Nick Reiner, djali 32-vjeçar i regjisor Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij Michele Singer Reiner, u vetëdeklarua i pafajshëm më 23 shkurt në një seancë gjyqësore në Los Angeles Superior Court, ku përballet me akuza për dy vrasje të shkallës së parë në lidhje me vdekjen e prindërve të tij në dhjetor të vitit të kaluar.
Reiner u paraqit para gjykatës mbrëmjen e së hënës, të veshur me rroba paraburgimi dhe me kokë të rruar, ndërsa avokatja e tij, Kimberly Greene, hyri me deklaratën “i pafajshëm” në emër të tij. Ai ka qenë në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht që nga arrestimi i tij, disa orë pas zbulimit të trupave të prindërve në rezidencën e tyre në lagjen e pasur Brentwood të Los Angeles.
Prindërit e tij, regjisori i njohur Rob Reiner, 78 vjeç, dhe Michele Singer Reiner, 70 vjeçe u gjetën të vdekur me plagë të shumta nga thikat më 14 dhjetor 2025. Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi mbi motivet e ngjarjes, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Burime të huaja raportojnë se prokurorët mund të kërkojnë dënimin me vdekje ose burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.
Gjykata ka caktuar një seancë të re për 29 prill 2026, ku prokuroria pritet të paraqesë provat paraprake dhe të vendosë për hapat e mëtejshëm të procesit./E.K
Burimi: Associated Press
Lini një Përgjigje