Adele debuton si aktore! Këngëtarja britanike bashkohet me yjet e Hollywood-it në filmin e ri të Tom Ford

13 Nëntor 2025, 10:28Lifestyle TEMA
Adele debuton si aktore! Këngëtarja britanike bashkohet me yjet e

Pas një karriere të suksesshme në muzikë, Adele do të provojë talentin e saj edhe në kinematografi. Fituesja e çmimeve “Grammy” dhe “Oscar” do të debutojë si aktore në filmin e ri të Tom Ford, me titull “Cry to Heaven”.

Filmi, i vendosur në Italinë e shekullit të 18-të, tregon historinë e dy burrave – një fisnik venecian dhe një këngëtar opere, jetët e të cilëve ndërthuren në mënyrë dramatike.

Përveç Adeles, në kastin e filmit marrin pjesë emra të njohur si Nicholas Hoult, Aaron Taylor-Johnson, Colin Firth, Paul Bettany, Mark Strong, Ciarán Hinds, George MacKay dhe Thandiwe Newton.

“Cry to Heaven” është aktualisht në paraprodhim në Londër dhe Romë, me xhirimet që do të nisin në janar 2026, ndërsa premiera pritet në vjeshtën e vitit 2026.

Filmi do të shënojë rikthimin e Tom Ford në regji, i cili njihet për filmat e suksesshëm “A Single Man” (2009) dhe “Nocturnal Animals” (2016). I pari i solli Colin Firth një nominim për Oscar, ndërsa i dyti fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Venecias.

Ky rol vjen pas njoftimit të vetë Adeles se do të merrte një pushim të përkohshëm nga muzika pas përfundimit të rezidencës së saj në Las Vegas.

“Nuk kam asnjë plan për muzikë të re,” – tha ajo në korrik 2024. “Dua një pushim të madh dhe dua të bëj gjëra të tjera krijuese, vetëm për pak kohë.”

Mesa duket, ajo e ka marrë seriozisht këtë dëshirë, duke nisur një aventurë të re në botën e filmit.

Burimi: Variety

Lini një Përgjigje