Vallet nga trevat shqiptare erdhën përmes interpretimit të grupeve të ndryshme folklorike në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore.
Festivali këtë vit zhvilloi edicionin e tij të 13-të dhe u zhvillua për dy ditë me radhë në qytetin e Lushnjës.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale pamje nga klipi përmbledhës i edicionit XIII të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore.
“Tradita që flet përmes valleve. Klipi përmbledhës i edicionit XIII të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore, zhvilluar në Lushnjë, sjell atmosferën magjike të dy netëve ku vallja, kostumet dhe ritmet e trevave shqiptare u bënë një gjuhë e përbashkët e shpirtit kombëtar”, shkroi Gonxhja.
Ky aktivitet kulturor ka për qëllim të paraqesë vlerat dhe arritjet më të mira në gjininë e valles popullore, si dhe të gjallërojë jetën kulturore.
Në festival vjen krijimtaria më cilësore e të gjitha rretheve të vendit, ku bëhet edhe paraqitja e kostumeve popullore kombëtare.
Në këtë festival merrnin pjesë grupe të ndryshme, por çmimi i parë i këtij edicioni të 13-të këtë vit shkoi për grupin e Hasit.
Juria në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore e vlerësoi për origjinalitetin, ruajtjen e elementëve burimorë dhe interpretimin artistik.
Lini një Përgjigje