Kemi pasur, për shumë vjet, në dhomën e ndenjjes një komo, e cila mbante sipër një pasqyrë horizontale, po aq të gjatë sa komoja vetë. Përballë komosë, në anën tjetër të dhomës, gjendej divani i madh. Kur mblidheshim e gjithë familja në atë dhomë, muajve të dimrit, për të parë televizor a për të lexuar, të katërt ne – prindërit e mi, motra dhe unë – e shihnim veten njëherazi edhe në pasqyrë. Ndonjëherë na bashkohej edhe gjyshja, dhe bëheshim pesë banorë të dhomës, por edhe pesë aktorë në skenën e improvizuar të pasqyrës.
Pasqyra ndikonte drejtpërdrejt në mënyrën si e perceptonim njëri-tjetrin, veç e veç dhe si familje. Unë nuk kisha nevojë të ktheja kokën, për të parë me çfarë po merrej ime më; nga divani ku rrija ulur, mund të dalloja menjëherë nëse motra po bënte detyrat apo po kotej, siç mund të dalloja nëse im atë kish filluar të dremiste. Pasqyra na lejonte ta përjetonim hapësirën e dhomës ndryshe. Kjo hynte veçanërisht në punë, kur donim të reagonim, fshehurazi, ndaj ndonjë fjale a batute të pakëndshme; kur im atë këpuste ndonjë nga këshillat e veta gjysmë propagandistike, unë dhe motra shkëmbenim nga një vështrim kuptimplotë në pasqyrë, pa qenë nevoja të lëviznim kokën.
Për shkak të pozicionit që kishte, por edhe përmasave, pasqyra ishte diçka midis një ekrani gjigand dhe skenës së teatrit, falë së cilës ne, si familje, e kundronim çdo sekondë të jetës që na riprodhohej para syve – me kusht që të ishim në dhomë. Njëkohësisht, mësoheshim edhe me realitetin e çuditshëm ku gjithsekush prej nesh të ishte fizikisht i pranishëm në dy vende: në dhomë, diku majtas ose djathtas, i ulur në divan ose në karrige; dhe në pasqyrë, ose përballë nesh. Efekti ishte i tillë, që ta amplifikonte ndjesinë e të qenit bashkë, në të njëjtën hapësirë; dhe konformimi i pranisë, që e lejonte pasqyra, deri edhe qetësonte; ndoshta për shkak të informacionit të shtuar.
Kur na vinin njerëz për vizitë, qoftë edhe kushërinj për të bujtë a të afërm të tjerë, këta nuk i kishin përvetësuar teknikat e përdorimit të pasqyrës, për t’u orientuar në hapësirën e dhomës; një mysafir do të kthehej i tëri me trup drejt meje, nëse donte të më thoshte diçka; pa qenë në gjendje të më drejtohej “nëpërmjet” pasqyrës, siç bënim ne të familjes me njëri-tjetrin. Për të njëjtën arsye, ngaqë të ardhurit nuk ishin të vetëdijshëm për pasqyrën, i kapnim ndonjëherë duke shkëmbyer mes tyre shenja të fshehta e isharete, çfarë bëhej pastaj objekt shakash pa fund. Edhe pse nuk kish asgjë të fshehtë dhe djallëzore te prania e pasqyrës në dhomë, fakti mbetej që ne të familjes përfitonim prej saj. Vizitorët mund ta përdornin vërtet për t’u parë, por nuk mësoheshin dot që ta përdornin për të na parë ne të tjerëve.
Më pas do të shihja, jashtë Shqipërisë, përdorimin që u bënin pasqyrave në dyqane – për ta dyfishuar artificialisht hapësirën e dyqanit vetë, por edhe për të përgjuar klientët dhe kapur ndonjë vjedhës të mundshëm gafil. Kjo e dyta, veçanërisht para se të adoptoheshin kudo kamerat e sigurisë (ironikisht, qarkullon edhe sot një paranojë se disa hotele vendosin kamera “të fshehta” prapa pasqyrave në dhomë ose në banjë). Tek e fundit, që kamera mund të përdoret si pasqyrë, këtë mund ta konfirmosh përditë jo vetëm nëpërmjet selfie-ve, por edhe sa herë kur dikush pranë teje në autobus a në bar fillon të kontrollojë, me kamerën ballore, se si i duken vetullat ose buzët. Megjithatë, selfie si gjest primordial kërkon që ta ndezësh telefonin dhe ta pozicionosh në një mënyrë të caktuar – ndryshe nga pasqyra jonë në dhomën e ndenjjes, e cila funksiononte vërtet edhe ajo si kamerë për selfie të familjes, por permanente.
Një nga funksionet e pasqyrave të mëdha është që të shumëfishojnë hapësirën dhe dritën, veçanërisht kur dhomat janë me përmasa të vogla. Ka hotele që vendosin pasqyra në tavan – të lobby-t, por edhe të dhomave. Lexoj që, të paktën në SHBA, pasqyrat mbi krevat, në hotelet, kumtojnë shije të keqe – edhe pse do të ketë akoma klientë që i kërkojnë. Një shoqe më ka treguar si, kur do të flinte për herë të parë me të dashurin e vet, kishin përfunduar te një hotel kitsch, me krevatin në formë zemre (!) dhe një mega-pasqyrë në tavan mu sipër krevatit; për këtë arsye, aventura gati u kish dalë për hundësh, po të mos ishin kujtuar që të mbyllnin grilat dhe të fiknin dritën e dhomës, para se të ndanin shtrat. Tani që e mendoj, ideja që të filmohesh kur bën dashuri (couple-video-selfie) më duket më e pranueshme; sepse ndaj kamerës ke më shumë kontroll se ndaj pasqyrës, që të “filmon” gjithë kohës, duke të shndërruar në aktor porno.
Komoja me pasqyrën në dhomën e ndenjjes ka mbijetuar; dhe nuk di ç’do të jepja, për të ekstraktuar nga skena gjurmët eterike të imazheve që ka përcjellë në vite. Sa jam i bindur se ajo pasqyrë na mblidhte si familje më mirë e më fort se dhoma, aq edhe nuk dyshoj se imazhi që na kthente mbrapsht, çdo pasdite e mbrëmje, ishte superior ndaj realitetit – pasqyra na tregonte më bashkë se ç’ishim realisht, madje sikur na sugjeronte që të reflektonim për të qenit bashkë, të mos e merrnim për të mirëqenë. Ndonëse pritej prej saj që ta zgjeronte hapësirën e dhomës duke i dhënë më shumë ajër e dritë, në të vërtetë dukej sikur na mbronte nga bota, duke na mbyllur në kthjelltësinë e xhamit. Kushedi ngaqë ishim më të qetë në rolet tona të skenës, se jashtë saj.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është përfytyruar me Gemini (Whisk). Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje