Shqipëria në Poloni përmes Kadaresë dhe Jeziorskit

22 Tetor 2025, 09:00Kulturë TEMA
Shqipëria në Poloni përmes Kadaresë dhe Jeziorskit

NGA BEN ANDONI

Marek Jeziorski është diplomat, përkthyes dhe njohës shumë i mirë i shqipes dhe i kulturës sonë. Koha që shërbeu në shërbimin diplomatik polak në funksionin e ambasadorit në Tiranë i dha mundësi të mëtejshme për ta bërë gati fluente shqipen që e zotëronte gjithsesi shumë mirë. Dhe, diplomati i njohur nuk e ruajti si hajmali false, por edhe tashmë jashtë vendit tonë na ka sjellë dy përkthime të Kadaresë dhe një tjetër me reportazhe dhe kujtime nga koha e tij diplomatike, mbushur me rrëfenja dhe pasqyrime të ndryshme nga koha e tij e shërbimit.

Nga të cilat, dy botime janë të sjella tani në ditët e fundit. Ndërsa libri “Kronikë në gur” i shkrimtarit të madh Ismail Kadare u botua para disa muajve nga Shtëpia Botuese “SEDNO”, dy librat e tjerë u botuan ditët e fundit. Autori e ka bërë vetë paraqitjen për librat, duke treguar jo thjesht njohuri por edhe dashamirësi për Shqipërinë, në shembullin e pak diplomatëve që kanë lënë kujtime shumë të bukura dhe kontribute të paharruara për kulturën tonë. “I pari është një përzgjedhje tregimesh të Ismail Kadaresë. Unë e zgjodha titullin e një tregimi, si titull të të gjithë përzgjedhjes: “Sjellësi i fatkeqësisë (në gjuhën polake: Zëiastun nieszczêœcia).

Në libër ka 11 tregime nga periudha të ndryshme dhe përbën librin e tretë të Kadaresë që botohet në Poloni nën përkthimin tim”, është përgjigjur për “Panoramën”, përkthyesi në gjuhën shqipe. Por, në këtë veprimtari nuk ka lënë pa përmendur dhe punën për librin e dytë, i cili nuk është autobiografik por mirëfilli publicistik me kujtime dhe rrëfenja. Pak i kursyer në përgjigjet e tij, duke pasur parasysh modestinë por edhe këtë përpjekje të veçantë, ambasadori e ka treguar me pak fjalë këtë përpjekje. “I dyti është libri im me titullin ‘Hotel Dajti’ (në polonisht: Albania czasie przesz³ym). Titulli mund të përkthehet në gjuhën shqipe si: “Shqipëria në kohën e dikurshme ose Hotel Dajti”. Ose thjesht: “Shqipëria në të shkuarën”. Libri është një lloj reportazhi letraro-historik, përqendruar në vitet e fundit të diktaturës. Ka edhe ca kujtime të mia, anekdota diplomatike, por libri nuk është kurrsesi një autobiografi”, – ka thënë ai.

Autori ka zgjidhur me kujdes detyra jo të lehta përkthimi dhe mbi të gjitha ruajtjen e regjistrit të shqipes prej origjinalit. Duke e njohur shqipen deri në nuancat më të holla, përkthyesi është sprovuar në vepra të Kadaresë, të cilat kanë njohur përkthime dhe në gjuhë të mëdha, nga ku detyra e tij e përkthimit duhet vlerësuar se ka ardhur për një komb, lexuesit e të cilët janë të stërvitur me autorë shumë të spikatur vendas, por edhe mendimtarë të shquar. Kjo e bën përkthyesin Jeziorski tashmë një autor besnik për të marrë dhe vepra të tjera të gjuhës shqipe dhe jo thjesht për të dhënë kulturën tonë, të cilën ai e respektoi shumë gjatë kohës që ishte në Shqipëri, por edhe një mundësi që të përshfaqet në kulturën e madhe polake, si përkthyes i spikatur nga një gjuhë e vjetër dhe aq e vështirë si jona.

Dhe, Marek Jeziorski i ka kaluar me sprova detyrat e përkthimit. Jo më kot, falë përkthimit të tij, në hyrjen e “Kronikë në gur” shkruhet se: “Kronikë në gur” është një shembull sesi letërsia e shquar mund të kapërcejë kufizimet e censurës së shtetit komunist, pa e humbur vlerën e saj artistike dhe pa ikur nga temat e vështira që shqetësojnë njerëzit e zakonshëm në momentet kryesore të jetës së tyre”. Dhe, kjo detyrë mund të bëhej vetëm nga personazhe të tillë si Jeziorski me këtë kulturë dhe dashamirësi për Shqipërinë. Dhe, jo vetëm. Me shumë idealizëm.

Lini një Përgjigje