Hollywood ka Oscar-et, televizioni ka Emmy-t, muzika ka Grammy-t dhe tani Instagram-i po futet në botën e çmimeve. Rrjeti social më i madh për ndarjen e përmbajtjeve krijuese ka prezantuar programin e tij të ri, Instagram Rings, një nismë që vlerëson kreativitetin e përdoruesve të tij.
Programi do të shpërblejë krijuesit më të talentuar me unaza unike, të dizajnuara nga dizajnerja britanike Grace Wales Bonner, ashtu edhe digjitale, të veçanta për profilin dhe story-t në Instagram. Nga tre miliardë përdorues aktivë mujorë, vetëm 25 do të kenë këtë nder.
“Na dukej se ishte koha të krijonim një çmim që vlerëson ata që guxojnë të jenë kreativë në platformën tonë,” thotë Eva Chen, drejtore e partneriteteve në Instagram, e cila ka ndihmuar në konceptimin e programit.
“Këta njerëz janë katalizatorë kulturorë; ata ndezin biseda dhe frymëzojnë të tjerët të shprehin veten.”
Mes gjyqtarëve të “Rings” do të jenë emra si Spike Lee, Marc Jacobs dhe drejtori i Instagram, Adam Mosseri. Çmimet do të shpërndahen për kategori të ndryshme, nga moda dhe make-up-i, te sporti dhe argëtimi, duke reflektuar diversitetin e komunitetit global të Instagram-it.
Chen shtoi: “Një nga gjërat më magjike të Instagram-it është se tregon çdo moment të udhëtimit të dikujt. Programi Rings shpërblen krijuesit që kanë hapur jetën, artin dhe vizionin e tyre për të gjithë botën.”
Lini një Përgjigje