Frymëzuar nga “trëndafili i shkretëtirës”/Muzeu Kombëtar i Katarit mahnit me dizajnin e tij!

16 Maj 2025, 13:02Lifestyle TEMA
Frymëzuar nga “trëndafili i shkretëtirës”/Muzeu

Muzeu Kombëtar i Katarit në kryeqytetin Doha, i frymëzuar nga kristali i “trëndafilit të shkretëtirës” tërheq vizitorët me arkitekturën, përmbajtjen dhe përvojën që ofron.

I projektuar nga arkitekti francez Jean Nouvel dhe i hapur në vitin 2019 nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, muzeu ka një sipërfaqe prej afërsisht 140 mijë metrash katrorë. Muzeu përshtatet me kushtet mjedisore dhe ofron estetikë unike me strukturën e përbërë nga disqe të valëzuara dhe të ndërlidhura, të frymëzuara nga kristalet natyrale të “trëndafilit të shkretëtirës”.

Muzeu u ndërtua rreth pallatit historik i cili më parë ka shërbyer si rezidencë dhe qendër qeveritare e Emirit të Katarit, Sheikh Abdullah bin Jassim Al Thani.

Muzeu i përbërë nga gjithsej 11 salla,paraqet historinë e Katarit përmes një rrëfimi periodik. Kjo strukturë i shpie vizitorët në një udhëtim nga periudha para vendbanimit të gadishullit deri në ditët e sotme dhe madje edhe në të ardhmen.

Çdo sallë u ofron vizitorëve përvojë me shumë ndjeshmëri me tingujt, aromat, dritat dhe dizajnet e veta unike. Në koleksionin e muzeut ndodhen shumë objekte me vlerë, nga objekte arkeologjike e deri te sendet tradicionale, nga dorëshkrimet e rralla deri tek bizhuteritë. Një nga veprat më mbresëlënëse është “Qilimi Baroda” i projektuar në vitin 1865, që njihet si një vepër e rrallë arti e zbukuruar me më shumë se 1.5 milion perla, smeralde, diamante dhe rubinë.


Muzeu tërheq vëmendjen edhe me arkitekturën e qëndrueshme. Është vlerësuar me certifikata të rëndësishme mjedisore, të tilla si “LEED Gold” (Certifikata e Artë për Lidership në Energji dhe Dizajn Mjedisor) dhe “GSAS 4 Stars”. Përveç kësaj, muzeu është vlerësuar në vitin 2022 i denjë për çmimin “Molla e Gjelbër” dhe dy çmime në kuadër të “Çmimeve për Destinacionet Kulturore Kryesore” në vitin 2020.

Muzeu Kombëtar i Katarit, struktura e parë që vizitorët hasin kur mbërrijnë nga aeroporti ndërkombëtar “Hamad” në jug të Dohas, është bërë një nga simbolet e vendit.

Lini një Përgjigje