“Mjaft punësuat njerëz”, posterat e kompanisë AI shkaktojnë debat në SHBA

17 Dhjetor 2024, 10:11Lifestyle TEMA
“Mjaft punësuat njerëz”, posterat e kompanisë AI

Një startup i Inteligjencës Artificiale i quajtur Artisan ka ngjallur reagime të forta për shkak të një fushatë të pazakontë reklamuese në San Francisco të SHBA-së.

Billboard-et në qytet mbajnë mesazhe provokuese si: “Mjaft punësuat njerëz”, të shoqëruara nga imazhe të një gruaje të krijuar nga AI, e quajtur “Ava.”

Artisan, që ofron agjentë shitjesh të automatizuar përmes AI-së, përdor gjithashtu slogane të tilla si:“Artisan nuk do të ankohet për balancën mes punës dhe jetës”, “Kamerat e Zoom të Artisan-it nuk do të ‘pushojnë së funksionuari’ sot,” të cilat shoqërohen nga deklarata si: “Epoka e Punonjësve të AI-së ka mbërritur.”

Megjithatë, slogani “Mjaft punësuat njerëz” ka shkaktuar zemërimin më të madh. Billboard-et e mëdha dhe posterat janë shpërndarë gjerësisht, shpesh pranë skenave që theksojnë problemet sociale të qytetit, si varfëria dhe mungesa e strehimit.

Reagimet online kanë qenë të zjarrta. Disa përdorues në rrjetet sociale e kanë quajtur fushatën një “makth distopik,” ndërsa të tjerë janë shprehur me ironi: “Çfarë po bëjmë si specie?”.

Një moment që ka shkaktuar veçanërisht indinjatë është një imazh ku pranë një pankarte të Artisan-it shihet një burrë i pastrehë. Në një qytet si San Francisko, ku kriza e strehimit dhe varfëria janë sfida të mëdha, mesazhi i kompanisë është parë si cinik dhe i pandjeshëm. Një poster i Artisan-it në një stacion autobusi është grisur dhe vandalizuar nga qytetarët.

Jaspar Carmichael-Jack, 23-vjeçari që drejton Artisan-in, e pranoi se mesazhet janë disi distopike shkruajnë mediat e huaja, por mbrojti fushatën si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen.

“E di që tingëllon distopike, por kështu po ndryshon bota,” tha ai për SFGate.
Fushata e Artisan-it ka ngritur një debat mbi qëllimet reale të industrisë së teknologjisë dhe qëndrimin e saj ndaj punonjësve njerëz.

Lini një Përgjigje