Nga fati në makth: Një fshat spanjoll fiton 34 milionë euro, por humb një pjesë të çmimit

1 Janar 2026, 11:32Lifestyle TEMA
Nga fati në makth: Një fshat spanjoll fiton 34 milionë euro, por

Një fitore historike në lotarinë e Krishtlindjes në Spanjë është shndërruar në një makth për një fshat të vogël në veri të vendit.

Villamanín, një komunitet me vetëm 334 banorë në provincën León, rezultoi fitues i rreth 34 milionë eurove nga lotaria legjendare spanjolle El Gordo, por një gabim administrativ ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e shumës të mos përfundojë në duart e fituesve.

Më 22 dhjetor, numri 79432, i blerë kolektivisht nga komiteti i festave të fshatit, doli fitues i çmimit të madh.

Prej shtatë vitesh, një grup prej rreth dhjetë të rinjsh blen një biletë të përbashkët dhe e ndan atë në “mini-bileta” me vlerë 5 euro, të cilat u shiten banorëve dhe turistëve për të ndarë fitimin në rast suksesi.

Këtë vit, rreth 450 persona kishin blerë pjesë të biletës fituese.

Por gëzimi zgjati pak.

Sipas mediave spanjolle, 50 blerës nuk ishin regjistruar zyrtarisht në sistemin e lotarisë, një procedurë thelbësore për përfitimin e shumës.

Si pasojë, pjesa e tyre e biletës, ndonëse fituese, konsiderohet e pavlefshme ligjërisht, duke i lënë jashtë ndarjes së miliona eurove.

Situata ka shkaktuar zemërim dhe tension të fortë në komunitet.

Disa banorë kanë folur për “pakujdesi të rëndë” apo edhe dyshime për mashtrim, akuza që komiteti i festave i ka hedhur poshtë kategorikisht.

“Sonte kemi humbur miq”, është shprehur një anëtar i komitetit gjatë një mbledhjeje publike të mbajtur mes tensioneve, sipas raportimit të El País.

Lotaria El Gordo është një nga ngjarjet më të mëdha festive në Spanjë dhe shpërndan çdo vit miliarda euro në çmime.

Mekanizmi i saj është kompleks: biletat ndahen në pjesë më të vogla (“décimos”), duke lejuar që fitimi të ndahet mes shumë personave – një traditë e rrënjosur thellë në komunitete, familje dhe lagje.

Lini një Përgjigje