
Koreja e Veriut ka falsifikuar lëshimin e asaj që analistët e quajtën “raketë përbindësh” javën e kaluar. Kështu tha ushtria e Seulit të mërkurën, ndërsa shpjegoi se me gjasë testi ishte e njëjta raketë balistike ndërkontinentale që Pheniani lëshoi në 2017-ën.
Koreja e Veriut të premten e kaluar pretendoi se kishte testuar me sukses një raketë Hwasong-17 – një ICBM me rreze të gjatë, për të cilën analistët thonë se mund të jetë në gjendje të mbajë disa koka luftarake – që e zbuloi për herë të parë në një paradë ushtarake në vitin 2020.
Por Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut për agjencinë e lajmeve franceze “AFP” tha se Seuli dhe Washington-i tani kanë arritur në përfundimin se lëshimi ishte në të vërtetë i një Hwasong-15, një ICBM që Pheniani testoi në 2017-ën.
“Inteligjenca e SHBA-ve dhe Koresë së Jugut ka përcaktuar se ajo që u qëllua më 24 mars ishte një Hwasong-15”, tha zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes për “AFP-në”.
Të dy ICBM-të janë potencialisht të afta të godasin territorin e Shteteve të Bashkuara.
Seuli dhe Tokio kishin konfirmuar veçmas në atë kohë se raketa e 24 marsit kishte fluturuar më lart dhe më gjatë se çdo test i mëparshëm – por analistët më vonë vunë në dukje mospërputhjet në llogarinë e Koresë së Veriut.
Njoftimi i rremë ka të ngjarë të ishte një përpjekje e Phenianit për të kompensuar një lëshim të dështuar më 16 mars, kur një raketë, për të cilën analistët thanë se ishte në të vërtetë Hwasong-17, shpërtheu menjëherë pas lëshimit.
Sipas websitet-it të specializuar me bazë në Seul, “NK News”, mbeturinat nga testi i dështuar ranë në ose afër Phenian-it, ndërsa një shtëllungë tymi me ngjyrë të kuqe u ngjit në qiell.
“Banorët e Phenian-it duhet të jenë tronditur” nga lëshimi i dështuar dhe mund të ketë ndikuar në opinionin publik të regjimit të Kim, u tha gazetarëve ligjvënësi Ha Tae-keung i Partisë së Pushtetit Popullor (PPP) në opozitë.
Media shtetërore e Koresë së Veriut – “Rodong Sinmun” dhe agjencia e lajmeve “KCNA” – nuk raportuan për lëshimin e dështuar në atë kohë.
Ata zakonisht mbajnë raporte për testet e suksesshme të armëve brenda 24 orëve nga nisja, shpesh me fotografi.
Por, lëshimi i 24 marsit u trumbetua në mediat shtetërore, me “KCTV” që publikoi një video të shkëlqyeshme që supozohej se tregonte se raketa gjigante ishte testuar me sukses.
Analistët kanë vënë në dukje mospërputhje në pamjet që mund të tregojnë se pjesë të lëshimit të 24 marsit ishin falsifikuar.
Ekonomia e vendit të izoluar po tërhiqet nga sanksionet e OKB-së mbi programet e armëve të liderit Kim Jong Un dhe një bllokadë dyvjeçare të vetimponuar nga pandemia e COVID-19.
“Jo vetëm që regjimi i Kim ka krenari dhe legjitimitet nga programet e tij bërthamore dhe raketore, por portretizon ndërtimin e forcës ushtarake kundër kërcënimeve të jashtme si justifikim moral për vuajtjet e brendshme ekonomike”, tha për “AFP-në” Leif-Eric Easley, profesor në Universitetin Ewha në Seul.
Nisja “e suksesshme”, siç portretizohet në mediat e kontrolluara nga shteti, ka “vlerë propagandistike” të rëndësishme për regjimin e Kim-it, shtoi ai.
Analistët kanë paralajmëruar se Koreja e Veriut ka të ngjarë të lëshojë një satelit zbulues ushtarak dhe të kryejë teste taktike të kokave bërthamore më vonë këtë vit.
Vetem Phenjani ben propagande?