Ellen DeGeneres po përballet me një padi në Kaliforni, ku një grua e ka akuzuar ish-prezantuesen e njohur për shkaktimin e një aksidenti të rëndë automobilistik në vitin 2023.
Sipas dosjeve gjyqësore të siguruara nga mediat amerikane, ngjarja ka ndodhur më 16 tetor 2023 në Qarkun Santa Barbara. Padia, e raportuar fillimisht nga revista “People”, pretendon se 67-vjeçarja nuk iu bind një shenje ndalimi dhe për pasojë goditi një automjet tjetër, duke shkaktuar një përplasje të tipit “t-bone”.
Paditësja, emri i së cilës nuk është bërë publik, thotë se ishte ndalur plotësisht në kryqëzim, kishte kontrolluar për mjete të tjera dhe po vazhdonte lëvizjen kur makina e DeGeneres hyri papritur dhe pa paralajmërim.
Ajo akuzon ish-yllin e televizionit për sjellje neglizhente që nuk përmbushte standardet e kujdesit të një shoferi të arsyeshëm. Gruaja pretendon se ka pësuar lëndime serioze, humbje të të ardhurave, shpenzime të mëdha mjekësore, si dhe pasoja emocionale afatgjata, duke përfshirë ankth dhe humbje të gëzimit të jetës.
Në padi, DeGeneres akuzohet për “shkaktim nga pakujdesia ose kontribut në përplasjen” dhe paditësja kërkon një shumë të paspecifikuar në dëmshpërblim.
Kjo sfidë ligjore vjen më pak se dy vjet pasi DeGeneres mbylli përfundimisht shfaqjen e saj të gjatë televizive në vitin 2022, pas akuzave për një ambient toksik pune.
Pas kësaj, ajo dhe bashkëshortja e saj, aktorja Portia de Rossi, u zhvendosën përfundimisht në fshatrat Cotswolds në Angli në fund të vitit 2024. Deri më tani, DeGeneres nuk ka bërë një koment publik lidhur me akuzat./ E.K
Burimi: People
Lini një Përgjigje