Skëndërbeu. Xhufi: Modeli i Skëndërbeut i rëndësishëm për politikën sot

6 Maj 2025, 12:39Kulturë TEMA
Skëndërbeu. Xhufi: Modeli i Skëndërbeut i

Historiani Pëllumb Xhufi ishte i ftuar sot në një bisedë me Alda Bardhylin në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit me temë “Skëndërbeu, identiteti, bashkëkohësia”, në ditën e lidjes së kësaj figure të rëndësishme të kombit tonë.

Përballë një audiencë profesorësh, historianësh dhe nxënësish, ai tregoi rëndësinë e kësaj figure madhore në formimin e identitetit të shqiptarëve, si një figurë e fuqishme unifikuese jo vetëm në luftërat për mbijetesë, por dhe në qasjen diplomatike drejt një orientimi europian të Shqipërisë. Xhufi foli dhe për portretin e Skëndërbeut duke treguar se ai ishte një burrë i pashëm dhe i trupmadh.” Skënderbeu në dokumente del shumë i fuqishëm, me trup të madh, të bëshëm.

P.sh. po them dy shembuj: në një rast, në një luftim që ai bëri në Italinë e Jugut, në afërsi të Tarantos, Skënderbeu doli në dyluftim me një princ italian. Në përplasjen me kuaj e rrëzoi që në herën e parë nga kali dhe, thotë kronisti që ishte prezent në atë ngjarje, “e mori robin, e ngriti me një dorë, e hipi në kalin e tij dhe e çoi në kampin e vet”. Pra tregon që të marrësh një trup njerëzor dhe ta ngresh me një dorë, tregon që ke të bësh me një njeri shtatlartë, të fuqishëm, edhe pse Skënderbeu në atë kohë nuk ishte djalë 20-vjeçar.

Një tjetër shembull është një dokument venecian, shumë interesant, sepse kur Skënderbeu i rregulloi marrëdhëniet me Venedikun, pas një konflikti që patën në vitin 1448, Venediku i çon si dhuratë Skënderbeut “16 pashë cohë mëndafshi për të bërë dy kostume”. Kështu thotë dokumenti. Pas disa ditësh, një dokument tjetër thotë që “porosia u kthye mbrapsht sepse u konstatua që nuk i mjaftonin 16 pashë Skënderbeut, por duheshin 18 pashë”.

Pra, ishte mbi staturën normale të një njeriu të kohës, të një prijësi të kohës. Dhe kjo do të ishte një provë, pa dyshim, që Skënderbeu ishte një trupmadh. Por kjo ka një vlerë sekondare”, tha Xhufi. Ai vlerësoi librin e Fan Nolit për Skëndërbeun duke thënë se në kontekstin dhe kohën kur është botuar merr një rëndësi të vecantë. Sipas Xhufit modeli i Skëndërbeut është i rëndësishëm në vizionin që ai shpalosi, për politikën shqiptare sot. Montanelli gazetari i njohur italian e quajti me të drejtë Skëndërbeun si “poetin e madh të politikës shqiptare”. A.B.