Gaston Glock, inxhinieri austriak që krijoi pistoletën “Glock”, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare.
Kompania që mban emrin e tij u shpreh në një komunikatë se puna e nisur nga themeluesi i saj do të vazhdojë me të njëjtin shpirt, sikur ai të ishte gjallë.
Arma në fjalë është përdorur nga trupa ushtarake, oficerë sigurie, civilë dhe kriminelë në mbarë botën. Rritja e popullaritetit të saj i detyrohet edhe kulturës amerikane të muzikës pop, si dhe përdorimit në filmat hollivudianë si “Matrix Reloaded”.
Pavarësisht famës si krijues i pistoletës, Gaston Glock përshkruhej si një miliarder i mbyllur që e kalonte shumicën e kohës në një pronë private përpara një liqeni të Austrisë.
Ai dilte rrallë në lajme dhe herët kur zuri titujt kryesorë ishin kur një libër mbi biznesin e tij u publikua në vitin 2021, pas divorcit nga bashkëshortja në 2011-n dhe kur një ortak në biznes tentoi ta eliminonte në fund të viteve ’90.
Në rastin e fundit, autori ishte një mundës profesionist. Ai e goditi biznesmenin 7 herë në kokë me një çekiç prej gome, por Glock, asokohe 70 vjeç, reagoi dhe arriti ta neutralizonte agresorin.
“Gaston Glock revolucionarizoi botën e armëve të vogla dhe arriti ta konsolidonte markën e tij duke e kthyer në markë-lider në tregun global të armëve të dorës”, thuhet më tej në komunikatën e kompanisë së tij.
Lini një Përgjigje