Një histori e pazakontë udhëtimi vjen nga Milano, ku një grua japoneze 92-vjeçare ka zgjedhur të udhëtojë e vetme deri në Itali. Yuko Fujimoto mbërriti nga Japonia pas një udhëtimi prej gati 14 mijë kilometrash dhe qëndroi për 20 ditë në hostel-in “Ostello Bello”, pranë stacionit qendror të qytetit.
Me vete ajo mbante gjithmonë një bllok shënimesh. Në faqet e para kishte shkruar një lloj fjalori të vogël, ku kishte përkthyer nga japonishtja në italisht disa fjalë të thjeshta si “mirëmëngjes”, “mirëmbrëma”, “si quhesh?” dhe “si je?”. Disa fraza i kishte edhe në anglisht, gjuha që e ndihmonte të komunikonte me njerëz nga vende të ndryshme, shkruan Corriere Della Sera.
Shënimet i shërbenin për të thyer akullin me personat që ndanin të njëjtën dhomë në hostel. Stafi i hostelit e kujton me shumë simpati.
“Ajo kishte një kuriozitet të jashtëzakonshëm. Mbrëmjeve pinim birrë bashkë dhe ishte më shumë e interesuar të dëgjonte historitë tona sesa të fliste për veten”, tregojnë punonjësit e recepsionit.
Hosteli “Ostello Bello”, i cili ka disa struktura në Itali, funksionon me një filozofi të thjeshtë, të krijojë një ambient social ku njerëzit komunikojnë dhe ndajnë përvoja.
“Në një hotel, nëse një i panjohur të flet, duket e çuditshme. Në një hostel ndodh e kundërta, është e çuditshme të qëndrosh në heshtje”, shpjegon administratori i përgjithshëm Carlo Alberto dalla Chiesa.
Sipas tij, nuk është e pazakontë që në hostel të qëndrojnë edhe persona mbi 80 vjeç. Shpesh ata udhëtojnë vetëm ose në çift dhe e shohin këtë si një mënyrë për të mbetur aktivë dhe për të njohur njerëz të rinj. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre vizitorëve janë të huaj, ndërsa italianët priren të jenë më formalë.
Në këto ambiente takohen kultura dhe breza të ndryshëm, të bashkuar nga një filozofi udhëtimi më të vetëdijshëm dhe më ekonomik.
Historia e Yuko Fujimoto vazhdoi edhe përtej Milanos. Pas qëndrimit në qytet, 92-vjeçarja vijoi udhëtimin e saj në Itali duke vizituar edhe Genovan dhe Romën, ku kishte rezervuar sërish një shtrat në dhomat e përbashkëta të të njëjtit hostel./ Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje