Një grua në provincën Jambi të Indonezisë u vra dhe u gëlltit e tëra nga një piton, sipas raporteve lokale. Jahrah, një grua që thuhet se ishte rreth të 50-tave, kishte shkuar në punë në një plantacion gome të dielën në mëngjes.

Ajo u raportua e zhdukur pasi nuk u kthye atë natë dhe grupet e kërkimit u dërguan për ta gjetur. Një ditë më vonë fshatarët gjetën një piton, stomaku i të cilit dukej të ishte shumë i madh.
Vendasit më vonë vranë gjarprin dhe gjetën trupin e gruas brenda.
"Viktima u gjet në stomakun e gjarprit," tha shefi i policisë së Betara Jambi, AKP S Harefa për mediat lokale, duke shtuar se trupi i saj dukej se ishte kryesisht i paprekur kur u gjet.
Ai tha se burri i viktimës kishte gjetur të dielën mbrëma disa nga rrobat dhe mjetet që ajo kishte përdorur në plantacionin e gomës, duke e shtyrë atë të thërriste një grup kërkimi.
Pasi gjarpri - i cili ishte të paktën 5 metra i gjatë - u pikas të hënën, fshatarët më pas e kapën dhe e vranë për të verifikuar identitetin e viktimës.
“Pasi e prenë barkun, zbuluan se ishte Jahrah brenda”, tha Harefa për CNN Indoneisa.
Megjithëse incidente të tilla janë të rralla, kjo nuk është hera e parë që dikush në Indonezi vritet dhe hahet nga një piton. Dy vdekje të ngjashme u raportuan në vend midis viteve 2017 dhe 2018.
Si mund ta hajë një gjarpër një njeri?
Pitonët e gëlltisin ushqimin e tyre të tërë. Nofullat e tyre janë të lidhura me ligamente shumë fleksibël në mënyrë që të mund të shtrihen rreth gjahut të madh.
Një ekspert i kishte thënë më herët BBC-së se pitonët zakonisht hanë minjtë dhe kafshët e tjera, "por sapo arrijnë një madhësi të caktuar nuk shqetësohen më me minjtë sepse kaloritë nuk ia vlejnë".
"Në thelb ata mund të bëhen aq të mëdhenj sa gjahu i tyre," tha Mary-Ruth Low, oficere e ruajtjes dhe kërkimit për Wildlife Reserves Singapore.
Kjo mund të përfshijë kafshë të mëdha si derra apo edhe lopë.
Hënmæ