Belinda Balluku: Gjyshin tim e gjykon historia, s'ka gojë njeri të përmendë familjen time. Kur isha 7 vjeç më përjashtonin si mbesa e armikut

26 Tetor 2022, 16:40Politika TEMA

Belinda Balluku: Gjyshin tim e gjykon historia, s'ka gojë njeri

Zv. kryeministrja Belinda Balluku tha se përmendja e familjarëve është një nga sportet më të ndyra në parlament.

Ajo solli në vëmendje se çdo vepër e gjyshit të saj, që vazhdimisht përmendet nga deputetët e PD-së, do të gjykohet nga historia.

“Një fakt që nuk mohon dot askush për familjen time, për familjen Balluku dhe nuk flas këtu për farefisin, po flas këtu për gjyshin tim, gjyshen, mamanë, babain, xhaxhallarët dhe dy hallat e mia, pra për familjen e ngushtë. 

Familja ime ka në kurriz 135 vjet burg dhe internim dhe nuk e di kush nga deputetët e Parlamentit ka gojë të zërë emrin e familjes time,” – u shpreh Balluku në një intervistë për Euronews Albania.

Balluku u shpreh se në moshën 7-vjeçare është përjashtuar nga çdo konkurs shkollor sepse konsiderohej si mbesa e armikut.

Ajo tregoi se është qesharake, madje tragjike të dëgjosh deputetët në parlament të flasin për familjen e saj kur as nuk e dinë kush janë të persekutuarit e çfarë kanë hequr.

“Kur unë kam qenë 7 vjeç kam filluar të kuptoj se çfarë ishte armiku i klasës dhe i popullit sepse tek fëmijët e tjerë duhet të shkonin nëpër evente, spartakjada, olimpiada unë përjashtohesha gjithmonë sepse isha mbesa e armikut.

Kështu që të dëgjosh sot gazrat e parlamentit tek përmendin emrin e gjyshit, apo tek përmendin prindërit që sot e kësaj dite vazhdojnë e përjetojnë tmerrin e persekutimit në politikë, minimalisht mund të quhet qesharake, përndryshe quhet një tragjedi,” – u shpreh Balluku në Euronews Albania.

Zv. kryeministrja tha se ligji për hapjen e dosjeve duhej votuar nga të gjithë dhe tashmë asnjë fjalim s’ka kuptim pasi ligji u miratua.

Balluku sqaroi se për të personalisht ligji i hapjes së dosjeve është shumë i rëndësishëm.