo vetëm menaxhon me kujdes dokumentet e së kaluarës, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ndërtimin e kujtesës kolektive dhe forcimin e transparencës publike.”

Gjatë vizitës, ajo pa nga afër fondet arkivore dhe standardet e përparuara të menaxhimit dhe organizimit të tyre. Profesorja Horne theksoi rëndësinë që ka puna e Autoritetit në kontekstin e drejtësisë tranzitore dhe edukimit qytetar.

Në përfundim të vizitës, ajo shprehu synimin për të përfshirë përvojën shqiptare në enciklopedinë ndërkombëtare të drejtësisë tranzitore, me qëllim që akademikët dhe studiuesit nga vende të ndryshme të kenë akses në informacionin dhe përvojën unike që ofron Shqipëria në këtë fushë.

Fjalimi i plotë i Cynthia: 

Më quajnë Sinthia Horn (Cynthia Horne). Jam profesoreshë në Universitetin Perëndimor të Uashingtonit (Western Washington University).


Ekspertiza ime është drejtësia tranzitore. Kam shkruar gjerësisht për përdorimin e lustracionit dhe të drejtësisë tranzitore në vendet ish-komuniste, si dhe kam vizituar autoritete të shumta përgjegjëse për dosjet e policive sekrete nëpër këto vende.

Kjo është vizita ime e parë në autoritetin shqiptar dhe jam jashtëzakonisht me shumë mbresa. Mikpritja ishte e jashtëzakonshme. Autoriteti i kishte përgatitur paraprakisht përgjigjet për pyetjet dhe me bujari kaluan kohë me mua për të më shpjeguar veprimtaritë e shumëllojshme të administrimit të dosjeve, procedurën e gjerë të digjitalizimit dhe të administrimit të tyre, si dhe gjithashtu edhe transformimin e detyrës së tij, nga një institucion me vëmendje kryesisht në procedurën e lustracionit në një që ka tashmë përsipër dhe funksione të kujtesës, duke vendosur kontakt si me komunitetin nëpër Shqipëri, ashtu edhe me komunitetin ndërkombëtar.

Jam shumë e mbresëlënë nga profesionalizmi i stafit. Pata mundësinë që të vizitoja disa prej fondeve arkivore dhe të shoh menaxhimin me standardet më të fundit, si edhe organizimin e tyre.

Dua të shpreh falenderime për bujarinë Autoritetit, që ndau me mua gjithë këto informacione.
Në të ardhmen planifkoj që me këtë informacion të krijoj një hapësirë më vetë për Shqipërinë në enciklopedinë e drejtësisë tranzitore, më qëllim që të bëjë të mundur që më shumë akademikë të fushës së gjerë të drejtësisë tranzitore, të marrin informacion mbi punën që po bëhet nga Autoriteti për të nxjerrë në dritë të shkuarën.

Ju falenderoj shumë!

/M.D/

Lini një Përgjigje