Sa herë që flasim për median dhe pavarësinë e saj, e trajtojmë me tone thuajse biblike, si “mision”, “detyrë”, “sakrificë”.
Por a mund të jetë vërtet media e pavarur?
I ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast gazetari dhe opinionisti Lutfi Dervishi thotë se ajo çfarë shpesh nënkuptohet me pavarësi është distanca që një media mban nga politika, apo qëndrimi larg pushtetit dhe opozitës. Por kjo, sipas tij, është vetëm “gjysma plot e gotës”, sepse ndikimet që e kushtëzojnë median shtrihen shumë më thellë se ndarjet politike që shihen në sipërfaqe.
“Media është, para së gjithash, e varur nga interesat e veta financiare, që në disa raste mund të jenë edhe kriminale,” shprehet Dervishi në intervistën për Apostrof Podcast.
Ai shton se pavarësia e medias nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh mënyrën si ajo financohet dhe lidhjet që krijohen në këtë proces.
Megjithatë, sipas Dervishit, varësia nuk vjen vetëm nga politika apo kapitali, por edhe nga vetë publiku:nga shijet, preferencat dhe reagimet e atyre që e lexojnë, e ndjekin dhe e shpërblejnë përmes vëmendjes.
“Tundet flamuri i pavarësisë, por mungon shtiza,” përfundon ai, duke përmbledhur se pavarësia e medias sot është më shumë një simbol sesa një realitet, në një kohë kur interesi, tregu dhe algoritmet përcaktojnë çfarë konsiderohet e rëndësishme.
Episodi i plotë publikohet të dielën, ora 17:00
“Tundet flamuri i pavarësisë, por mungon shtiza” – Lutfi Dervishi për krizën e besimit në media
Lini një Përgjigje