Zhaneta Ruçaj është rritur pranë teatrit “Skampa” dhe gjithë jetën e saj ka kërkuar një mënyrë për t’i shërbyer tempullit të artit në Elbasan.
“Ishte një nevojë shumë e domosdoshme. Zgjohesha çdo ditë me mendimin: çfarë mund të bëj? Çfarë mund t’i lë këtij teatri? Mos të presim vetëm çfarë bën shteti, por të mendojmë edhe çfarë bëjmë ne”, thotë ajo.
Në vitin jubilar të 70-vjetorit të estradës së Elbasanit dhe 63-vjetorit të krijimit të teatrit “Skampa”, znj. Ruçaj, me krenari, ka krijuar një ekspozitë kushtuar figurave më të njohura të teatrit – atyre që hodhën themelet e teatrit amator dhe profesionist në qytet.
“Brezi im është rritur me këto figura, dhe dëshira, pasioni, por mbi të gjitha për mua ishte një dëshirë e brendshme për t’i hequr nga pluhuri i harresës. Këto janë figura madhore që na rritën, na edukuan. Për ne, këta ishin idhuj dhe mbeten idhuj. Janë shembuj frymëzimi.”
Në ekspozitën që ka krijuar, Zhaneta Ruçaj është përpjekur t’u japë vend të gjithëve. Ndërsa në librin e saj, është fokusuar te figura e gruas në teatër: “Duke qenë femër, një vend të veçantë doja t’ia kushtoja gruas që hodhi hapat e parë në teatër. Flasim për paragjykimet e kohës, sepse në vitin ’62 gratë nuk kishin hequr ende ferexhetë. Por këto gra, me guxim, hodhën pas krahëve opinionet, u ngjitën në skenë dhe shkëlqyen.”
Në zyrën e vogël në katin e tretë të teatrit “Skampa”, me dinjitet qëndrojnë në mur figura të mëdha dhe të papërsëritshme si: regjisori Skënder Hoxha, aktorët Ferit Gjevori, Agron Graceni, Bukurie Xhoxhi, si dhe këngëtarët e estradës Mit’hat Stringa, Marie Dhamo, Mustafa Mehja, dhe plot 130 figura të tjera – krenaria e Elbasanit dhe e Shqipërisë.
Top Channel
Po te medhejte A.Cerma,Sh.Shmili,A,Ballici,Lec Shllaku,Spiro Duni e sa e saj te tjere pse nuk permenden as si emra. Nuk rri gjekundi Mustafa Mehja ne krahasim me emrat me siper.Pa e ofenduar Facin por ne fund te fundit nuk I ka dhene me shume teatrit Skampa ndonje gje qe ti permendet emri por si gjithkund ne Shqiperi qe tallavaja mbyt muziken ashtu dhe pseudo artistet lene ne hije talentet e verteta. Uluni dhe shikojini me kujdes kedo qe I dha emer teatrit Skampa.