
Capital T, përmes një postimi në Instagram, ka bërë një reagim kundrejt gazetarit Robert Bojaj, pasi në emisionin “N’mal a n’deti” në ATV u pretendua se artisti u kërkon të rinjve 50,000 euro për një bashkëpunim. Në emision ishte i ftuar artisti Besart Gashi, i cili thoshte se Capital T i kishte kërkuar shumën e parave për të realizuar këngë me të.
“Sa pare të ka kërkuar? 50,000, më shumë apo më pak, për të realizuar një këngë me ty?”, e pyet Roberti, duke shtuar: “Jo Jay Z, por Capital T”.
Besarti tha se i ka kërkuar më shumë.
Capital T në videon e publikuar u shpreh se e bën muzikën për qejf dhe s’i ka kërkuar kurrë para dikujt për një bashkëpunim.
“Çfarë qëllimesh dashakeqëse, çfarë gjuhe e urrejtjes, e papërgatitur komplet, thjesht për të më përlyer emrin dhe imazhin. Kam afër 20 vite karrierë dhe s’ka shanse të dalë dikush që (të thotë se) i kam kërkuar pagesa, edhe pse normalisht kështu funksionon bota. Unë deri sot s’kam pasur as menaxhim, as menaxher, i kam bërë vetë të gjitha, gjithmonë.
Edhe bashkëpunimet i kam bërë për qejf me njerëz që kam dashur, qofshin artistë të afirmuar apo të rinj. Robert Bojaj, shihemi në gjykatë”, shkruan Capital T në përshkrimin e videos, ndërsa te kjo e fundit shprehet që edhe djali i intervistuar do të shkojë gjithashtu në gjyq, pasi këngëtari do t’i padisë për prishje të imazhit.
Lini një Përgjigje