Anëtari legjendarë i ABBA-s krijon muzikal me inteligjencë artificiale

5 Qershor 2025, 16:55Lifestyle TEMA
Anëtari legjendarë i ABBA-s krijon muzikal me inteligjencë

Björn Ulvaeus, një nga anëtarët legjendarë të grupit ABBA, po përgatit një projekt të ri novator, një muzikal të krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Në një fjalim të mbajtur së fundmi në konferencën SXSW London, kompozitori suedez zbuloi se është “tre të katërtat” i përfunduar me procesin krijues dhe se përfshirja e IA-së ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme.

 “Po shkruaj një muzikal tani, me ndihmën e inteligjencës artificiale,” tha ai, duke theksuar se teknologjia nuk është një kërcënim për artin, por një bashkëpunëtore krijuese.


“Është fantastike. Është si të kesh një kompozitor tjetër në dhomë, me një horizont referimi të pafund.”

Sipas Ulvaeus, IA është një mjet shumë i dobishëm për të kapërcyer bllokimet krijuese. Edhe pse pranon se inteligjenca artificiale është “e tmerrshme për të shkruar një këngë të tërë” dhe “shumë e dobët në tekste”, ai thekson se ka qenë e paçmuar për të gjeneruar ide të reja dhe për të nxitur frymëzim.

Ky projekt vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të ABBA Voyage, një koncert revolucionar me avatarë digjitalë të grupit, realizuar nga kompania suedeze Pophouse Entertainment, ku Ulvaeus luan një rol të rëndësishëm krijues. Muzikali i ri me ndihmën e AI-së pritet të jetë bashkëpunimi i radhës me këtë kompani, e cila synon të riformësojë trashëgiminë muzikore përmes teknologjisë.


Përveçse përqafon të renë, Ulvaeus vazhdon të jetë një zë i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të artistëve. Si pjesë e Konfederatës Ndërkombëtare të Autorëve dhe Kompozitorëve (CISAC), ai po angazhohet për të siguruar që përdorimi i IA-së të bëhet në mënyrë të drejtë, duke garantuar kompensimin e duhur për krijuesit origjinalë.

“Zgjohem çdo mëngjes me kureshtje. Ka të bëjë me dëshirën për të provuar gjëra të reja,” tha ai, duke përmbyllur me një mesazh të fuqishëm për të gjithë artistët: të mos kenë frikë nga teknologjia, por ta përdorin atë si një mjet për të zgjeruar kufijtë e krijimtarisë.

2 Komente

  1. r
    rp

    Anëtari legjendarë? Meso shqipen zotni, shkruhet "Anëtari legjendar", ndërsa në shumore, "Anëtarët legjendarë". Turp!

    Përgjigjjuni
    1. t
      totololi

      Edhe ne shumes mbetet "legjendar" p.sh. Anetaret legjendar te grupit.

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje