Qeveria Australiane ka akuzuar kompanitë e mëdha teknologjike si Meta, TikTok dhe Google për mosrespektim të ndalimit historik që parashikon që fëmijët nën moshën 16 vjeç të mos përdorin rrjetet sociale, pasi zyra e sigurisë online e vendit paralajmëroi se shumë fëmijë kishin ende llogari, shkruan The Guardian.
Një sondazh me 900 prindër australianë zbuloi se rreth një e treta thanë se fëmijët e tyre ende kishin një ose më shumë llogari në rrjetet sociale pas ndalimit, krahasuar me 49% para hyrjes në fuqi të ligjit.
Sipas studimit, fëmijët nën 16 vjeç që kishin llogari në Instagram, Snapchat dhe TikTok para ndalimit, 70% e tyre vazhduan të kishin akses, tregoi sondazhi.
Të martën u bë e ditur se Instagram, Facebook, Snapchat, TikTok dhe YouTube ishin të gjithë nën hetim për mundësinë e mosrespektimit të rregullave, me ministren e komunikimeve të Australisë, Anika Wells, që akuzoi kompanitë se nuk po bënin mjaftueshëm për të zbatuar ndalimin.
Komisioni i eSafety tha se teknologjia e përdorur nga kompanitë, si vlerësimi i moshës përmes fytyrës, nuk ishte mjaft efektive dhe akuzoi firmat për masa mbrojtëse të dobëta që lejonin adoleshentët të provonin verifikimin e moshës derisa të arrinin sukses.
“Asgjë nga kjo nuk është e pamundur. As nuk është e vështirë për kompanitë e mëdha teknologjike që janë inovative dhe miliarda dollarëshe. Ajo që tregon ky raport është e papranueshme,” tha Wells në Canberra të martën.
Ligjet për moshën minimale në rrjetet sociale përcaktojnë se Facebook, Instagram, Snapchat, Threads, TikTok, Twitch, X, YouTube, Kick dhe Reddit janë “platformat me kufizim moshe”, duke ndaluar përdoruesit nën 16 vjeç të krijojnë llogari dhe duke kërkuar që këto kompani të ndërmarrin hapa të arsyeshëm për të parandaluar fëmijët që të hapin ose mbajnë llogari.
Ligjet, të cilat hynë në fuqi dhjetorin e kaluar, parashikojnë një gjobë maksimale prej 49.5 milionë dollarë australianë.
Qeveria tha se në janar më shumë se 4.7 milionë llogari në rrjetet sociale u çaktivizuan, u hoqën ose u kufizuan në ditët e para pas hyrjes në fuqi të ndalimit më 10 dhjetor të vitit të kaluar, por refuzoi të japë një numër të ndarë për secilën platformë.
Lini një Përgjigje