Në kuadër të Varg Festival, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi në Bibliotekën Publike “Thimi Mitko” në Korçë aktivitetin letrar me temë “Me këtë kokë mermeri në duar” ku u diskutua mbi krijimtarinë e shkrimtarit, poetit dhe nobelistit të shquar grek, Jorgos Seferis.
Muzikologu Pandi Bello, njohës i mirë i Jorgos Seferis analizoi veprat e tij si pionier i modernizmit si dhe lexoi disa pjesë nga letrat që Seferis shkruante nga Korça për Korçën.
Ai risolli në kujtesë në vijë kronologjike gjithçka la pas poeti dhe diplomati.
“Vepra e Seferis ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsi. Jorgo Seferis i cili vdiq në shtator 1971 u bë i njohur për lexuesin shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit të XX përmes vargjeve dhe frymës lirike. Disa nga shkrimet që la pas poeti dhe nobelisti grek Jorgo Seferis janë vëllimet poetike "Kthesa", "Përallat", "Fletorja e ushtrimeve", poema alegorike "Cisterna", "Tri poemat e fshehta" etj . Seferis dha kontribut gjithashtu edhe në fushën e përkthimit duke sjellë në gjuhën greke poezinë e Tomas S.Eliotit”, u shpreh ndër të tjera muzikologu Pandi Bello.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli u shpreh se “Nobelisti Jorgos Seferis, ky korife i letërsisë moderne greke, që i këndoi mjerimit dhe pikëllimit botëror, ka mbetur në memorien e lexuesit të gjerë, jo vetëm si përfaqësues kryesor i brezit shkrimtarëve helenikë të viteve 1930, por dhe si nobelisti i parë grek që hodhi themelet e urës lidhëse mes letërsisë homerike dhe asaj moderne europiane”.
Në vitet 1936-‘37, Jorgos Seferis do të punonte si Konsull i Greqisë në Korçë. Shtëpisë ku ai banoi në ato vite, korçarët edhe sot i thonë “Shtëpia e Jorgo Seferisit”. Bukuria dhe ashpërsia dimërore e Korçës, mrekullia e Liqenit të Pogradecit, si dhe heroizmi i trimave shqiptarë si Skënderbeu, do të bënte që ai të shkruante për ta shumë poezi dhe ese të bukura. I mahnitur nga bukuria dhe heroizmi i këtij vendi, në një letër që i dërgonte të dashurës së tij nga Korça, mes të tjerash i shkruante: Në strehëzat e shtëpive korçare kërcënojnë stalagmitet e akullta. Puhiza rrëmben ngricat e dëborës. Pëlhura e bardhë nis të mbulojë kodrat dhe malet. Vajzave korçare u pëlqen të imitojnë gratë e Parisit. Ndërsa Korça trendet nga ëndrrat për t’u quajtur ‘Paris i vogël’”.
Nga korrespondenca Seferi- Maro, Korçë, më 28 janar 1937 ndër të tjera poeti thotë edhe këto:
“... Është një vënd i mbushur me korba, ky vëndi im këtu. Dhe ta mendosh se disa prej tyre kanë parë edhe Ali Pashën. Sot duke u kthyer prej shëtitjes (1/2 orë) pyesja veten: pas njëqind vjetësh, vallë cilin konsull të Greqisë do të shohin këta korba që ngrihen tani për të fluturuar, në mënyrë të çuditshme?”
Në kujtimet e Seferit gjenden jo rrallëherë përshkrime emocionuese: “E ndala shoferin në një majë. Para meje shtrihej një sipërfaqe plot me ujë. Përballë male shumë të lartë. Zbrita. I gjithë vendi ishte i mbuluar me dëborë. Vështrova, duke kërkuar në atë masë uji një barkë apo anije të vogël. Do të thosha se m’u duk si një det i vdekur. Ishte liqeni i Ohrit… I bukur me ujëra të kaltra… magjik…”.
Nobelisti i parë grek, Jorgos Seferis (Izmir, 13 shkurt 1900 - Athinë, 20 shtator 1971) mori çmimin “Nobel” për Letërsi, në vitin 1963.
Në fjalën e mbajtur kur u vlerësua me Çmimin Nobel, më 10 dhjetor të vitit 1963, ndër të tjera ai thekson:
“E konsideroj të rëndësishme që Suedia dëshiron të vlerësojë edhe poezinë që buron nga një popull i vogël, sepse poezia është e domosdoshme për këtë botë moderne që është pllakosur nga frika dhe trazimi. Poezia është akt besimi dhe ka frymëmarrjen dhe zërin e njerëzve të kohës. Sot na duhet ta dëgjojmë atë zë, që ne e quajmë poezi, atë zë të ngrohtë që kërcënohet të shuhet nga mungesa e dashurisë”.
Aktiviteti që organizoi Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Bibliotekën Publike “Thimi Mitko” në Korçë u shoqërua edhe me një pjesë të dytë ku u diskutua mbi krijimtarinë letrare të Gerta Bandillit, poetes korçare në një bashkëbisedim me autorin Eris Rusi. /AB/