“Miku im për gjithë jetën”, Nicole Kidman nderon Sam Neill pas ndarjes nga jeta

13 Korrik 2026, 16:41Lifestyle TEMA
“Miku im për gjithë jetën”, Nicole Kidman nderon Sam

Nicole Kidman ka reaguar me dhimbje pas ndarjes së papritur nga jeta të aktorit të njohur Sam Neill, me të cilin e lidhte një miqësi prej më shumë se katër dekadash.

Aktorja tregoi se ishte vetëm 18 vjeçe kur u njoh me Neill dhe se ai e kishte mbështetur që në fillimet e karrierës së saj.

“Sam ishte një nga më të mëdhenjtë dhe një njeri që sillte gëzim kudo. Më mori nën kujdesin e tij kur isha shumë e re dhe mbetëm miq për gjithë jetën. Ishte simpatik, i sjellshëm, inteligjent dhe jashtëzakonisht gazmor. Do të na mungojë shumë”, u shpreh Kidman, duke i përcjellë ngushëllimet familjes së aktorit.

Kidman dhe Neill luajtën së bashku në thrillerin e vitit 1989, “Dead Calm”, ku interpretonin rolin e një çifti të martuar. Ky film shënoi edhe suksesin e parë të madh ndërkombëtar të Kidman dhe i hapi rrugën karrierës së saj në Hollywood.

Dy aktorët u ribashkuan publikisht në vitin 2019, gjatë një paneli të serialit “Big Little Lies”, ku ishte e pranishme edhe Laura Dern, kolegia e Neill në “Jurassic Park”.

Lajmi për vdekjen e Sam Neill u konfirmua nga familja e tij përmes një deklarate në Instagram. Të afërmit njoftuan se aktori u nda nga jeta në Sydney, i rrethuar nga familjarët, ndërsa humbjen e përshkruan si të papritur.

Vdekja e tij erdhi vetëm dy muaj pasi kishte njoftuar se ishte shëruar nga kanceri, pas një beteje me një formë të rrallë dhe agresive të limfomës. Pasi kimioterapia nuk kishte dhënë më rezultate, Neill iu nënshtrua një trajtimi eksperimental me qeliza CAR-T, i cili kishte rezultuar i suksesshëm.

Në intervistën e tij të fundit, aktori ishte shprehur entuziast për rikthimin në ekran, duke thënë se në trupin e tij nuk kishte më shenja të sëmundjes dhe se ishte koha të realizonte një tjetër film.

Lini një Përgjigje