Pas më shumë se dy dekadash thashetheme e spekulime, Princi Laurent i Belgjikës ka konfirmuar publikisht atësinë e një djali 25-vjeçar, të lindur nga marrëdhënia e tij me modelen dhe këngëtaren e njohur Wendy Van Wanten.
61-vjeçari deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se Clement Vandenkerckhove është djali i tij biologjik:
“Me këtë deklaratë, e pranoj se jam babai biologjik i Clement Vandenkerckhove. Ky vendim bazohet në mirëkuptim dhe respekt për të gjithë të përfshirët. Është rezultat i një konsultimi të përbashkët.”
Princi bëri të ditur gjithashtu se nuk do të japë komente apo shpjegime të tjera mbi këtë çështje delikate:
“Ju lutem ta pranoni këtë informacion me diskrecionin që kërkon natyra e kësaj teme.”
Ndërkohë, Pallati Mbretëror ka bërë me dije se nuk do të komentojë mbi deklaratën e Laurent, ndërsa Van Wanten nuk e kishte pranuar kurrë publikisht se Princi ishte babai i djalit të saj.
Sipas The Brussels Times, dyshja u njoh në Paris në mesin e viteve ’90, gjatë një sfilate mode, dhe siç ka rrëfyer Van Wanten, ata kaluan “momente të bukura” së bashku. Djali i saj Clement lindi në vitin 2000 dhe menjëherë nisën thashethemet për atësinë e tij.
Eksperti i çështjeve të familjes mbretërore, Mario Danneels, tha për mediat belge se lajmi nuk ishte surprizë:
“Ka pasur shumë indikacione. Më i dukshmi ishte padyshim ngjashmëria mes tyre.”
Ai shtoi se arsyeja pse historia u mbajt e fshehtë për kaq kohë lidhej me tensionet brenda familjes mbretërore, madje edhe me përplasje mes Princit Laurent dhe mbretit Albert./ E.K
Lini një Përgjigje