
Deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes në themel, asaj që ndodhet në Gjykatën e Lartë dhe që lidhet me pronësinë e vulës së partisë, ndryshimet statutore nga palët nuk mund të regjistrohen në Gjykatën Civile të Tiranës. Ky ishte thelbi i vendimit të marrë pasditen e sotme nga gjyqtari Niko Rapi i cili vendosi pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e ndryshimet në statutin e partisë në Kuvendin Kombëtar të 2 Shtatorit.
Avokati Rezart Kthupi tha se ky vendim nuk prek fare kryetarin e partisë të PD-së, Lulzim Basha.
Vendimi sot, është një vendim i cili ne e prisnim. Është një vendim që vjen në vazhdën e vendimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata e Apelit kishte përcaktuar disa rregulla në lidhje me mënyrën se si duhet bërë shqyrtimi gjyqsor i çështjeve. Do të kishim preferuar që çështja të shqyrtohej në themel që do të thotë që kundërshtarët tanë të cilët pretendojnë që të provojnë vërtetësinë e dokumentacionit që ne kemi depozituar në gjyaktë, t'ia nënshtronin këtë dokumentacion shqyrtimit gjyqsor, preferuan ta pezullojnë gjykimin. Nuk kemi asnjë shqetësim në lidhje me pezullimin e gjykimit. Shkaku dhe për të cilën e pranuam kërkesën e paraqitur prej tyre. Organet statutore të Partisë Demokratike, duke filluar nga kryetari dhe çdo strukturë tjetër poshtë kryetarit, vazhdojnë të jenë në funksion, pavarësisht vendimit të gjykatës dhe partia vazhdon të funksionojë me të njëjtat ritme.
Ritmet me të cilat funksionon PD e udhëhequr nga Basha janë vërtetë mbreslënëse. Duke takuar çdo ditë nga dy tre persona me të cilët ha edhe ndonjë byrek, Basha tregon qartë ndryshimin midis PD së tij dhe asaj të Berishës. Të jetë se e bënë qëllimisht mbajtjen e këtij qëndrimi, duke dashur të tregojë nga anon kandari?