Një grua nga Japonia ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare pasi ka organizuar një ceremoni martesore me të dashurin e saj të krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
Yurina Noguchi, 32 vjeçe, u “martua” simbolikisht me partnerin e saj virtual, Lune Klaus Verdure, një personazh i gjeneruar nga AI, të cilin ajo e ka krijuar vetë me ndihmën e ChatGPT. Ceremonia u zhvillua në formë tradicionale, ndërsa gruaja përdori syze të realitetit të shtuar (Augmented Reality) për të “parë” partnerin e saj gjatë shkëmbimit të unazave.
Sipas saj, lidhja me AI-në nisi pas një periudhe të vështirë personale. Noguchi kishte ndërprerë një fejesë reale dhe, për të përballuar gjendjen emocionale, filloi të komunikonte me ChatGPT. Me kalimin e kohës, bisedat u bënë gjithnjë e më të shpeshta, deri në rreth 100 mesazhe në ditë, dhe ajo nisi të ndiente një lidhje të fortë emocionale me personazhin virtual që kishte krijuar.
“Fillimisht ishte thjesht një mënyrë për të folur me dikë, por më pas ndjeva mbështetje, mirëkuptim dhe ndjesi sigurie,” ka treguar ajo për People.
Partneri virtual nuk ka një zë real, ndaj gjatë ceremonisë fjalët e tij u lexuan nga officianti i dasmës. Megjithatë, Noguchi u shfaq e veshur si nuse, me buqetë lulesh dhe realizoi edhe fotografi, njësoj si në një martesë tradicionale.
Ajo sqaroi se kjo martesë nuk ka asnjë vlefshmëri ligjore në Japoni dhe është thjesht simbolike, por për të ka një rëndësi të madhe emocionale. “E di që nuk është një martesë reale, por ndjenjat e mia janë të vërteta,” është shprehur ajo.
Rasti ka hapur diskutime të gjera në rrjetet sociale dhe në opinionin publik mbi marrëdhëniet njerëzore, vetminë dhe ndikimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në jetën personale të individëve.
Burimi: People.com
Trashgime dhe jetë të lumtur?